26 Tetor 2026

Fitorja e studentëve në Serbi pritet të ketë pasoja të rëndësishme jo vetëm për zhvillimet politike në vend, por edhe për praninë dhe aktivitetin e shërbimeve sekrete ruse në Beograd.

Gazetari i njohur investigativ Christo Grozev, i specializuar në hetimin e operacioneve të inteligjencës ruse, ka deklaruar se ndryshimet politike në Serbi mund ta detyrojnë Moskën të gjejë një strehë të re për qindra agjentë të saj, të cilët, sipas tij, kanë vepruar në territorin serb me mbështetjen e strukturave shtetërore të sigurisë.

Përmes një postimi në platformën X, Grozev e cilëson fitoren e studentëve si një zhvillim me pasoja të mëdha për rrjetet e inteligjencës ruse.

“Një pasojë shumë e rëndësishme e fitores së studentëve në Serbi është se inteligjencës ruse do t’i duhet të gjejë një strehë të re për qindra spiunët e saj, të cilët janë vendosur në Serbi, ose që veprojnë me mbështetjen e aparatit të sigurisë serbe, apo madje përdorin pasaporta të lëshuara nga Serbia”, shkruan gazetari investigativ.

Në një reagim të dytë, Grozev ndalet posaçërisht te Aleksandar Vulin, ish-zëvendëskryeministër i Serbisë, të cilin e përshkruan si një figurë kyçe të ndikimit të inteligjencës ruse në Beograd.

“Në veçanti, jam shumë i interesuar të shoh se cili do të jetë fati i Aleksandar Vulinit, zëvendëskryeministër deri vitin e kaluar, i cili ishte de facto rezidenti i inteligjencës ruse në Beograd”, shkruan Grozev.

Gazetari vijon më tej me pretendime mbi lidhjet e Vulinit me shërbimet ruse të sigurisë.

“Ai udhëtonte shpesh së bashku me operativë të FSB-së dhe është dekoruar me ‘Urdhrin e Miqësisë’ të Putinit, në selinë e SVR-së”, thekson ai.

Sipas vlerësimit të gazetarit, një ndryshim i pushtetit dhe i strukturave të sigurisë në Beograd mund të cenojë rrjetet operative që inteligjenca ruse ka ndërtuar në Serbi.