Izraeli kërkon “kompensim” nga SHBA, rriten tensionet mes aleatëve

19 shtator 2026
Izraeli pritet t’i kërkojë Shteteve të Bashkuara pajisje dhe kapacitete shtesë ushtarake, në kuadër të një “kompensimi” pas miratimit nga Washingtoni të shitjes së avionëve luftarakë F-35 për Arabinë Saudite.
Sipas medias izraelite Walla, Tel Avivi synon të kërkojë sisteme armësh që administrata e presidentit amerikan Donald Trump kishte refuzuar më herët t’i miratonte.Kërkesat e Izraelit pritet të shkojnë përtej avionëve të avancuar luftarakë dhe teknologjisë stealth. Sipas raportit, në fokus janë edhe armët me bazë në hapësirë, si dhe zhvillimi dhe prodhimi i sistemeve të reja për interceptimin e kërcënimeve.
Në listën e pajisjeve që mund të kërkohen përfshihen edhe municione për depërtimin e bunkerëve dhe sisteme nëntokësore të afta të operojnë në thellësi të mëdha nën formacione shkëmbore.Kjo kërkesë lidhet me shqetësimet e Izraelit pas vendimit amerikan për shitjen e avionëve F-35 Arabisë Saudite. Të enjten, Departamenti amerikan i Shtetit miratoi një shitje të mundshme në vlerën 24.3 miliardë dollarë, që përfshin 48 avionë F-35. Marrëveshja duhet ende të kalojë procesin e shqyrtimit në Kongresin amerikan.
Paketa e propozuar përfshin gjithashtu 49 motorë Pratt & Whitney F135-PW-100, pajisje për komunikime të sigurta, sisteme për luftën elektronike, trajnime dhe mbështetje logjistike.
Nëse marrëveshja finalizohet, Arabia Saudite do të bëhej vendi i parë arab që operon avionë F-35, ndërsa Izraeli është aktualisht i vetmi shtet në Lindjen e Mesme që i përdor këto avionë.
Çështja vjen në një moment kur marrëdhëniet mes Izraelit dhe Arabisë Saudite mbeten të lidhura me çështjen palestineze. Riadi ka deklaruar se normalizimi i marrëdhënieve me Izraelin lidhet me krijimin e një shteti palestinez përgjatë kufijve të vitit 1967, një qëndrim që Izraeli e kundërshton.
