Myzeqeja – Tokë e lashtë, histori e lashtë. –

Nga: Jovan Jano

E kaluara ka një rëndësi të madhe për ne. Dhe kjo është e domosdoshme të njihet, që ta kemi të qartë se nga vijmë e nga ç’gjë duhet të largohemi. Faktet janë të shenjta, natyrisht, komentet janë të lira. Duke shkruar me dashuri këtë shkrim për njerëzit që kam njohur, për Myzeqenë, kam marr përsipër të shkruaj të vërtetat ashtu siç i kam parë, përjetuar, studiuar dhe dëgjuar.

E urta, e mira Myzeqeja ime

Myzeqeja ka qenë dhe mbetet hambari i Shqipërisë. Në mesjetë, sipas dokumenteve veneciane, e kanë quajtur “grunari madh”. Për sa i përket emrit “Myzeqe” si toponim ka opinione të ndryshme. Disa thonë se e ka marrë këtë emër nga Familja princërore e Muzakajve. Të tjerë thonë se Myzeqe do të thotë “vend bretkosash”. Por ekziston edhe një mendim që do të thotë “vendi i njerëzve që merren me muzikë”. Por në studimet e Milan Suflait dhe të Hanit, Myzeqeja – Muzakia emrin më të hershëm dhe më autentikë e ka Moisi – akia.

Në mesjetën e hershme në trevën e Myzeqesë ra në sy lulëzimi i familjes princërore të Matrëngasve ose Matarangasve. Zotërimet e kësaj familjeje shtriheshin në fushën, që më vonë do të merrte emrin Myzeqe. Kësaj periudhe i përket edhe skela e Pirgut të Myzeqesë, ndërtimi i kështjellës së parë të tipit fushor të Bashtovës si dhe më vonë, ndërtimi i Manastirit të Ardenicës dhe Kolkondasit.

Familja princërore e Matrëngasve kishte titullin: “Grafi i Karavastasë e i Apolonisë, Mbrojtësi i Bashtovës dhe Kryezot i Savrës dhe Slanicës (kripore).  ”Kjo familje në shekujt e XIII dhe XIV-të zotëronte tokat që nga fusha e Savrës deri në Babunjë, Sulëzotaj, Kështjellën e Bashtovës dhe deri në derdhjen e lumit Vjosë, duke përfshirë edhe Apoloninë. Në vitin 1274, ndërmjet princërve të familjeve të mëdha, që i rezistuan ushtrive anzhuine, ishin edhe anëtarët e kësaj familjeje, Pavli dhe Vlashi ose Paulus dhe Sevast Blasius.

Papa Xhovani XXII, në vitin 1319 i drejtoi një dekret Pal Matrëngës kundër mbretit serb, Uroshit II-të. Kjo familje arriti kulmin në kohën e princ Vlashit II-të, në vitin 1358-1367. Pas vdekjes së këtij princi, Myzeqenë e pushtoi Karl Topia. Vlash Matrënga transportonte drithë me anijet e veta në drejtim të Raguzës. Ky drithë i Myzeqesë eksportohej nëpërmjet skelës së Pirgut të Myzeqesë edhe nga anije të huaja. Kjo skelë është ndër më të vjetrat dhe me interes të madh studimi. Ajo përmendet përherë të parë në dy dokumente veneciane: pra, më 15 nëntor 1344 dhe 13 qershor 1389, nën emrin “Dievali” (Devolli i vjetër). Nëpërmjet skelës lumore të Pirgut hynin në Myzeqe mallrat nga tregtarët venecianë dhe të Raguzës. Fitimet që sillte skela, e bënë atë objekt grindjeje midis feudalëve vendas.

Pas Matrëngës ajo ra në duart e Balshajve dhe më vonë të Muzakajve. Në periudhën e sundimit të familjes princërore të Matrëngasve u ndërtua edhe kështjella e Bashtovës. Kjo kështjellë është me shumë interes, jo vetëm se është e vetmja kështjellë fushore, por ajo flet shumë edhe për arqitekturën dhe mjeshtërinë e ndërtimeve të asaj kohe. Kështjella u ndërtua nga Pavli dhe Vlashi Matarënga., në krah të majtë të lumit Shkumbin

.

Bashtova shumë vite më parë ka qenë në krahun e majtë të lumit Shkumbin dhe jo ku gjendet sot. Banorët e saj edhe sot e kësaj dite ruajnë tradita dhe zakone etnografike si ato të Myzeqesë së Madhe. Është kjo arsyeja që pesë fshatra, që sot ndodhen në krahun e djathtë të lumit Shkumbin, si: Vila, Bashtova, Rreth Grethi, Spilleja etj. janë të besimit ortodoks. Po ashtu, mënyra e jetesës, traditat zakonore dhe marrëdhëniet e krushqive i kanë të njëjta me zonën e Divjakës. Sipas studiuesit ushtarak austriak, Zhorzh Veith, para dy-tre shekujsh lumi ndryshoi drejtimin dhe e kaloi në krah të djathtë Kështjellën.

