11 Shtator 2026

Shqipëria po humbet çdo vit një pjesë të popullsisë së re, por tkurrja e numrit të të rinjve nuk po sjell më shumë mundësi në tregun e punës.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se në një vit numri i të papunëve 15-29 vjeç është rritur me mbi 5 mijë persona, ndërsa numri i të rinjve të punësuar ka rënë.

Popullsia banuese e Shqipërisë zbriti në 2,335,930 banorë më 1 janar 2026, rreth 27.4 mijë më pak se një vit më parë. Tkurrja është më e dukshme te të rinjtë.

Nga viti 2022 deri në janar 2026, grup-mosha 15-29 vjeç është reduktuar me rreth 62 mijë persona, ose 13.4%.

Por edhe pse numri i të rinjve po bie, ata që janë në kërkim të një pune po përballen me vështirësi më të mëdha.

Sipas INSTAT, në tremujorin e dytë të vitit 2026 ishin 36.7 mijë të papunë të moshës 15-29 vjeç, nga 31.6 mijë në të njëjtën periudhë të vitit 2025.

Brenda një viti, numri i të rinjve të papunë është rritur me mbi 5 mijë persona, ose 16.1%.

Në të njëjtën kohë, numri i të rinjve të punësuar ka rënë nga 177.4 mijë në 170.3 mijë, që do të thotë rreth 7 mijë të punësuar më pak, ose një rënie prej 4%.

Si pasojë, shkalla e papunësisë te të rinjtë është rritur në rreth 17.7%, nga 15.1% një vit më parë.

Situata e moshave të reja bie në kontrast me tregun e përgjithshëm të punës.

Numri total i të papunëve në Shqipëri është ulur me 4.2% në një vit, duke zbritur në 104.6 mijë persona.

Ndërsa te grup-mosha 30-64 vjeç, numri i të papunëve ka rënë me 12.1%.

Kështu, të rinjtë po përbëjnë një pjesë gjithnjë e më të madhe të të papunëve në vend.

Në tremujorin e dytë të vitit 2025, 15-29-vjeçarët përbënin rreth 29% të të papunëve, ndërsa një vit më vonë kjo peshë është rritur në rreth 35%.

Një nga problemet lidhet edhe me mospërputhjen mes arsimit dhe kërkesave të tregut.

Sipas analizës së publikuar, ka shumë të diplomuar në degë tradicionale, ndërsa bizneset kanë nevojë për më shumë specialistë në fusha teknike, teknologji dhe zanate të specializuara.

Ndërkohë, largimi i të rinjve, veçanërisht i atyre me arsim të lartë dhe aftësi profesionale, po ndikon edhe në strukturën e tregut të punës. Ata që qëndrojnë shpesh përballen me mungesë të vendeve të përshtatshme të punës ose kërkojnë mundësi më të mira jashtë vendit./MONITOR