11 Shtator 2026

Avokati Altin Goxhaj ka deklaruar se ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku i ka bërë presion kryeministrit Edi Rama lidhur me mundësinë e arrestimit të saj, duke i lënë të kuptohet se në një situatë të tillë ajo mund të bashkëpunojë me drejtësinë dhe të japë informacione që lidhen me kreun e qeverisë. Sipas Goxhajt, Balluku i ka thënë Ramës se përgjegjësia për një arrestim të saj do të binte edhe mbi të. “Belinda i ka thënë Ramës në momentin që unë arrestohem, mua m’i hedhin çelësat në det.

E vetmja mënyrë që unë të mos arrestohem je vetëm ti. Pra, ta mbash ti koston. Nëse unë do të arrestohem, ‘ti do të varrosesh në çast’, pasi unë kam informacion të mjaftueshëm dhe do të bëhem bashkëpunëtore e drejtësisë kundër teje. Katër ministra i ka caktuar ‘Bela’. Drejtorin e Policisë e ka caktuar ajo. Kryeministrja aktuale është Balluku. Rama tani është një peng i saj. Në një kuptim, Rama është i detyruar të mbrojë Belën. Është vendosur drejtori i saj në polici që ai të mos e arrestojë. Ndaj dhe SPAK tha që në arrestimet do t’i bëjmë me BKH, jo nëpërmjet Policisë së Shtetit. Pra, me dy fjalë, Bela nuk mund të arrestohet. Ajo i thotë Ramës: ‘Po u futa unë brenda, u dogje’. Pra, ajo e ka marrë peng Edi Ramën”, u shpreh avokati Altin Goxhaj.

Protesta

Në vijim të deklaratave për situatën politike, Goxhaj ka reaguar edhe për zhvillimet në protestë, duke kundërshtuar bllokimin e rrugëve dhe duke argumentuar se fokusi duhet të jetë te rrethimi i Kryeministrisë dhe bllokimi i institucioneve politike. Sipas tij, bllokimi i rrugëve synon të krijojë përplasje mes protestuesve dhe qytetarëve. “Jo të bllokimit të rrugëve kundër qytetarëve, po rrethimit të Kryeministrisë dhe bllokimit të Parlamentit. Bllokimi i rrugëve është diversion i njerëzve të infiltruar të Policisë.

Diversantët e Policisë në protestë, që çuditërisht janë të lidhur edhe me Alfred Cakon, si ‘Banda e Fundit’ etj., duan të prodhojnë një konflikt të ri midis qytetarëve, pasi dështuan ta prodhojnë midis protestuesve, dhe këtë duan ta bëjnë duke bllokuar rrugët. Madje, nesër në orën 18:00 pasdite duan që të nisin bllokimin e rrugëve. Aktualisht ne jemi ende pak, se ende nuk ka nisur jeta aktive në Tiranë, që kulmon me hapjen e universiteteve më 5 tetor, që do të jetë edhe Dita e Parë e Mosbindjes Civile, që do të nisë me marshimin e studentëve.

Kjo tmerron Ramën dhe ka dhënë urdhër për shkatërrimin e ritualit të ri të rrethimit të Kryeministrisë dhe po kërkon të nxisë konflikt midis protestuesve dhe qytetarëve, që të ndajë ‘protestuesin’ nga ‘qytetari’. Kjo nuk ka asnjë lidhje me protestën, por është diversion i Ramës kundër protestës.

Mos u bashkoni me ata që shkaktuan për tri javë incidente të dhunshme midis protestuesve dhe sot, pas dështimit, kanë marrë mision të ri. Distancohuni nga ata. Ne nuk kemi bllokim rrugësh ndaj qytetarëve, por ndaj deputetëve dhe politikanëve. Nesër në orën 19:00, në Sheshin Skënderbej, nisim marshimin drejt Kryeministrisë dhe do të rrethojmë Kryeministrinë si çdo natë dhe, kur të ketë ngjarje si seanca apo mbledhje qeveritare, do të armatosemi me vezë dhe domate”, ka deklaruar Goxhaj.