Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore ka publikuar disa foto nga shtëpia e rrënuar e Selam Musait, heroit të luftës së Vlorës që ra dëshmor më 1920, dhe shkruan se është një gërmadhë kur duhet të ishte kthyer në muze. Për Forumin, Ministria e Kulturës është kthyer në një Ministri Ndërtimi apo Ministri PPP, kur duhej të kishte vëmendje për ruajtjen dhe restaurimin e monumenteve të kulturës. Forumi ironizon ministren Kumbaro, trashëgimia në dorë të Qerimesë që vetëm heq nga lista objektet monument kulture. “Trashëgimia jonë është katandisur në dorën e Qerimesë, që e ka mendjen veç për ndërtime në zona arkeologjike (siç bëri me Akropolin e Butrintit, me Durrësin në kantierin Veliera, me ndërtimin në Kalanë e Tiranës).

Ministria e Qerimesë vret mendjen veç për të hequr objekte të trashëgimisë nga lista e trashëgimisë; e bëri me banesat në Gjirokastër, me Stadiumin në Tiranë, me Teatrin Kombëtar. A thua se është kthyer në Ministri Ndërtimi, apo Ministri PPP”, shkruan Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë.