27 Tetor 2026

Pushteti i dhunës dhe i patrullave me maska po shembet nga themelet, ndërsa institucionet e sigurisë kanë hyrë në një fazë paniku total. Vetëm nëntë ditë pas nisjes së protestave studentore, një valë e egër shtypjeje, me gaz lotsjellës, dhunë të verbër dhe shoqërime ku qytetarëve u kërkohej me dhunë hapja e celularëve, strukturat e uniformave blu janë detyruar të bëjnë prapakthehu.

Pas dëshmive rrëqethëse të të miturve të keqtrajtuar në komisariate dhe plagosjes së rëndë të 28-vjeçarit, në radhët e Policisë së Tiranës dhe asaj të Durrësit kanë nisur dorëheqjet e para masive. Efektivët e ndërgjegjshëm kanë refuzuar të bëhen mish për top dhe bashkëfajtorë në terrorin e ushtruar ndaj qytetarëve të tyre.

Në këtë klimë shpërthyese, Prokuroria e Tiranës nuk ka mbyllur sytë: ka hapur zyrtarisht dyert e hetimeve penale për përdorimin e paligjshëm të armëve, plumbave të gomës dhe gjymtimin e protestuesve. Drejtësia kërkon urgjentisht ekspertizë të specializuar, duke kërkuar madje edhe plumbin nga spitali në Itali për të zbardhur të vërtetën e errët të dhunës shtetërore ndaj të riut të plagosur.

Urdhri i dëshpëruar nga lart, fshehja e provave dhe paniku para drejtësisë

Kjo skemë e policisë është një lojë e pistë që nuk mbulon dot gjurmët e krimit. Ndërsa protestat shpërthyen qysh më 13 tetor me urdhra të qarta për të shkelur çdo të drejtë të qytetarëve, vetëm në datën 22 tetor zyrtarët e lartë të Policisë kanë lëshuar një urdhër urgjent për të “respektuar ligjin”. Shkresa e firmosur nga zëvendësdrejtori për Sigurinë Publike, Edmond Meshini, e drejtuar komisariateve të Tiranës dhe Krujës, tingëllon si një thirrje e dëshpëruar për të shpëtuar lëkurën e komandantëve të dhunës.

Aty u kërkohet efektivëve të mos kontrollojnë telefonat pa urdhër gjyqësor, të mos kërkojnë fjalëkalime pa bazë ligjore dhe të garantojnë praninë e psikologëve dhe prindërve për të miturit. Në udhëzim kërkohet që edhe në ambientet e shoqërimit dhe intervistimit të të miturve në çdo zyrë të vendosen kamera dhe të ruhen pamjet. “Të sigurohet në çdo rast prezenca e prindit ose kujdestarit dhe psikologut për çdo të mitur, formular i të drejtave në versionin për të mitur, para çdo pyetje, regjistër i veçantë për të miturit”, thuhet në shkresën e Policisë së Tiranës firmosur nga zv/drejtori për sigurinë publike, Edmond Meshini.

Efektivëve po ashtu, u kërkohet që të njihen me aktet ligjore mbi përdorimin proporcional të forcës dhe të gazit lotsjellës. Shkresa është shënuar “Tepër urgjent”. Por pyetja që shtrohet është e prerë si brisk: Pse ky urdhër vjen pas 9 ditësh terrori dhe masakrash në rrugë e komisariate? Pse kërkohet me urgjencë ruajtja e pamjeve filmike të datës 19 tetor? Kjo nuk është një masë parandaluese, por një akt paniku nga frika e prangave të SPAK-ut dhe prokurorëve që kanë nisur verifikimet. Çdo kamera sigurie dhe çdo urdhër i vonuar dëshmon se pushteti e di shumë mirë se ka kaluar vijën e kuqe.

Revolta e brendshme, efektivët dorëzojnë distinktivët, sistemi po shkërmoqet

Megjithatë teksa shohim këtë situatë, vlen të theksohet se nuk kemi thjesht një përplasje në rrugë, por një shpërthim edhe nga brenda radhëve të vetë policisë. Në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës kanë nisur dorëheqjet zyrtare nga radhët e uniformave blu, ndërsa e njëjta valë ikjesh ka përfshirë edhe kryeqytetin. Shumë efektivë të ndershëm kanë deklaruar hapur se nuk pranojnë të shndërrohen në gardistë të një regjimi që urdhëron rrahjen e fëmijëve dhe qytetarëve në protestë.

Të braktisur nga eprorët që i përdorën si mish për top dhe të tmerruar nga përgjegjësia penale që i pret për dhunën e paligjshme, ata po hedhin poshtë uniformën. Ndërkohë, skandali po merr përmasa ndërkombëtare. Për 28-vjeçarin e plagosur rëndë gjatë përplasjeve, i cili po lufton për jetën në një spital në Itali, drejtësia shqiptare po lëviz malet për të gjetur provën kyçe: plumbin e nxjerrë nga trupi i tij. Ky plumb është dëshmia e gjallë, dëshmia metalike që vërteton se shteti ka qëlluar mbi qytetarët e tij. Pra përballë këtij cunami dorëheqjesh, hetimesh penale dhe provash të pakundërshtueshme, kupola e dhunës nuk ka më ku të fshihet. Lojërat e fshehta kanë marrë fund; llogaridhënia sapo ka filluar.