Karavastaja, në mesjetën e hershme ka qenë një qytet i vjetër sikundër në lashtësi e tillë ka qenë edhe Babunja. Në ato kohë ka ekzistuar edhe një liman për ankorimin e anijeve tregtare, i cili me kalimin e kohës, u mbath dhe u krijua këneta. Në kohët e vjetra në Karavasta ka qenë e njohur lagja me emrin “Menegatis”, e cila edhe sot e kësaj dite quhet “Mëngë”. Nën juridiksionin e principatës së Matrëngasve ka qenë edhe Porto-Nuevo (Sulëzotaj i sotshëm).

Me hyrjen e osmanëve në Shqipëri, familja e Matrëngasve shpërbëhet dhe filloi shtegtimi i banorëve drejt brigjeve italike. Turqit vunë në dorë skelën e Pirgut. Një pjesë e njerëzve u mbyllën në Bashtovë dhe u betuan që të mos iu nënshtroheshin turqve. Që këtej ka mbetur edhe shprehja proverbiale: “U betuan si burrat në Bashtovë”. Këta lloj burrash luftuan heroikisht, u torturuan, u masakruan dhe ranë në fushën e luftës me shpatë në dorë. Ata para se të vdisnin u dhanë mundësi fëmijëve, grave dhe të moshuarve që të largoheshin e të hipnin nëpër anije për të udhëtuar drejt brigjeve të mbretërive të përtej detit.

Edhe Lekë Matrënga, i dëgjuar në mesjetën shqiptare, i përket familjes Matrënga. Po ashtu interesant është edhe fakti që këtë emër e gjejmë në fshatin Perondi, të Beratit, ku disa familje e mbajnë si mbiemër (llagap) Perondi! Sa shumë flet ky emër! Janë jehonë e gjashtë shekujve më parë fjalët e këngës së vjetër, që ruhet ende në Myzeqe dhe tek arbëreshët:

“Ikëm, moj nëno, ikëm, / Ikëm e muarëm dhen,/ Te Kishë e Shën Kollit nëno, atje hëngrëm drenë (drekën),/ Kur këmbën vumë në shkallët e gjemisë (anije)/ Dëgjuam një zë nëno, zërin e kumërisë (emër lope)./ Na u këput shpirti nëno,  ikëm e po largojmë,/ Atje përballë detit nëno, përballë do qëndrojmë”…

 Lalë… Pse quhen kështu?

 Lalët, si banorët më të hershëm të Myzeqesë, dallohen nga banorët e tjerë, që kanë zbritur gjatë periudhave të ndryshme historike në Myzeqe. Dallohen, kryesisht nga traditat e vjetra, që ruajnë ende: veshja karakteristike, e folura e butë, të kënduarit epiko-lirik dhe nga takija prej liri në formë konike, që është unikale në Shqipëri. Edhe emrave të vetë, ata u japin një karakter thellësisht zbutës, përkëdhelës, ashtu siç janë vetë, të urtë, të butë dhe paqësor. Emrat e tyre fetarë u përkasin Kalendarit Gregorian. Por, mbi të gjitha, lalët dallohen si bujq të apasionuar. Janë njerëz shumë tolerantë, mjaft të sjellshëm dhe të zgjuar. Në këto treva, ku banojnë edhe sot e kësaj dite, gjenden fshatra, ku prej shumë vitesh nuk njihen konflikte penale. Është cilësi e tyre, që e përqafojnë shpejt të renë. Janë banorë, që falin dhe pothuajse nuk e njohin sindromën e gjakmarrjes apo të hakmarrjes. Nuk u pëlqen të kapardisen dhe janë të zhveshur nga konvencionalizmat e së kaluarës.

Mendojmë se një rol të madh për edukimin me shpirtin e tolerancës ka patur edhe feja ortodokse. Sepse të parët e këtij komuniteti në mesjetë nuk iu nënshtruan dallgëve të asimilimit islamik.

