Shtatorja e Mbretëreshës Teuta ka ngjallur interesin dhe kureshtjen por edhe vëmendjen e faqeve dhe mediave të ndryshme në Kroaci e Greqi.

TEUTA
20 Shtator 2026
Shtatorja e Mbretëreshës Teuta ka ngjallur jo vetëm interesin dhe kureshtjen e shumë turistëve vendas e të huaj, por edhe vëmendjen e faqeve dhe mediave të ndryshme në Kroaci e Greqi.
Më vjen mirë që po i rikthehemi disa prej gjurmëve të rëndësishme të historisë sonë. Shpresoj që kjo të jetë vetëm një prej shumë nismave që do të na rikthejnë te figurat, ngjarjet dhe dëshmitë që meritojnë të jenë pjesë e hapësirës sonë publike.
Kemi figura të rëndësishme që meritojnë të gjejnë vendin e tyre. Mbretër të fuqishëm, mbretëresha, burra e gra që kanë lënë gjurmë dhe pas tyre kanë histori të mëdha për t’u treguar. Uroj që të kemi gjithnjë e më shumë vepra që i sjellin këto figura pranë njerëzve dhe, mbi të gjitha, pranë brezave të rinj.
Sepse historia nuk është vetëm ajo që lexojmë në libra. Është edhe ajo që shohim, prekim dhe kujtojmë në hapësirat ku jetojmë.
Dhe ne kemi nevojë ta njohim, ta ruajmë dhe ta nderojmë historinë tonë.
Kjo vepër është rezultat i një pune katërvjeçare, në të cilën janë përfshirë njerëz që kanë sjellë dijen, përvojën dhe përkushtimin e tyre. Për këtë arsye, mirënjohja ime shkon për të gjithë ata që kontribuuan në realizimin e saj.
Një falënderim i veçantë për profesorët e nderuar Mumtas Dhrami, Thoma Thomai dhe Artan Peqini, pjesëtarë të jurisë, të cilët përzgjodhën dhe ndoqën nga afër veprën e realizuar nga skulptori Julian Muçollari.
Faleminderit arkeologëve Neritan Ceka, Skënder Muçaj, Suela Xhyheri e të tjerëve, të cilët kanë qenë konsulentë të çdo detaji shkencor të kësaj vepre.
Mirënjohje edhe për historianin e nderuar, mikun dhe dashamirësin Paulin Zefi, për kontributin dhe pasionin e tij në këtë rrugëtim.

Shtatorja e Mbretëreshës Teuta
Një falënderim i veçantë shkon edhe për Kryetarin e Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, i cili i hapi rrugën realizimit dhe vendosjes së kësaj shtatoreje, e cila kishte përfunduar disa vite më parë.
Faleminderit çdo shqiptari të mirë që u bë pjesë e kësaj nisme dhe, veçanërisht, miqve të afërt Behlul Gashi, Mevlan Mata, Albin Laci, Vilson Dautaj dhe Klodian Marku. Pa mbështetjen e tyre, konkretizimi i këtij projekti do të kishte qenë shumë më i vështirë.
Jemi përpjekur të bëjmë më të mirën për t’i dhënë vendit një vlerë që shkon përtej një vepre monumentale. Një vlerë që lidhet me kujtesën dhe me figurën e një gruaje që i përket një prej periudhave më të rëndësishme të historisë së lashtë të këtyre trojeve.
Teuta mbetet një figurë historike që kërkon të shihet përtej rrëfimeve të njëanshme të vetëm një burimi të lashtë. Pikërisht për këtë arsye, historia kërkon kërkim, dokumentim dhe lexim kritik të burimeve. Historinë nuk mund ta bëjë një historian i lashtë oborri!
Sot, më shumë se sa të japim një portret të vetëm të Teutës, kemi detyrimin të krijojmë hapësirë për ta njohur më mirë atë dhe gjithë historinë që e rrethon.
Shpresoj që kjo shtatore të jetë vetëm fillimi i shumë veprave të tjera. Jo për t’u bërë butaforikë, as për të krijuar një të shkuar të sajuar, por për të sjellë me dinjitet në hapësirën publike rrënjët, figurat dhe historinë e një populli.
Sepse një popull që njeh dhe nderon historinë e tij, nuk jeton vetëm me të shkuarën. Ai kujdeset edhe për mënyrën se si do ta ndërtojë të ardhmen
Nga Marin Mema
