27 Tetor 2026

Nga Zef Preçi

“Sëmundja holandeze” shqiptare: kur leku i fortë bëhet barrë për prodhimin

Kur heshtim për paratë kriminale dhe subvencionojmë betonin, leku i fortë nuk mund të jetë një sukses, por simptomë e një zhvillimi të shtrembëruar.

Në fund të viteve 1950, Holanda zbuloi rezerva të mëdha gazi. Valuta që hyri forcoi guldenin dhe industria holandeze humbi tregjet: ky paradoks u quajt “sëmundje holandeze”. Shqipëria nuk ka gaz, edhe Shpiragu, si shumë shashka të tjera propogandistike të dekadës së fundit, rezultoi një deshtim. Por ka turizëm, remitanca, kulla bosh në Tiranë, resorte me lehtësi fiskale në bregdet dhe para që askush nuk i shpjegon. Sëmundja jonë ka një shkak më pak të pastër dhe pasoja më të rënda se ajo holandeze, por debati zyrtar vazhdon ta trajtojë lekun e fortë si dëshmi suksesi.

Simptomat nuk janë më hipotezë

Të ardhurat nga turizmi u trefishuan në 5,7 miliardë euro në 2021–2025, ose 21,1% e PBB-së, ndërsa euro ra nga rreth 123 lekë në Janar 2021 në 90,64 lekë në  Tetor 2026. Eksportet e mallrave ranë nga rreth 487 në 346 miliardë lekë ndërmjet 2022 dhe 2025, ndërsa tekstilet dhe këpucët, sektori më i madh eksportues, zbritën nga 135 në rreth 104 miliardë lekë. Bujqësia u tkurr me 2% në 2025, viti i pestë radhazi me rënie, dhe industria për të dytin vit. Ndërkohë, popullsia rurale ra 18,5% ndërmjet 2011 dhe 2023. Fshati po zbrazet, prodhimi vendas po tkurret dhe aftësia eksportuese e vendit po gërryhet. Këto nuk janë thjesht shifra të veçuara, por faza të njëjtës sëmundje.

Varianti shqiptar: sëmundje pa gaz, por me beton

Holanda të paktën e kishte burimin e prurjeve në një aktivitet prodhues. Në Shqipëri, një pjesë e madhe e valutës nuk prodhon asgjë. Ndërtimi përbën 12,6% të PBB-së, kundrejt 5% në vendet antare të BE, dhe pesha e pasurive të paluajtshme në investimet e huaja u rrit nga 18,5% në 34,3% në 2021–2025. Një studim i Fondacionit Friedrich Ebert gjen të paktën 9,13 miliardë euro diferencë ndërmjet vlerës së ndërtimeve të lejuara në 2015–2024 dhe financimit të identifikuar nga kreditë e investimet e huaja; ai përshkruan pagesa cash, çmime të nënraportuara dhe fonde që rikthehen si “investime të huaja” nga vende me kontroll të dobët. Kuptohet që këto para parkohet në apartamente bosh, ndërsa përballueshmëria e banesave në Tiranë është ndër më të ulëtat në Evropë.

Në bregdet, mekanizmi merr formë ligjore. Më shumë se gjysma e statuseve të “investitorit strategjik” janë dhënë nga qeveria shqiptare në turizëm, kryesisht për komplekse dhe resorte bregdetare të kontestuara apo nën hetim nga SPAK, ndërsa hotelet me pesë yje me “status special” përfitojnë TVSH 6% dhe përjashtim (taksë zero) nga tatimi i fitimit, taksa e pronës dhe infrastrukturës. Kështu, shteti nuk e korrigjon shtrembërimin, por e subvencionon: kapitali dhe toka shkojnë drejt betonit, ndërsa fermeri dhe fasoni paguajnë taksa të plota me një euro gjithnjë e më të lirë. Një vlerësim i mbështetur në të dhënat zyrtare tregon se për periudhën 2021-2025 këto përjashtime jane mesatarisht rreth 722 milionë euro në vit, (me kursin ilustrues 90,74 lekë për një Euro).

Në këtë kuptim, heshtja ndaj parave me origjinë kriminale nuk është neutralitet; ajo e lë këtë kapital të përcaktojë drejtimin e zhvillimit.

Turizmi lë gjithnjë e më pak euro shtesë, flukset e errëta jo

Për kursin nuk ka rëndësi sa shpenzojnë të huajt këtu, por sa euro mbeten pasi shqiptarët paguajnë pushimet e tyre jashtë.

Miliardë euro 2023 2024 2025 6M 2026
Shpenzimet e të huajve në Shqipëri 4,20 4,99 5,72 2,38
Shpenzimet e shqiptarëve jashtë 2,32 ≈2,69 ≈3,04 1,40
Mbetja neto në ekonomi 1,84 ≈2,30 2,685 ≈0,98
Pjesa që del sërish jashtë 55% 54% 53% 59%
Rritja vjetore e hyrjeve — +19,6% +15% +13,4%

Burimi: Përllogaritje të autorit nga shifrat e publikuara; të dhënat gjashtëmujore ndikohen nga sezonaliteti.

Kjo tabelë tregon dy gjëra.

Së pari, më shumë se gjysma e çdo euroje që sjell turisti i huaj del sërish sëbashku me pushuesin shqiptar: në 2025, nga 5,72 miliardë euro hyrje, mbetën vetëm 2,685 miliardë.

