Që me shembjen e Teatrit Kombëtar, u instalua “diktatura”, tani thjesht është bërë shumë e dukshme

Julinda Emiri
27 Tetor 2026
Një valë e re reagimesh dhe protestash ka përfshirë vendin, duke nxjerrë në pah një pakënaqësi të thellë ndaj qeverisë aktuale. Kërkesa e vetme dhe e panegociueshme e çdo lëvizjeje qytetare apo studentore është tashmë dorëheqja e kryeministrit.
Julinda Emiri, Kryetare e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike e ftuar në studion e emisionit “Pika mbi “i”” në “Ora News” të moderuar nga Katerina Hysenllari u shpreh se çdo tentativë për dialog apo relativizim të situatës konsiderohet e mbyllur përfundimisht nga ana e protestuesve.
Protesta e studentëve, e cila ka nisur më 13 tetor, shihet nga Emiri si një pasojë logjike dhe një përshkallëzim i revoltës që ka zanafillën në lëvizje të mëparshme, përfshirë çështjen e Zvërnecit, por pikënisja sipas saj, ka pasur lëvizjen për mbrojtjen e godinës së Teatrit Kombëtar. Emiri tha se pikërisht shembja e teatrit ishte dhe momenti kritik kur u vendosën themelet e një sistemi të ri autokratik, i cili tashmë është bërë tërësisht i dukshëm në çdo vendimmarrje.
“Është për mua një zhvillim shumë i madh që kërkesa tashmë, kërkesa e çdo lloj proteste që kryeministri bën sikur nuk e kupton, është vetëm dhe vetëm dorëheqja e kryeministrit.
Nuk ka më kërkesa për dialog, për diskutime, për relativizime të të gjitha çështjeve dhe protesta e studentëve që ka nisur në 13 tetor nuk është asgjë tjetër përveçse pasoja normale e të gjithë protestave që janë bërë.
Jo vetëm kjo protestë që nisi me Zvërnecin, po dhe të gjitha protestat që janë bërë ndër vite, për mua janë përshkallëzimi i njëra-tjetrës sepse njëra ka sjellë tjetrën. Unë personalisht dihet që kam filluar aktivizimin që me Teatrin Kombëtar, ku mendoj që ka qenë pika ku diktatura u instalua, jo tani siç po thuhet që u instalua.
Tani thjesht është bërë shumë e dukshme. Dhe njëra pas tjetrës të gjitha çështjet, kryeministri Rama dhe gjithë qeveria që është treçereku për burg dhe SPAK nuk reagon, e ka treguar që nuk ka më ç’të dialogohet me këtë qeveri”, tha ajo.
