Serverët e dhuruar nga BE-ja dhe sistemi ALIS, që mundëson shërbime digjitale të Bibliotekës Kombëtare, jashtë funksionit

Biblioteka-Kombetare Tiranë
20 Shtator 2026
Nga Julia VRAPI
Biblioteka Kombëtare është institucioni që administron, ruan dhe pasuron fondin bibliografik dhe trashëgiminë e shkruar në vend, por krahas mungesës së hapësirave për fondet, përballet edhe me problematika në funksionimin e sistemeve dhe infrastrukturës digjitale. Sistemi i digjitalizimit të Bibliotekës Kombëtare, ALIS, dhe serverë te dhuruar nga Bashkimi Evropian kanë mbetur jashtë funksionit. Problematika u ngrit në Komisionin Parlamentar të Kulturës, ku përfaqësuesit e Bibliotekës Kombëtare shpjeguan situatën e krijuar dhe problematikat që lidhen me funksionimin e sistemeve. ALIS është sistemi përmes të cilit realizohen katalogimi dhe pasurimi i fondit të Bibliotekës Kombëtare, administrimi i periodikëve, anëtarësimi, huazimi dhe raportimi.
Të dhënat bibliografike të fondit janë të aksesueshme për publikun përmes katalogut online OPAC, ndërsa ALIS ndërvepron me portalin e-Albania për ofrimin elektronik të disa prej shërbimeve të Bibliotekës Kombëtare. Në Komisionin Parlamentar për Kulturën, përfaqësuesi i Bibliotekës Kombëtare, Besmir Lumani, u ndal te problematika e funksionimit të sistemit ALIS.
“Ky sistem ka dy vjet që është jashtë funksionit, sepse ka mbaruar kontrata e shërbimit midis AKSHI-t dhe operatorit ekonomik fitues”, tha Lumani. Më tej shpjegoi gjithashtu se serverët e dhuruar nga Bashkimi Evropian përmes programit UNOPS nuk janë vënë ende në funksion, duke e lidhur këtë problem me procesin e digjitalizimit dhe me memorien e brendshme të sistemit. “Serverat që janë dhuruar nga UNOPS nuk janë vënë në funksion, kjo ka të bëjë me digjitalizimin dhe me memorien e brendshme. AKSHI ka një pikë që ka nxjerrë jashtë përdorimi hard disqet e jashtme që nuk lejohen që të futen dhe të ruhen materialet bibliotekare”, vijoi ai.
Kërkesë për ndërhyrje për vënien në funksion të serverëve të bibliotekës
Kryetarja e Komisionit për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën Ina Zhupa, kërkoi që çështja t’i përcillet zyrtarisht Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI)përmes një kërkese të komisionit. Ajo kërkoi nisjen e një komunikimi institucional për të shqyrtuar problematikën e serverëve të dhuruar për Bibliotekën Kombëtare.
“Si komision, me njohjen e kësaj problematike, t’i drejtohemi AKSHI-t me një kërkesë zyrtare, në mënyrë që të fillojmë një komunikim me ta dhe ta shtyjmë më tej këtë çështje, sepse bëhet fjalë për kulturën kombëtare, për identitetin. Biblioteka u shërben qytetarëve shqiptarë. Unë e shikoj të paarsyeshme që këta servera të dhuruar Bibliotekës Kombëtare, që mund të kishte ngritur kapacitetet vetë, brenda përbrenda, me specialistët e saj për t’i vënë në funksion, t’i jepen AKSHI-t.
Nuk u bie mendja që të merren me bibliotekën”, u shpreh Zhupa, ndër të tjera, në fjalën e saj. Problemet me Bibliotekën Kombëtare, përfshirë mungesën e hapësirave për fondet e librave janë bërë me dije edhe më parë, ndërsa së fundmi në Komisionin Parlamentar të Kulturës u ngritën edhe problematikat që lidhen me sistemet digjitale. Çështjet e evidentuara lidhen me funksionimin e infrastrukturës digjitale dhe kërkojnë zgjidhje për vijimin normal të këtyre proceseve.
