Targa serbe te makina e shefes së SHISH-it (!?)

24 Shtator 2026
Shkruan: Fejzi Hajdari
Nëse pamjet e publikuara, ku pretendohet se një automjet i lidhur me Vlora Hysenin mban targa serbe, janë autentike, atëherë Tirana zyrtare nuk mund ta kalojë këtë çështje me heshtje.
Këtu nuk bëhet fjalë thjesht për një targë automjeti. Bëhet fjalë për besimin publik, transparencën dhe standardet e sigurisë që duhet të shoqërojnë drejtimin e institucionit më të rëndësishëm të inteligjencës shqiptare.
Vlora Hyseni u shkarkua nga detyra në Kosovë në vitin 2021. Dy vjet më vonë, ajo u propozua nga kryeministri Edi Rama për të drejtuar Shërbimin Informativ të Shtetit.
Sot, pas raportimeve për hetime dhe masa sigurie ndaj saj, çështja merr një dimension edhe më serioz politik dhe institucional.
Pyetjet janë të drejtpërdrejta:
Nëse automjeti është realisht i lidhur me Vlora Hysenin, pse mban targa serbe? Kujt i përket automjeti? Kush e ka regjistruar? Kush e ka verifikuar? Dhe a ka pasur dijeni institucionale për këtë?
Por mbi të gjitha, ekziston një pyetje që i drejtohet drejtpërdrejt Edi Ramës:
Kush ia propozoi Vlora Hysenin për drejtimin e SHISH-it dhe mbi çfarë verifikimesh u mor ky vendim?
Një person që vendoset në krye të shërbimit inteligjent të një shteti duhet t’i nënshtrohet standardeve të jashtëzakonshme të verifikimit. Për këtë arsye, çdo dyshim i arsyeshëm kërkon sqarim institucional dhe jo heshtje politike.
Nëse pamjet janë të rreme, institucionet duhet ta thonë qartë dhe ta sqarojnë publikun.
Nëse janë të vërteta, atëherë duhet të shpjegohet po aq qartë pse një automjet i lidhur me drejtuesen e SHISH-it ka përdorur targa serbe dhe në çfarë rrethanash.
Shqipëria nuk mund të kërkojë besimin e qytetarëve për institucionet e sigurisë kombëtare duke lënë pyetje të tilla pa përgjigje.
Sepse në fund, çështja nuk është vetëm “pse targa serbe?”
Çështja është:
Kush e verifikoi Vlora Hysenin para se ajo të vendosej në krye të SHISH-it?
Dhe kush mban përgjegjësi politike për atë verifikim?
Tirana duhet të përgjigjet. Publiku ka të drejtë ta dijë.