Për fenë e ministrave dhe politikanëve. –

Feja e ministrave është çështje private e tyre. Ajo nuk duhet të bëhet publike dhe të informojë gjykimin tonë (pozitiv apo negativ qoftë) për ta. Ka tashmë disa shekuj që politika është ndarë edhe prej fesë edhe prej moralit fetar – të paktën në vendet që i marrim si model për t’u zhvilluar: Europë dhe Amerikë.

Nga Klementin Mile.

Që prej emërimit si ministër i Brendshëm të gjeneral Sandër Lleshit janë botuar disa shkrime në media që e identifikojnë atë si katolik. Këto shkrime kanë ardhur nga pena të njohura të medias sonë si Agron Gjekmarkaj, Alfred Lela dhe Frano Kulli. Pavarësisht mesazheve deri diku të ndryshme që përcjellin, këto shkrime vendosin një lidhje ndërmjet identitetit fetar të Sandër Lleshit dhe përdorimit politik të këtij identiteti. Këtë përdorim politik, natyrisht, duket ta ndihmojë edhe fakti i karrierës së admirueshme ushtarake të ish-gjeneralit.

Patjetër që ka mënyra të ndryshme për ta identifikuar një person. Për shembull mund ta cilësosh ushtarak të aftë, katolik të mirë, familjar të nderuar, politikan race, konservator të devotshëm e kështu me radhë. Por kur bëhet fjalë për të cilësuar një ministër duhet të jemi shumë herë më të kujdesshëm. Në këtë rast identifikimi mund të provokojë reagime ndjeshmërie të lartë nga publiku, pasi çështjet identitare janë zakonisht të tilla.

Ç’do të ndodhte sikur të harronim një moment identitetet e tjera të ministrave të qeverisë Rama dhe të merreshim ekskluzivisht me fenë e tyre? A nuk do të gatuanim kështu një çorbë ku do ishte e vështirë të dallohej politikja prej fetares? A nuk do të “zbulonim” intriga dhe skenarë në favor të një feje dhe në dëm të ndonjë tjetre? A nuk do të dallonim te puna e ndonjërit prej ministrave shenjën e fesë superiore të tij dhe te puna e ndonjë ministri tjetër markën e fesë inferiore? A nuk do ishim në rrezik ta zëvendësonim partizanizmin politik me sektarizmin fetar?

Feja e ministrave është çështje private e tyre. Ajo nuk duhet të bëhet publike dhe të informojë gjykimin tonë (pozitiv apo negativ qoftë) për ta. Ka tashmë disa shekuj që politika është ndarë edhe prej fesë edhe prej moralit fetar – të paktën në vendet që i marrim si model për t’u zhvilluar: Europë dhe Amerikë. Prej këtyre vendeve kemi mësuar që politika në demokraci është sistem autonom, që i kultivon vlerat politike sipas logjikës së vet, të dallueshme nga logjikat e tjera, si p.sh. ekonomike, mediatike apo fetare. Thelbi i modernitetit ngrihet pikërisht mbi këtë ndarje autonome aktivitetesh. Ta përziesh politikën me fenë, ta identifikosh politikanin si katolik, do të thotë të hedhësh hapa prapa drejt paramodernitetit.

Politika demokratike është konceptualisht e varur nga ruajtja e dallimit qeveri/opozitë. Politika ka programe dhe mekanizma, të tillë si oferta elektorale e partive dhe zgjedhjet, për të përcaktuar se si dikush bëhet qeveritar (dhe mban pushtetin) dhe se si dikush tjetër bëhet opozitar (dhe synon pushtetin). Nëse këtij dallimi politik i suplementohet ndonjë dallim tjetër, i tipit katolik/jokatolik, atëherë politika bie në krizë konceptuale. Nëse themi që Sandër Lleshi është qeveritar katolik, cili term rëndon më tepër, qeveritar apo katolik? Dhe nëse themi që Jozefina Topalli është opozitare katolike, prapë shtrohet e njëjta pyetje: ka më tepër rëndësi përkatësia fetare apo politike e personit?

Është e sigurt që Sandër Lleshi, si ministër, nuk ka nevojë për kredenciale fetare, pasi i ka me tepri dekoratat si ushtarak dhe gëzon emër mjaft të mirë ndër ata që e njohin. As komunitetit katolik nuk i nevojitet përfaqësim qeveritar “prej njërit prej tyre”, por prej një ministri të Brendshëm që respekton Kushtetutën dhe ligjet në mënyrë rigoroze, të ndershme dhe të paanshme. Mbi të gjitha, frymës së harmonisë ndërfetare në vend nuk i duhet aspak identifikimi fetar i politikanëve, ministrave dhe zyrtarëve të shtetit.

Gazeta MAPO.