Komedi në ARRSH/ SPAK e kërkon në burg, Kozeli e emëron zv/drejtor të përgjithshëm

26 Tetor 2026
Ajo që po ndodh në Autoritetin Rrugor Shqiptar është një komedi, që mund të sfidojë pa frikë edhe kryeveprat më të mëdha të kinematografisë botërore. Ndërsa SPAK i merr të pandehur njëri pas tjetrit zyrtarët e lartë të ARRSH, këta të fundit kanë forcuar radhët mes tyre dhe gradojnë njëri tjetrin në poste drejtuese.
Rasti më flagrant është ai i Gëzim Nonit. Zoti Noni është zyrtarisht jo vetëm nën akuzë nga SPAK, por për të ka dhe pretencë. Prokuria e Posaçme ka kërkuar 1 vit e gjysmë burg për Gëzim Nonin për shkelje të barazisë në tendera, kërkesë e cila është konvertuar në 4 vjet shërbim prove dhe heqje e së drejtës për funksione publike për 3 vjet.
Por vetëm një muaj më parë, drejtori i Përgjithshëm i ARRSH, Ami Kozeli ka vendosur ta emërojë zv drejtor të këtij institucioni, Gëzim Nonin. Madje jo vetëm kaq, por Noni është caktuar de fakto drejtor i zbatimit të kontratave, aty ku lëviz 90 për qind e buxhetit të ARRSH-së.
Gëzim Noni u vu nën akuzë që në dosjen e Evis Berberit. Ai ka qenë në komisionin e tenderave thuajse për çdo lot të Unazës dhe nuk është çudi që SPAK të ngrejë akuza të reja ndaj tij.
Por Ami Kozeli e ka parë të arsyeshme ta gradojë zv/drejtor të Përgjithshëm të ARRSH duke i besuar jo vetëm zbatimin e kontratave, por edhe një pjesë të madhe të tenderave. Ironia është edhe më e madhe, pasi zoti Noni zëvendësoi në këtë detyrë, Genti Raçën, një tjetër zyrtar i ARRSH për të cilin SPAK kërkon dënim.
Nuk dihet cilat ishin aryset që e bindën Ami Kozelin të emërojë zv/drejtor një person për të cilin prokuroria kërkon dënim. Nën zë flitet se zoti Noni ka thënë se do të tregojë shokët, për tenderat e unazës, ndaj gradimi ka qenw nga halli. Këto janë zëra të pakonfirmuar. Por përtej arsyeve, e gjitha është një komedi e madhe.
Në ARRSH janë të gjithë me pretencë dhe nëse zbatohen masat që ka kërkuar SPAK, aty mbeten vetëm një grusht specialistë te shërbimeve mbështetëse, arkiva, protokolli dhe rojet.
/ Marrë nga “kapitali.al“
