Epoka e bakrit (eneoliti) dhe paraardhesit e Ballkanit.

Epoka e gurit të ri u pasua nga epoka e bakrit. Eneoliti është një epokë kalimtare, gjatë së cilës guri vazhdoi të ishte materiali kryesor i prodhimit të veglave të punës, por që u shoqërua edhe me shfaqjen e bakrit. Që këtej rrjedh dhe vetë emri (nga lat. aenehus – bakër dhe nga greq.vj. eolith – gur stralli). Karakteristika themelore e kësaj epoke është lindja e metalurgjisë së bakrit, e cila i dha emrin dhe vetë epokës.

Për zhvillimin e saj ndihmoi shumë edhe pasuria e vendit tonë me bakër, sidomos në zonat mineralmbajtëse të Matit, të Kukësit, të Korçës etj. Vendin kryesor në prodhimin e metalurgjisë e zënë veglat e punës dhe sidomos armët, si sëpatat, shpatat, thikat dhe majat e heshtave. Veglat dhe armët e reja nuk mundën të përjashtonin plotësisht nga përdorimi veglat dhe armët e traditës neolitike. Kultura e epokës së bakrit shquhet për një pasuri e larmi objektesh kulti. Vendin e parë e zënë figurat antropomorfe steatopigjike me krahë të cunguara.

Nga pikëpamja gjuhësore, popullsia neoeneolitike e vendit tonë ishte paleoindoeuropiane. Ky karakter lidhet me ardhjen e valëve të para të popullsive nga Lindja e Mesme dhe Anatolia në fillim të epokës së neolitit.

Autorët antikë, si Homeri, Hesiodi, Herodoti, Eskili, Tukiditi, Plutarku, Straboni, Plini, Sofokliu etj. i përmendin këto popullsi si jogreke, si popullsi paraardhëse të ilirëve në Ballkanin Perëndimor, si pellazgë. Për këtë arsye, shpesh në literaturën historike arkeologjike, pellazgët përmenden si popullsia neoeneolitike, që ka jetuar në trojet tona përpara formimit të ndërgjegjes ilire të popullsive të po këtij territori në fund të epokës së bronzit.
Foto Ilustruese: Maliq (Korce) date: 3700-3100 BC