“Rama, jep dorëheqjen!”/ Studentët nuk tërhiqen, thirrje të forta para Ministrisë së Arsimit: Nuk ka dialog!

27 Tetor 2026
“Rama, jep dorëheqjen!”. Me këto thirrje po vijon sot protesta e studentëve përpara Ministrisë së Arsimit, ku të rinjtë janë mbledhur për të 15-ën ditë radhazi, duke kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama nga pushteti.
Studentët kanë shprehur njëzëri qëndrimin se nuk do të pranojnë dialog me kreun e qeverisë, duke e cilësuar dorëheqjen e tij si një kërkesë të panegociueshme. Pavarësisht paralajmërimeve të kryeministrit Rama për masa penale ndaj personave që kryejnë shkelje gjatë protestave, të rinjtë vijojnë tubimin, duke treguar se nuk kanë ndërmend të heqin dorë nga kërkesat e tyre.
Protestuesit këmbëngulin se nuk kërkojnë më premtime apo takime me përfaqësues të qeverisë, por largimin e kryeministrit, të cilin e konsiderojnë përgjegjës për situatën në vend. Ndërkohë, protesta studentore vijon të mbështetet nga pedagogët e universiteteve publike, të cilët kanë bojkotuar mësimin që prej 21 tetorit, në shenjë solidariteti me të rinjtë.
Studentët paralajmërojnë vijimin e protestave deri në realizimin e kërkesave të tyre, ndërsa thirrjet për dorëheqjen e Ramës vazhdojnë të dëgjohen përpara Ministrisë së Arsimit.
