Belina Balluku

11 Nëntor 2026

Dy drejtorë institucionesh në varësinë e ministrisë që dikur e drejtonte Belinda Balluku kanë dhënë dorëheqjen. Bëhet fjalë për Maksim Et’hemaj, i cili është larguar nga detyra e Drejtorit Ekzekutiv të Autoritetit të Aviacionit Civil, institucion që e drejtonte prej fundit të vitit 2021. Në vend të tij është emëruar Dritan Isaku, i cili ishte në krye të Albcontrolit.

Po ashtu edhe Viola Haxhiademi ka dhënë dorëheqjen nga drejtimi i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH). Dorëheqjen nga drejtimi i Autoritetit Portual Durrës edhe Liburn Aliu dhe në vend të tij u emërua Andrea Shllaku. Dorëheqjet vijnë pas urdhrit të kryeministrit Edi Rama, i cili kërkoi që drejtuesit e 132 institucioneve të largoheshin. Ndërkohë kujtojmë që emrat e Viola Haxhiademit dhe Maksim Et’hemajt kanë dalë në dosjen e Belinda Ballukut.

Grupi “Dhërmiut” në aplikacionin WhatsApp dhe pasuritë në “White Rocks”

Sipas dokumenteve hetimore të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), një nga linjat kryesore të hetimeve përqendrohet te verifikimi i pronave, njësive të banimit dhe vilave luksoze në kompleksin turistik rezidencial “White Rocks” në Dhërmi. Gjatë këqyrjes së mjeteve të komunikimit digjital, hetuesit e posaçëm zbuluan ekzistencën e një grupi specifik komunikimi në aplikacionin WhatsApp të emërtuar “Dhërmi”.

Në fletëthirrjet dhe akt-verifikimet e SPAK-ut specifikohet se në këtë grup komunikimi bënin pjesë shtetasit:  Belinda Balluku, Viola Haxhiademi, Maksim Et’hemaj, Matilda Kërçaku, Alketa Pano. Lidhja e këtyre emrave brenda një grupi të vetëm komunikimi konsiderohet nga hetuesit si një indeks kyç i bashkëpunimit dhe njohjes reciproke lidhur me menaxhimin, përdorimin apo zotërimin e pronave të paluajtshme në atë bregdet.

Gjithashtu, në kuadër të të njëjtit episod hetimor për kompleksin në Dhërmi janë kryer sekuestrime mjetesh digjitale (telefona celularë) dhe janë pyetur biznesmenë e administratorë që lidhen me ndërtimin dhe financimin e kompleksit.

Pozicioni dhe hetimet ndaj Viola Haxhiademit 

Viola Haxhiademi, para se të merrte drejtimin e KESH-it ka shërbyer për një kohë të gjatë si Sekretare e Përgjithshme në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, duke qenë një nga bashkëpunëtoret më të afërta të ministrisë.  Në kuadër të hetimit të SPAK-ut:  Ajo është thirrur disa herë rregullisht në ambientet e Prokurorisë së Posaçme për t’u marrë në pyetje.

Hetimet përfshijnë procedurat e tenderëve publikë të zhvilluar në dikasteret ku ajo ka mbajtur funksione drejtuese, si dhe verifikimin e sekuestrimeve të telefonave të saj celularë për të dokumentuar udhëzimet dhe vendimmarrjet në tenderë publikë. Pjesëmarrja e saj në grupin “Dhërmi” shërben si provë shkresor e mbi lidhjet me pasuritë në jug të vendit dhe komunikimet me zyrtarët e tjerë të nivelit të lartë.

Pozicioni dhe hetimet ndaj Maksim Et’hemajt 

Në rastin e Maksim Et’hemajt, i cili drejtonte Autoritetin e Aviacionit Civil (dhe që u zëvendësua në këtë detyrë nga Dritan Isaku), emri i tij del i ndërlidhur në dy episode kryesore:  Prania në grupin “Dhërmi”: Emri i tij rezulton drejtpërdrejt në përbërjen e grupit të WhatsApp-it pranë personave me njësi banimi në kompleksin “White Rocks”.

Tenderët dhe licencat e energjisë me lidhje familjare: Në materialet në tryezën e SPAK po verifikohen dhe dhënia e tenderëve dhe licencave për panele diellore nga dikasteri i infrastrukturës, ku si përfituese doli një kompani e regjistruar në emër të motrës së tij, e cila rezultonte e punësuar si shefe kuzhine jashtë vendit. Ky episod u hap si një dosje më vete për dyshime të përdorimit të personave të tretë dhe konfliktit të interesit.