Së dyti, shtesa neto po zvogëlohet: nga rreth +460 milionë euro në 2024 në rreth +385 milionë në 2025, ndërsa rritja e hyrjeve ngadalësohet vit pas viti. Shkaku është i dukshëm: me një euro të lirë dhe çmime gjithnjë e më të larta në bregdetin shqiptar, familjet zgjedhin Greqinë dhe Turqinë, kurse qytetarët raportojnë dhoma mbi 60-euro nata, “më të shtrenjta se në Itali”. Bregdeti po çmohet për xhepin e të huajit dhe të parasë së parkuar, jo për qytetarin.

E megjithatë, forcimi i lekut jo vetëm nuk u ngadalësua, por u përshpejtua: në tetor 2026-euro ra 6,2% në vit, ritmi më i shpejtë në tri vjet. Nëse kontributi neto i turizmit rritet gjithnjë e më ngadalë, duhet kërkuar se çfarë tjetër e mban presionin. Treguesit e flukseve të errëta nuk tregojnë asnjë shenjë tërheqjeje. Gabimet dhe mosrregjistrimet në bilancin e pagesave, hyrje që nuk shpjegohen nga asnjë zë, ishin pozitive çdo vit në 2020–2023, me 130–181 milionë euro në vit. Paraja cash në ekonominë informale u rrit rreth 50% në 2018–2022, paraja jashtë bankave arriti 467 miliardë lekë në fund të 2025 [31], dhe investimet e huaja, me mbi një të tretën në pasuri të paluajtshme, u rritën 50% në gjysmën e parë të 2026. Këto shifra nuk e provojnë drejtpërdrejt origjinën kriminale të parave, por tregojnë një prirje të qartë: ndërsa euroja e pastër e turizmit mbetet gjithnjë e më pak në ekonomi, flukset me origjinë të paqartë mbeten të qëndrueshme dhe ka gjasë që pesha e tyre në forcimin e lekut të jetë në rritje.

Ndërhyrjet e BSH-së: termometër artificial

Banka e Shqipërisë është përgjigjur me blerje rekord valute: 930 milionë euro në 2024, 1,027 miliardë euro në 2025 dhe 663,6 milionë euro vetëm në gjysmën e parë të 2026. Rreth 70% e blerjeve në dhjetë muajt e parë të 2025 ishin jashtë kalendarit të planifikuar, ndërsa të dhënat publikohen me rreth tre muaj vonesë. Kriteret e këtyre ndërhyrjeve mbeten të paqarta dhe pak transparente, gjë që lë hapësirë për dyshime se cili interes po mbrohet. Rezultati është i dobët: euro vazhdon të bjerë, ndërsa forcimi i lekut i shkaktoi BSH-së humbje neto nga kursi prej 24,1 miliardë lekësh në 2025.

Ka edhe një kosto më pak të dukshme. Çdo euro e blerë paguhet me lekë të rinj; vetë BSH-ja i përshkruan blerjet e valutës si pjesë të lehtësimit të politikës monetare në 2025. Me inflacion 3,2% në gusht dhe 2,9% në shtator 2026, pranë ose mbi objektivin prej 3%, ky likuiditet shtesë rrezikon të ushqejë çmimet dhe flluskën e pronave, pa prekur shkakun e problemit. FMN-ja i ka rekomanduar BSH-së t’i kufizojë ndërhyrjet vetëm në luhatje që nuk shpjegohen nga faktorët themelorë. Ndërhyrja artificiale trajton termometrin, por jo temperaturën.

Ilaçi i duhur

Edhe nëse një pjesë e forcimit mund të interpretohet si afrim i natyrshëm me Evropën, siç argumenton FMN, kjo nuk shpjegon pse bujqësia, industria dhe fshati tkurren njëkohësisht. Kroacia e ka përjetuar këtë rrugë; Shqipëria po e ndjek, me rrezikun shtesë të parasë kriminale. Zgjidhja nuk është fiksimi i kursit, por heqja e shkaqeve të shtrembërimit. Në kushtet aktuale disa nga masat e ndërhyrjes mund të ishin:

Së pari, hetim dhe transparencë e plotë për origjinën e fondeve në ndërtim dhe pronarët përfitues, me kufizim real të pagesave cash.

Së dyti, një moratorium njëvjecar i zbatimit dhe dhe gjatë kësaj kohe rishikim i ligjit për investimet strategjike dhe i lehtësive fiskale për resortet, me kosto-përfitim publik dhe të verifikueshëm.

Së treti, ndërhyrje valutore me rregulla dhe raportim të qartë e transparent, të lidhura me objektivin e inflacionit.

Së katërti, lidhje e turizmit me bujqësinë vendase dhe investime në produktivitet, që industria fasoni të kalojë nga krahu i lirë i punës të vlera e shtuar.

Leku i fortë mund të jetë shenjë e një ekonomie që po konvergjon, ose paralajmërim i një ekonomie që tashmë “ka harruar” të prodhojë. Aktualisht, për mendimin tim, shenjat na cojnë drejt së dytës. Nëse vazhdojmë të heshtim të gjithë për origjinën e parave dhe të subvencionojmë betonin sic po vepron prej më shumë se një dekade qeveria Rama, leku shqiptar do të mbetet i fortë, por ekonomia jonë kombëtare do të mbetet e dobët.