Fjala “lalë” ka dhe kuptimin e vet leksikor, të cilin e shpjegon rilindësi Vaso Pashë Shkodrani në studimin e vet “E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët”. Sipas tij, fjala “lalë” në gjuhën shqipe ka kuptimin e vëllait të madh. Në disa vende kjo fjalë nuk iu largua kuptimit të parë, pra, filloi të përdorej si emërtim për të treguar popullsinë, që nuk u islamizua. Përveç kësaj emri “lalë” ka arritur deri në kohët e sotme si shprehje e një mesazhi besnikërie, që përjetëson dhe nderon qëndrimin, që mbajtën banorët e këtushëm ndaj princit të mesjetës, Teodor Lalë Korona Muzakës. Ata qenë ndër të parët që dhanë shembullin e kundërshtimit ndaj procesit të islamizimit, pas vdekjes së Gjergj Kastriotit, me të cilin kishin lidhje të afërta krushqish. Ata pranuan më mirë shtegtimin ndër dhera të huaja se sa nënshtrimin. Banorët, që nuk mundën të largoheshin nga trojet e veta, në Myzeqe, përballuan mjaft privacione ekonomike, politike, qytetare. I vetmi “mëkat” i tyre ishte: mos ndryshimi i fesë kristiane.

Por ka edhe studiues të tjerë, që thonë se fjala “lalë” do të thotë “e lënë”, pra njerëz të braktisur, të lënë mënjanë, jashtë vëmendjes së të tjerëve. Lalët e Myzeqesë nuk e ndryshuan etnografinë, as mënyrën e veshjes dhe as folklorin. Ata nuk e njollosën poezinë e tyre gojore me këngë dylberësh e ashikësh, sipas kulturës, që impononte pushtuesi otoman. Kjo shprehet edhe në një këngë të moçme, që ende ruhet dhe këndohet në Myzeqe, në të cilën shprehet protesta, dufi dhe mllefi i popullit  përpjekjeve të pushtuesit, për asimilim.

Në vargjet e një kënge të tillë, thuhet: O seç mu hodhe moj, përtej lumit –o/ Thellë kishte gjer në gjunjët – o/ Jarina nina, o të keqen – o!/ Kur më ke takien/ Ç’m’a do festen –o.

Po ashtu, janë të njohura vargjet e poetit arbëresh, Gavril Dara, i cili tek poema “Kënga e sprasme e Balës”, shkruan: “Mori bijë, bijë e Lalës,’Moj e bukur e trishtuar,/ Pse më çon në motnë e shkuar…!

Këto vargje janë jehonë e shumë shekujve dhe tregojnë për familjen e Muzakajve.

Theksojmë se shpërngulje të arbëreshëve nuk ka pasur vetëm pas vdekjes së Heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti, por edhe  para vdekjes së tij, veçanërisht gjatë sundimit bizantin dhe sllav. Shumë të tillë u vendosën në Peloponez, kryesisht në krahinat e Man-it dhe në atë të Lalërisë. Në Lalëri u vendosën sidomos lalët e Myzeqesë. Kjo shpërngulje vazhdoi deri para Kryengritjes së Madhe Greke kundër Turqisë otomane. Madje edhe popullsi myslimane nga Myzeqeja u vendos në këto treva. Ata ndryshuan emrat, por llagapet jo.  Ende janë ruajtur llagape si Vrioni, Alizoti, Kurti, Kryezoti, Bello, Bellojani, Hundgjati etj. Prandaj dhe vendi ku vendosën këta u quajt Lalëri. Vlen të theksojmë se pranë vendbanimit të Avlonarit të ishullit të Eubesë ekziston një fshat me emrin “Lala”.

“Shumë lalë janë vendosur edhe në qytetin e Verias” – shkruan historiani grek, P. Aravantinos në librin “Kronografia e Epirit”, vëllimi 2, faqe 32.

Popullsia, në Myzeqe, kanë qenë të shtresëzuar sipas gjendjes ekonomike dhe pozitës shoqërore. Bejlerët, agallarët, subashllarët, ushtarakët dhe nëpunësit e shtetit nga njëra anë dhe masa e lalëve (banorë ortodoksë) në përgjithësi, që përbënin pjesën më të madhe të popullsisë. Këta ndaheshin në dy pjesë: në bujq të shtetit, që ishin pa tokë dhe quheshin gjorçinarë (të gjorë, të mjerë!) dhe në bujq beu, të cilët nuk kishin tokë dhe shtëpinë e kishin pa oxhak, pa dritare, pa oborr, pa portë, se nuk i linte beu, i cili mbështetej nga ligjet turke.

Për fat të keq kjo zgjati deri në kohën e mbretit Zog.  Vetëm Lufta Nacional-Çlirimtare, e udhëhequr nga komunistët bëri të mundur të zhdukë këto ligje raciste, t’u jap tokë, arsim, kulturë dhe dinjitet kësaj popullsie, të denigruar.

