ALARM I KUQ! Agjencia Kombëtare e Mjedisit zbulon skandalin, “Albchrome” depozitoi mbi 300 tonë mbetje toksike në ambient të hapur

Mbi 300 tonë mbetje toksike në ambient të hapur në Papër Elbasan
27 Tetor 2026
Uzina e Ferrokromit në Papër, Elbasan, në pronësi të kompanisë “Albchrome sh.p.k.”, është kthyer në një bombë mjedisore me rrezik të lartë për shëndetin publik. Një kontroll në terren nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit ka zbuluar një skandal të rëndë: operatori metalurgjik ka depozituar në mënyrë të paligjshme qindra ton mbetje toksike tejet helmuese në ambient të hapur, duke provokuar një katastrofë të heshtur mjedisore.
Kapitali publikon ekskluzivisht raportin e kontrollit në subjektin Albchrome me përfaqësuese ligjore administratoren Teuta Ustundag. Raporti i mbajtur nga inspektorët Xhevdet Haxhiaj, Henri Bacinozi, Enver Halipaj, konstaton një genocid të mirëfilltë mjedisor me pasoja fatale për shëndetin e popullatës lokale.
Gjetja më alarmante e inspektimit është konstatimi i mbi 300 ton pluhura të kapura nga filtrat e oxhaqeve, të klasifikuara me kodin e rrezikshëm mjedisor 10 08 15*.
Këto mbetje industriale, të cilat përmbajnë koncentrime të larta të metaleve të rënda, ishin paketuar në thasë të thjeshtë “bigbag” dhe liheshin të stivuara në qiell të hapur prej më shumë se një viti.
Skandali thellohet më tej me menaxhimin e skorjeve të ferrokromit (kodi 10 08 09). Vendepozitimi i tyre masiv është krejtësisht i paizoluar, pa rrethim perimetrik dhe pa asnjë kanalizim mbrojtës.
Në kontakt me shiun dhe agjentët atmosferikë, këto skorje oksidohen në mënyrë të vazhdueshme.
Ujërat e ndotur që gjenerohen nga ky proces, të ngarkuar me mbetje të rrezikshme metalurgjike, rrjedhin jashtë çdo kontrolli, thithen nga toka dhe helmojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë basenet e ujërave nëntokësorë të zonës së Papërit.
OBSH e klasifikon si kancerogjen të Grupit 1
Mbetjet e rrezikshme që lëngojnë në uzinë sulmojnë shëndetin e popullatës përmes dy rrugëve fatale: ajrit dhe ujit. Nga njëra anë, 300 tonët e pluhurit të filtrave (kodi 10 08 15*), të lënë për mbi një vit në thasë të thjeshtë në ajër të hapur, thërrmohen dhe përhapen nga era në atmosferë duke u thithur direkt nga banorët.
Nga ana tjetër, skorjet masive të paizoluara (kodi 10 08 09) shplahen nga shiu, duke bërë që Kromi Heksavalent dhe metalet e rënda të depërtojnë thellë në tokë. Ky proces kontaminon direkt rrjedhat e ujit nëntokësor dhe burimet e zonës, duke bërë që helmet të përfundojnë në ujin e pijshëm dhe në produktet bujqësore që vaditen me to.
Prania e Kromit Heksavalent në ajër dhe në ujë është një alarm i kuq, pasi ky element është i certifikuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) si kancerogjen i Grupit 1.
Pasoja fatale për shëndetin e popullatës
Thithja e pluhurit dhe konsumi i ujit të ndotur shkaktojnë direkt kancer të mushkërive, si dhe rritin ndjeshëm rrezikun për kancer të stomakut, mëlçisë dhe veshkave.
Përveç rrezikut tumoral, ekspozimi i vazhdueshëm ndaj këtyre mbetjeve shkakton dëmtime të rënda të rrugëve respiratore – si bronkit kronik dhe fibroza të pakthyeshme – si dhe mbart veti mutagjene që dëmtojnë direkt ADN-në, duke shfaqur rreziqe serioze riprodhuese për gratë shtatzëna.
Së fundmi, përdorimi i thjeshtë i ujit të kontaminuar provokon pezmatim të rëndë të lëkurës (dermatit), alergji të forta mjedisore dhe ulçera të hapura dermale që kurohen me mjaft vështirësi.
Banorët e Papërit dhe Elbasanit po thithin dhe pinë pa e ditur një helm që qëndron i stivuar në qiell të hapur prej më shumë se një viti.
Kaos mjedisor dhe instalime të fshehura
Dokumentet e AKM-së dëshmojnë një anarki të plotë brenda rrethimit të uzinës. Albchrome ka operuar në mënyrë të fshehtë një stacion të tërë karburanti (pika ID 1.10) pa e deklaruar dhe pa e përfshirë fare në lejen e mjedisit.
Gjithashtu, pranë depozitës së naftës – e cila nuk ka as argjinaturë mbrojtëse për rreziqet e rjedhjes – inspektorët gjetën maku lëndësh skrapi dhe mbetje bidonash plastikë të hedhur pa asnjë lloj ndarjeje apo kriteri mjedisor.
Faktet e zbuluara në Papër tregojnë qartë se si operon industria e rëndë kur fitimi i biznesit vihet përpara sigurisë së jetës së banorëve dhe mbrojtjes së mjedisit


