20 Shtator 2026

Revolucioni Flamingo i Shqipërisë shkon në Bienalen Ndërkombëtare të Arkitekturës së Roterdamit 2026, 18 shtator – 29 nëntor 2026.

Kolektivi Artistët dhe Arkitektët Shqiptarë për Revolucionin Flamingo prezanton në Roterdam, “Ata thonë ‘Zhvillim’, Ne themi ‘Grabitje Toke’”, një ndërhyrje hapësinore që sjell zërin dhe materien e Revolucionit Flamingo në Bienale, drejtpërdrejt nga Shqipëria. Ndërsa prej pothuaj 4 muajsh, shqiptarët kanë mbushur rrugët çdo ditë, në një lëvizje që tashmë njihet si Revolucioni Flamingo, nxitur fillimisht nga planet për ndërtimin e një resorti brenda një lagune të mbrojtur, banesë e flamingove dhe specieve te tjera, protesta është shtrirë përtej refuzimit të një projekti të vetëm, duke u shndërruar kështu në një revoltë më të gjerë kundër agjendës së zhvillimit të Kryeministrit Edi Rama, model ku interesat publike sakrifikohen gjithnjë e më shume në favor të elitave të tjera.

Artistët që paraqesin veprën e tyre ne Bienalen e Roterdamit, shfaqin materiale nga terreni të krijuara nga protestuesit gjatë protestave si pankarta origjinale përdorur në protestë (10 x 2 m), valëvitur nga aktivistët e Revolucionit Flamingo, përgjatë brigjeve të kërcënuara të Zvërnecit dhe ishullit të Sazanit, një tufë flamigosh – flamingo origjinale polistireni përdorur çdo natë nga protestuesit gjatë demonstratave si edhe kartolina nga Shqipëria – nje grup kartolinash të cilat vizitorët janë të ftuar t’i dërgojnë drejt përfaqësueseve të BE-së, duke kërkuar shfuqizimin e Ligjit 21/2024, legjislacion që ka bërë të mundur ekspozimin e parqeve kombëtare dhe zonave të mbrojtura ndaj projekteve të mëdha turistike dhe infrastrukturore.

Kolektivi e përdor hapësirën dhe kohën e Bienales si zgjatim mbështetjeje, si një mënyrë për ta bartur më tej lëvizjen dhe për ta lejuar atë të rrugëtojë përtej kufijve të Shqipërisë. Pyetja kryesore qe kolektivi ngre është: “Përtej thjesht përfaqësimit të lëvizjes Flamingo, si mundet një bienale arkitekture të mbështes një lëvizje që tashmë po prodhon format e veta të njohurive hapësinore, organizimit dhe rezistencës?”.

Kolektivi Artistët dhe Arkitektët Shqiptarë për Revolucionin Flamingo (AAAFR) është një grup fluid artistësh, arkitektësh dhe aktivistësh, që zuri fill në rrugët e Tiranës dhe të qyteteve të tjera përmes angazhimit të përditshëm me protestat, qysh kur nisi lëvizja. Bienalja Ndërkombëtare e Arkitekturës në Roterdam, është një institucion kulturor që nxit dialogun mbi çështjet bashkëkohore hapësinore dhe organizon çdo dy vjet edicionet e saj tematike.