Ne Muzeun e Lushnjës

20 Shtator 2026

Një aktivitet i mbajtur në mjediset e Bibliotekës, brenda godinës së Muzeut të qytetit të Lushnjës, ka shkaktuar reagimin e ashpër të deputetit të Partisë Demokratike, Saimir Korreshi.

Sipas tij në këtë ngjarje të administruar nga Bashkia është duartrokitur dhe është kënduar për diktatorin, me vargjet: “Për Enverin yll e dritë… Qajnë pleqtë qajnë të rinjtë”. E gjithë kjo ngjarje, mësohet se është zhvilluar në prani të kryetares së Bashkisë, Eriselda Sefa, e cila ka marrë edhe fjalën.

Postimi i Saimir Korreshit:

“Në mjedisin e Bibliotekës, brenda godinës së Muzeut të qytetit, i cili administrohet nga Bashkia Lushnjë – glorifikohet diktatori, i këndohet dhe duartrokitet.

Kjo në prani të kryetares së Bashkisë, e cila ka marrë dhe fjalën.

Një turp i madh, një skandal bashkiak!

Kryetarja e Bashkisë së Lushnjës, shoqja Eriselda Sefa, duhet të dalë e të kërkojë ndjesë publike përballë qytetarëve dhe të përndjekurve, të cilët edhe sot e kësaj dite nuk gjejnë dot eshtrat e familjarëve të tyre nga bëmat e diktatorit.

Dhe me një akt duhet të shkarkojë të gjithë organizatorët publikë që paguhen nga taksat tona, të cilat kanë lejuar glorifikimin e diktatorit“, shkruan deputeti.

***

Çfarë po ndodh me muzeumet: Pas ngjarjes së Muzeut në Gjirokaster me figurën e Çerçiz Topullit ja dhe në Muzeun e Lushnjes.