Nis shpërndarja e shpërblimit për policët që dhunuan protestuesit, qeveria u jep 8.2 milionë euro “bonus” efektivëve që gjakosën të rinjtë në protesta

26 Tetor 2026
Nuk ka më asnjë dyshim: në Shqipëri, dhuna shtetërore nuk dënohet, por shpërblehet me fatura marramendëse nga xhepat e qytetarëve me të varfër të Evropës! Këshilli i Ministrave ka nënshkruar zyrtarisht vendimin e turpit, duke shpërndarë mbi 8.2 milionë euro nga fondi rezervë i shtetit për 2 750 punonjës të Policisë së Shtetit, ose e thënë pa doreza, për ato njësi që u kthyen në gaz dhe shkopinj gome kundër rinisë shqiptare. Secili prej efektivëve të përzgjedhur do të fusë në xhep plot 2 900 euro si “shpërblim” për të ashtuquajturin “angazhim të shtuar” gjatë protestave të fundit në Tiranë dhe rrethe. Por për çfarë u paguan realisht këto para? Për gazin lotsjellës që mbyti fëmijë e pleq rrugëve? Për rrahjet barbare nëpër errësirë dhe gjakosjen e protestuesve që kërkonin të drejtat e tyre?
Në vend që paratë e taksapaguesve të shkojnë për spitalet e rrënuara, për arsimin apo për pensionistët që po zhytën çdo ditë e më shumë në skajet e mbijetesës, regjimi zgjedh të ushqejë me shifra marramendëse makinerinë e vet të shtypjes. Plot 740 milionë e 80 mijë lekë të reja po dalin nga buxheti i shtetit të vitit 2026 për t’u shndërruar në një bonus turpi për ata që dhunuan të drejtën e fjalës së lirë. Urdhri i kryeministrit Edi Rama u ekzekutua pa asnjë hezitim. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë tashmë ka bërë gati listat emërore dhe ndarja e eurove ka nisur te “fituesit”. Ky nuk është thjesht një shpërblim financiar; është një mesazh i qartë se pushteti ble besnikërinë e uniformave me çdo çmim, duke shpërblyer goditjet mbi qytetarët me fatura luksi. Lind pyetja: deri kur do të paguajnë shqiptarët mercenarët e vetë shtetit për t’u dhunuar në rrugët e vendit të tyre?
Nis shpërndarja në Fier
Megjithatë ajo që po ndodh me paratë e taksapaguesve shqiptarë nuk është më thjesht një administratë e papërgjegjshme, por një skemë e hapur shpërblimi për uniformat që shtypën zërin e lirë. Ndërsa pamjet e të rinjve të gjakosur tronditën opinionin publik dhe ngritën supin e pikëpyetjeve për dhunën e shfrenuar shtetërore, nga rrethet plas skandali i radhës. Masakra financiare nuk është ndalur vetëm në kryeqytet, por shtrihet gjerësisht në çdo drejtori vendore. Dhunë ndaj protestuesve, të rinj të plagosur dhe pamje që tronditën opinionin publik.
Ndërsa ngrihen pikëpyetje për sjelljen e policisë gjatë protestës, një dokument i Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, me titullin “Shpërblim sipas urdhrit DPP nr. 1528, datë 21.10.2026”, paraqet emrat e punonjësve dhe shumat e përfituara. Rastësi apo shpërblim për shërbimin? Dokumenti nuk e sqaron arsyen e pagesës, por koha dhe rrethanat kërkojnë transparencë. Në listën e publikuar nga “joq-albania.com”. shfaqen emrat e Aldo Borajt, Florian Dalipajt, Ilir Shtembarit, Klajger Cukos, Klejdian Calës, Klejdiano Muços, Klevis Xhaferrit dhe Mariglen Salobehajt. Për secilin prej tyre dokumenti shënon 269.120 lekë bruto dhe 228.750 lekë neto, sipas kolonave përkatëse. Pra, ndërsa qytetarët kërkojnë përgjegjësi për dhunën e pretenduar ndaj protestuesve, në dokument shfaqen shifra që ngrenë një tjetër pyetje, për çfarë po shpërblehen punonjësit?

Por sikundër e kemi theksuar më sipër dhe po e theksojmë përse shpërblehen policët dhunues? Pyetja përplasët me forcë mbi secilin prej nesh. Nëse këto pagesa lidhen me angazhimin gjatë protestave, publiku meriton ta dijë qartë arsyen dhe kriteret e shpërblimit. Sepse ironia është e hidhur, qytetarët mund të përfundojnë të plagosur, ndërsa për policinë dalin lista me pagesa.
Edhe në Fier ka nisur shpërblimi. Plaçkitja e buxhetit po shpërndahet tejet me shpejtësi si “bonus besnikërie” për çdo shkop gome të përdorur. Kur qytetarët gjakosen rrugëve, pushteti hap thesarin dhe mbush xhepat e efektivëve. Transparenca mungon, por shifrat flasin vetë: një regjim që blen dhunën me paratë e vetë viktimave.
