“Mezi qeveris vendin tënd, por i jep leksione botës!”- Rama mbështet kandidaten për kreun e OKB-së, kritikohet ashpër në rrjetin X: Shko jep dorëheqjen! Mbro studentët nga policia jote

Edi Rama “Mezi qeveris vendin tënd, por i jep leksione botës!”-
26 Tetor 2026
Një valë komentesh të ashpra dhe akuzash ka shoqëruar postimin e kryeministrit Edi Rama në platformën X, ku ai shprehu mbështetjen e Shqipërisë për kandidaturën e Lana Nusseibeh nga Emiratet e Bashkuara Arabe për postin e Sekretares së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
“Shko jep dorëheqjen, ke shkatërruar vendin tënd!”, “Mezi arrin të qeverisësh vendin tënd, por merr përsipër t’i japësh leksione botës” dhe “Fillo nga gjërat elementare: mbrojtja e të miturve dhe studentëve nga policia jote!”, janë disa prej reagimeve të forta që i janë drejtuar kryeministrit shqiptar.
Ndërsa Rama vlerësonte kandidaturen e Nusseibeh si një “dritë shprese” për Kombet e Bashkuara, disa komentues e kanë akuzuar për gjendjen politike në Shqipëri, dhunën ndaj protestuesve dhe mënyrën e qeverisjes së vendit.
“Nuk ke kurrfarë autoriteti legjitim për të folur në emër të shqiptarëve”, shkruan një tjetër përdorues, ndërsa një komentues tjetër ironizon: “Dikush po përpiqet me të gjitha forcat t’u bëjë përshtypje padronëve të tij! Çfarë turpi!”
Reagimet, disa prej të cilave përmbajnë edhe fyerje personale e akuza të rënda të paverifikuara, tregojnë se postimi diplomatik i kryeministrit është kthyer, për një pjesë të komentuesve, në një mundësi për të shprehur pakënaqësinë ndaj qeverisjes së tij dhe për të kërkuar largimin nga pushteti.

