Oligarkët dhe “prestanomet” e Edi Ramës kanë filluar të shesin pasuritë, ja arsyeja pse nuk dorëhiqet kryeministri

26 Tetor 2026
…Oligarkët e oborrit dhe njerëzit e besuar që kanë shërbyer si mbulesë për pasuritë e kryeministrit kanë nisur një garë të dëshpëruar për të shitur aksionet dhe pronat e vëna me paratë e korrupsionit.
Karrigia e kryeministrit Edi Rama po digjet nga dita në ditë pas shpërthimit të revoltës së të rinjve dhe frika nga rënia ka përfshirë çdo cep të zyrave të pushtetit në Tiranë. Prapa dyerve të mbyllura nuk flitet më për punë shteti apo për projekte, por vetëm për panik dhe për një operacion të fshehtë që po ndodh fshehurazi nga sytë e publikut. Oligarkët e oborrit dhe njerëzit e besuar që kanë shërbyer si mbulesë për pasuritë e kryeministrit kanë nisur një garë të dëshpëruar për të shitur aksionet dhe pronat e vëna me paratë e korrupsionit.
Kjo është arsyeja e vërtetë pse Edi Rama nuk pranon të japë dorëheqjen: ai e di shumë mirë se po lëshoi karrigen, e gjithë perandoria e tij financiare do të shembet brenda pak orësh dhe mbrojtja e tij do të zhduket përgjithmonë. Plani i këtij grupi ishte i qartë që në fillim që filluan të ndjenin erën e revolucionit, pasi kërkonin të çonin paratë dhe pasuritë drejt Dubait, si dhe të bënin pazare me miq të Ramës, përfshirë investitorë izraelitë. Por ky plan po shkon drejt dështimit. Arabët dhe të huajt e tjerë e kuptojnë qartë se me rënien e këtij pushteti, çdo kontratë e tillë do të bëhet copë-copë nga drejtësia. Kjo bën që pasuritë të mos shiten dot, blerësit tërhiqen nga frika, ndërsa kryeministri detyrohet të mbahet pas pushtetit vetëm e vetëm për të vonuar ditën e llogaridhënies.
Tmerri i pushtetit të Tiranës nga shembulli hungarez dhe kolapsi i oligarkëve të Orbanit
Ky ankth i madh që ka mbërthyer Tiranën nuk ka rënë nga qielli, por vjen pasi elita e pushtetit e di shumë mirë se çfarë ndodhi së fundmi në Hungari, ku rrënimi i sistemit të vjetër shkatërroi gjithë pasuritë e oligarkëve të lidhur me politikën. Kur Viktor Orbán humbi pushtetin dhe në prill 2026 erdhi qeveria e re e drejtuar nga Péter Magyar, për biznesmenët që ishin pasuruar për 16 vite rresht erdhi fundi i menjëhershëm. Sistemi i vjetër i bashkëpunimit mes politikës dhe biznesit u shemb, duke treguar qartë se pasuritë e fituara padrejtësisht nuk rezistojnë dot kur ndryshon qeveria.
Goditja e parë në Budapest erdhi nga ngrirja e menjëhershme e tenderëve dhe kontratave të mëdha shtetërore. Për vite me radhë, oligarkët atje jetonin vetëm me paratë e buxhetit dhe të Bashkimit Evropian. Me ardhjen e qeverisë së re, çdo projekt i madh ndërtimi u ndalua dhe u fut nën verifikim të rreptë. Kompani shumë të fuqishme, siç ishte rasti i Duna Aszfalt, panë projektet e tyre të bllokuara dhe u detyruan t’i kthejnë mbrapsht paratë që kishin marrë në mënyrë të padrejtë pak para zgjedhjeve. Në vend të favoreve për miqtë e pushtetit, u vendosën rregulla të qarta dhe të ndershme të tregut, me qëllim që të hapeshin edhe fondet e bllokuara nga Evropa. Pas këtij goditjeje të fortë, oligarkët e afërt me Orbán-in u kapën nga paniku dhe nisën një eksod masiv të parave jashtë vendit, një skenar fiks si ai që po përpiqen të bëjnë sot njerëzit e afërt të Edi Ramës në Shqipëri. Ata nisën të transferonin shuma të mëdha parash përmes fondeve private drejt Dubait, Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera të sigurta.
Njeriu më i pasur i vendit dhe miku i fëmijërisë së ish-kryeministrit hungarez, Lőrinc Mészáros, bashkë me pjesëtarë të familjes si dhëndri i tij István Tiborcz, bënë gati lëvizjet për të ikur dhe për të çuar pasuritë e tyre jashtë kufijve, vetëm e vetëm që t’i shpëtonin burgut dhe sekuestrimit të pronave. Rënia e këtij sistemi preku menjëherë edhe të gjitha bankat dhe kompanitë e mëdha që kishin dominuar tregun hungarez. Sektori financiar, përfshirë bankën e madhe MBH Bank që ishte krijuar nën ndikimin e politikës, u detyrua të ndryshojë sjellje dhe të distancohej hapur nga qeveria e vjetër që të mos humbte licencat evropiane.
Edhe gjiganti i teknologjisë dhe telefonisë 4iG u përball me rishikimin e çdo kontrate që kishte pasur me shtetin, ndërsa perandoria e madhe e mediave KESMA, e cila kontrollonte televizionet dhe gazetat për të bërë propagandë, mbeti pa para nga reklamat e shtetit dhe u zhyt në falimentim e mbyllje të faqeve të saj.
E gjithë kjo histori u mbyll me hetime të thella për korrupsion dhe me një drejtësi të re që nisi punën seriozisht. Qeveria e re e Magyar-it hapi dyert për bashkëpunim me Prokurorinë Evropiane dhe vuri në lëvizje policinë financiare për të kontrolluar çdo qindarkë të dhënë padrejtësisht. Ky është saktësisht makthi që nuk i lë të qetë Edi Ramën dhe oborrin e tij në Tiranë. Ata e dinë se fati i tyre pas ikjes nga pushteti do të jetë i njëjtë me atë të oligarkëve në Budapest, prandaj po bëjnë çmos që të mos e lënë karrigen e pushtetit, duke shpresuar se kështu do t’i shpëtojnë ligjit dhe sekuestrimit të pasurive.
Nga Gazeta Sot
