28 Shtator 2026

Avokati Spartak Ngjela mbrojtes në të shkuaren për Ramën ka reaguar pas intervistës publike të kryeministrit Edi Rama, ku ky i fundit foli për goditjet e SPAK ndaj vartësve të tij. Në një status në rrjetet sociale, Ngjela e interpreton daljen publike të Ramës si një shenjë shqetësimi të kryeministrit për zhvillimet e hetimeve të drejtësisë dhe ngre pikëpyetje mbi atë se deri ku mund të shkojë një proces penal që prek anëtarë të qeverisë.

Sipas Ngjelës, shqetësimi i Ramës nuk lidhet vetëm me fatin e ministrave nën akuzë, por edhe me pasojat që mund të ketë procesi për vetë kryeministrin. Ai argumenton se një prej pikave që duhet ndjekur është ajo që mund të deklarojnë gjatë proceseve personat e akuzuar dhe të arrestuar në kuadër të hetimeve kundër zyrtarëve të qeverisë.

Ngjela thotë se aktualisht nuk mund të ngrihet një akuzë ndaj Ramës, pasi SPAK nuk ka bërë një deklarim të tillë. Ai thekson se gjithçka duhet të mbështetet te provat dhe te zhvillimi i procesit penal, deri në një vendim përfundimtar të gjykatës.

Në të njëjtën kohë, Ngjela shprehet se mënyra se si Rama u shfaq publikisht, sipas interpretimit të tij, ishte më shumë politike dhe psikologjike sesa juridike. Ai ngre pyetjen nëse kryeministri po përpiqet të ushtrojë presion publik ndaj SPAK dhe nëse kjo strategji mund të ketë efekt.

Më poshtë është deklarata e plotë e Spartak Ngjelës:

“Po dëgjoj intervistën publike të kryeministrit Edi Rama, për arrestin dhe padinë penale kundër ministres së tij. Kuptohet: ai është i shqetësuar, por jo i trembur nga frika. Por ajo që kuptohet nga apologjia e Ramës për ministrat e tij nën akuzë, është fakti që kuptohet se Rama është i shqetësuar, jo për ministrat nën akuzë, por nga një shqetësim personal, dhe jo me një shqetësim për shtetin dhe historinë që po vjen e po ecën si luftë antikorrupsion, por për veten e tij. Dhe deri këtu, ai ka të drejtë. Të shohim.

Por SPAK, siç duket, po i afrohet kryeministrit Rama. Këtu është edhe shqetësimi i Ramës që tregoi ai sot kur u shfaq në TV. Por Rama, siç duket, ende nuk e di që, kur hetimin e drejton një organ i pakorruptuar, drejtësia ecën nëpërmjet provës dhe jo interesit të pushtetit apo kapitalit që blen drejtësinë. Çfarë i mungoi Ramës në intervistën kundër SPAK që ai sapo e mbaroi? Ramës i mungon aftësia profesionale e një avokati që po mbron vetveten, por ama përpara një akuze kundër ministres së tij, e cila mund të shkojë deri te kryeministri Rama.

Ajo që Rama nuk e fshehte dot në apologjinë e tij që ai bëri sot, ishte siguria personale, të cilën kuptohej se nuk e kishte humbur krejtësisht, edhe pse ishte nën shqetësim. Por u kuptua kur nuk e tha më arsyen e tij të thellë juridiko-penale, të cilën ai e ka shprehur botërisht: Akuza është personale. Aktualisht kuptohet se kryeministrit po i mungon siguria personale, sepse, siç duket, nuk e di se çfarë do të depozitojnë të akuzuarit e qeverisë së tij, të cilët janë nën akuzë penale për korrupsion.

Por ai duhet të jetë i përgatitur me avokatë të mëdhenj që dinë të operojnë me faktet, me sigurinë e një logjike matematike, në funksion të provës. Por, për shqetësimin e Edi Ramës si kryeministër i Shqipërisë, ne e pamë se ai shqetësim i tij nuk ishte te arsyeja e provës për bashkëqeveritarët e tij të akuzuar, dhe prandaj ishte jashtë sistemit juridik të provës; por ama Rama u kuptua se ai ishte në koshiencën e një kryeministri që po kërkon të trembë SPAK. Por, a do ta bëjë dot? Me atë retorikë psikologjike dhe jo juridike, mendoj se Rama i ka zhgënjyer edhe ekspertët ndërkombëtarë që po e ndjekin këtë proces.

Por gjithsesi, ne duhet ta theksojmë se ende jemi në një parashikim dhe jo te fakti apo te provat e procesit penal kundër ministres së Ramës. Gjithsesi, nën një proces historik, në proceset penale si ky proces penal që ne po flasim, provat kundër një qeverie të akuzuar për korrupsion sigurisht që, hap pas hapi, duhet t’i paraqiten hapur opinionit publik në Shqipëri.

Por pyetja thelbësore për këtë çështje është kjo: Po Rama, a është një kryeministër i korruptuar? Derisa SPAK nuk ka folur ende për të, unë nuk kam se çfarë të them. Por unë e di që një kryeministër i aftë që vjen nga jurisprudenca, vepron dhe operon logjikisht me provën e akuzës, por jo me forcën e pushtetit, me të cilën ai mundi të trembë akuzën.

Por na duhet të theksojmë se: Koha politike, në shtetet dhe shoqëritë e korruptuara, çdo kryeministër kështu ka ecur para gjykatës ku ai akuzohet: Rama është në një mbrojtje arkaike të vetes, por me gjuhën e një kryeministri që po u thotë kundërshtarëve të vet: forca e shtetit tonë ende qëndron tek unë.

Asgjë. Fakti që po ndihet i shqetësuar, Rama na jep të kuptuar që qenia e akuzës penale nga SPAK kundër qeverisë Rama duhet të jetë me provat e duhura. Por gjithsesi, këto nuk mjaftojnë për akuzën kundër Kryeministrit të Shqipërisë. Prandaj gjithçka duhet dëgjuar nga procesi penal para gjykatës që do ta gjykojë këtë çështje deri në dhënien e vendimit penal. Të shohim!”.