Ergis Sefa

27 Tetor 2026

Eksperti i ekonomisë, Ergis Sefa, analizoi problematikat strukturore me të cilat përballet ekonomia shqiptare, duke theksuar se vështirësitë social-ekonomike të vendit janë akumuluar ndër dekada dhe shkojnë përtej ndarjeve politike.

I ftuar në emisionin “Pika mbi i” në Ora News, Sefa u shpreh se këto probleme i kanë fillesat në periudhën 1998-1999, me nisjen e privatizimeve masive, ndërsa ndër vite janë thelluar, duke sjellë rritjen e tensionit social.

Sipas ekspertit, ndër shqetësimet kryesore të vendit janë plakja e shpejtë e popullsisë, emigracioni i të rinjve, tkurrja e sektorëve prodhues dhe niveli i ulët i produktivitetit të punës.

“Ne kemi një problem të madh demografik, sepse jemi një vend në plakje të shpejtë, shumë të shpejtë, edhe sikur të heqim emigracionin, shifrat janë shumë të qarta”, u shpreh Sefa, duke shtuar se që prej vitit 2008 lindjet janë barazuar me vdekjet dhe më pas kanë shënuar rënie.

Një tjetër problem që ai evidentoi është dobësimi i sektorëve prodhues të ekonomisë, të cilët, sipas tij, janë zvogëluar prej rreth 20 vitesh. Sefa theksoi gjithashtu se Shqipëria përballet me vështirësi në rritjen e produktivitetit dhe në aftësinë për të qenë inovative krahasuar me vendet e tjera të rajonit.

Duke iu referuar të dhënave që përmendi gjatë diskutimit, eksperti tha se rritja e produktivitetit të punës në Shqipëri është 2.4%, ndërsa për Kosovën përmendi shifrën 2.5%, duke nënvizuar diferencat në performancën ekonomike të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Sipas Sefës, sfidat kryesore nuk lidhen vetëm me përplasjet mes krahëve politikë, por me mënyrën se si është strukturuar ekonomia dhe me aftësinë e saj për t’iu përgjigjur nevojave të grupeve të ndryshme shoqërore.