Edi Rama nën hetim nga SPAK për “Albanian Files”

8 Nëntor 2026

Deputeti Agron Shehaj ka reaguar pas raportimit se SPAK ka regjistruar një procedim penal lidhur me projektet turistike në zonat e mbrojtura, të përfshira në materialet e njohura si “The Albanian Files”. Sipas Shehajt, kryeministri Edi Rama është zyrtarisht nën hetim nga Prokuroria e Posaçme.

Në një postim në rrjetet sociale, Shehaj e cilësoi këtë një lajm të jashtëzakonshëm për të ardhmen e Shqipërisë, duke theksuar se askush nuk duhet të jetë i paprekshëm përpara drejtësisë.

“Lajm i jashtëzakonshëm sot, ndërkohë që protestuesit po përleshen me Policinë, Edi Rama është zyrtarisht në hetim nga SPAK. E bëri të ditur vetë SPAK me një njoftim. Është hetim për ‘Albanian Files’, dokumenti ku të gjithë morën vesh se si Rama ndante me miqtë dhe arkitektët Shqipërinë, një pjesë njërit dhe një pjesë tjetrit.

Një arkitekt arriti deri aty sa i thoshte Ramës: ‘Ti duhet të bëhesh mbret, nuk ka nevojë Shqipëria për zgjedhje’. Ky është një lajm shumë i mirë për të ardhmen e Shqipërisë, sepse askush nuk është më i paprekshëm në Shqipëri. Vendi i tij është para drejtësisë”, shkruan Shehaj.

Kallëzimi që lidhet me materialet “Albanian Files”, ku përfshihen projekte kullash dhe resortesh turistike, u drejtohet kryeministrit, funksionarëve të tjerë publikë dhe subjekteve private të përfshira në projektet në Zvërnec, Baks-Rrjoll dhe Divjakë-Karavasta.

Kallëzuesit kërkojnë hetimin e vendimmarrjes për këto projekte, duke ngritur dyshime për shpërdorim detyre, ndikim të paligjshëm dhe korrupsion. Gjithashtu, ata kërkojnë që hetimet të shtrihen edhe në vendime të tjera që lidhen me ndërtimin e resorteve turistike në territore të mbrojtura.