Çun Lajçi

– E shihni si ikë vera? Si ikë jeta?
Sot, kur dikënd e përcjellin te vorret e tjetrit ia binë krushqit nusën në oborr, unë i kam vu të dy shuplakat në faqe e jam tue u kujtue: çka me ba me vetën teme?
Ku me e çue trupin e ku me ia mshefë hijen që çdo ditë po bahet ma e randë?
Sot m’ka kaplue malli! Si qielli me mjegullat e vjeshtës jam ba!
Dua me i marrë ngrykë edhe lisat, edhe rrugët, edhe qentë që s’dinë ku pëshurrin …
Edhe njerëzit dua me i shtrëngue fort në parzmën teme, me i puthë në bebeza, në ballë, në faqe e me u thanë:
— Kam ardhë aty ku s’më keni pritë. Rrugët i kam nxanë me shkronja e, kam bërtitë: Mos e shkelni hijen teme, se ju ndalet rrita!
Ju s’keni dijtë cili jam: artisti apo i çmenduni që e han vetminë e vet, për mos me jetue vetëm!
Sot po i mbaj faqet me shuplaka e po kujtohem: çka me i thanë vetes teme, që nuk më pranon për t’vetën.
Tash, kur ai që s’më fliste kur takoheshim në Tiranë, vjen e më gjen në andrra e më thotë:
— Ti dhe unë kemi qenë gjithmonë njisoj. Unë kam shkrue, e ti i ke ba veprat e mia me jetue në skenë. Na s’kemi jetue pa njani-tjetrin. Unë u kam dhanë jetë personazheve në letër, e ti i ke nxjerrë prej saj e i ke ba njerëz të gjallë në skenë!
— Ik, — i them. — Se unë jam i vogël për me m’folë i madhi!
Sa i marrë bahet njeriu kur plaket! Mundohet me ecë, me i gjetë njerëzit, ata që dikur e donin e tash ikin prej tij.
Sot, kur dikush martohet e dikush mbulohet me dhe, prapë po kujtohem: çka me ba me trupin tem, që as nuk rrin, as nuk asht i zoti me ecë nëpër kujtime të vonueme?
Mbramë erdhi Kadareja e ma prishi andrrën. Unë isha veshë me tirqi e kokën e kisha lidhë me nji qefin të bardhë. Po vallëzoja me nusën teme në nji lëndinë me lule. Kur e kapa për beli, ai u fut në mes:
— Mos e shtrëngo se këputet! — m’tha.
— Ç’të duhet ty? Ti s’ke punë me nusën teme! Ik, zgjoje Doruntinën, i thashë, e çoje te nana, që të mos vdesë prej pikëllimit!
Vjeshtën e due, por jo erën. Ajo i merr gjethet me të gjitha ngjyrat, e mue m’i mjegullon mendimet.
E shihni si ikë vera? Si ikë jeta?
26.10.2026