Dua, Film-Kosovar

20 Shtator 2026

Historia e Duas, një vajze 13-vjeçare që detyrohet të rritet për shkak të luftës, u shfaq në Tiranë përmes filmit me të njëjtin titull, në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut, organizuar nga Akademia e Filmit dhe Multimedias Marubi. Filmi, përfaqësues i Kosovës në Oscar, është pjesë e 72 festivaleve ndërkombëtare. Është po aq një film personal për një brez të tërë. Producenti Valon Bajgora, ndau përvojën dhe misionin e filmit.

“Është një film me interes të veçantë sepse bazohet në ngjarje të vërteta, tregimi i karakterit Dua, është regjisorja dhe jeta e saj, por edhe e jona si brez. Tani, kur po gjykohet lufta për liri e pavarësi, është më e rëndësishme të tregohen këta filma. Është detyrë e jona si kineastë që përmes filmave të komunikojmë jo vetëm me shqiptarët por përmes tyre të kuptojë edhe bota, të kuptohen sakrificat dhe ëndrrat e mungesa e të drejtave”, tha ai.

Ndërsa Kosova po përballet me reagime të forta, pas dënimit në Hagë te 4 komandantëve të UÇK-së, mesazhi i artit shkon paralel me atë të shqiptarëve të Kosovës.

“Filmi është për ëndrrën e dashurinë, shpresën e muzikën e çdo gjë që kemi ndjerë ose kemi dashur të shprehim. Ndodh në një ambient që ka qenë i tensionuar dhe në luftë. Për lirinë për t’u shprehur, lirinë për të pasur shkolla, gjuhën tënde, të kesh ëndrrat e tua. Arti e ka luajtur këtë rol dhe përmes tij arrijmë nëpër qarqe që nuk i arrin ndryshe.

E arrin sovranin.

Situata në Kosovë e padrejtë po nuk është se s’jemi mësuar të mos rezistojmë ndaj tyre, e historia tregon se dalim përfundim dalim fitimtar dhe kjo do ketë përfundim pozitiv për ne”, tha Bajgora.

Festivali i Filmit Ndërkombëtar për të Drejtat e Njeriut shfaqi 39 filma, që prekin tema dhe shtete të ndryshme, ku shteti shtyp individin.