Të huajt për Myzeqenë

Mjaft të huaj që kanë përshkuar Shqipërinë, kanë pasqyruar në shënimet e udhëtimeve, edhe Myzeqenë. Ndër udhëtarët e parë të shekullit të XIX-të, që përmendin Myzeqenë është Uliam Martin Lik, ushtarak dhe diplomat anglez, studiues i lashtësisë dhe njohës i mirë i vendeve të Ballkanit.

Duke e përshkruar Myzeqenë ai shprehet: “Fusha e Elbasanit është fqinjë me Myzeqenë, hambarin e Shqipërisë, që udhëtarët e quajnë “fusha fisnike e njohur dhe e aftë për të furnizuar me drithë dhe prodhime të tjera të begata tërë Ilirinë dhe Epirin…”

Në shënimet e tij udhëtari anglez shkruan se në Myzeqe, krahas orizit, kultivohen edhe bimë industriale. Lik thotë se në Myzeqe rritej liri, që mbillej në shtator. Ai nuk harron të konstatojë dhe pakujdesinë shtetërore ndaj përmbytjeve së fushës së bregdetit. Fushat e Ilirisë, kryesisht Myzeqeja, vuan nga përmbytjet, të cilat lënë gjënë e gjallë pa kullota në pranverë dhe zakonisht shkaktojnë mortalitet, si ai i vitit 1805. Kjo ka bërë që të importoheshin një numër i madh kafshësh prej provincave tej danubiane.

Një tjetër udhëtar anglez, i quajtur D. Erhart, bën këtë shënim: “…Ç’është e vërteta ka shumë këneta dhe ato janë malarike e mund të thaheshin me lehtësi dhe të zhdukeshin”.

Gjurmët malarike në Myzeqe e bëjnë piktorin dhe udhëtarin anglez Eduard Lir të konstatojë se në Myzeqe vërtetë kishte kushte optimale për jetë bimore, por binin në sy dhe “kushtet fatale për shëndetin e njeriut”. Asnjë përkujdesje nuk kishte gjer atëhere. Edhe disa projekte që kish ndërmarrë Ali Pashë Tepelena, pas vdekjes së tij vajtën dëm me rënien e pashallëkut të madh.

Historiani Ireçek, në një vepër të tij, të botuar në Pragë më 1879, shkruan:

“Fusha e madhe anës detit është padyshim fusha më pjellore e Shqipërisë, por kërkon pak punë për të dhënë gjithë fitimin, që mund të jap. Sot për sot kjo tokë e majme gjendet pak e shkretuar dhe e mbytur nën ujë”…

Të huajt përshkruanin me romantizëm edhe blegtorinë, që rritej në Fushën e Myzeqesë. Martin Likut nuk i ka shpëtuar shtegtimi i bagëtisë nga Myzeqeja për në krahinat malore. Gjatë muajve qershor, korrik, gusht, shtator, barinjtë e Myzeqesë ngjiten në kullotat malore të Tomorricës. Disa prej këtyre barinjve kanë ndenjur në Karbunarë e Lushnje. Ata kanë me mijëra kokë dele e gjedhë prej të cilave prodhohet gjalpi, djathi, si dhe qe pune, që rriten për të furnizuar Rumelinë, Shqipërinë e Greqinë. Liku përshkruan edhe tufat e mëdha me pata, që nxirreshin çdo mëngjes në kullotë.

Konsulli i Francës pranë Ali Pashë Tepelenës, Pukëvil, në shkrimet e veta jep përshtypje nga Myzeqeja: “Veçanërisht meriton një shënim raca e kuajve të Myzeqesë, e njohur prej vitesh në të gjithë Rumelinë për bukurinë, shpejtësinë e ecjes dhe forcën. Edhe tani bëhet mjaft regëti me Evropën, por nga mos kujdesia, thjeshtësia dhe bukuria e racës po vete gjithnjë duke u vdirur (degjeneruar)”. Pukëvil shkruan: “Afër fshatit Karbunarë ishte një hara për të ushqyer kuajt e bukur të Myzeqesë”.

Ky autor, me fantazi të rrëmbyer në kohën e Ali Pashë Tepelenës ka vizituar dhe ka lënë mbresa nga rrugëtimi që realizoi. Ai shprehet se “Myzeqeja dhe luginat e Tomorrit fshehin thesare bukurie të denja për kurorat e dashurisë”.

Sipas Eduart Lirit, këtij studiuesi, piktori dhe udhëtari mësojmë se Lushnja ka mundësi të ketë qenë qytet që nga mezi i shekullit të XIX-të. Ai shkruan se gjatë rrugës për në Berat (duke u kthyer nga Shkodra) nuk mundi të ndalej në hanin anësor të qytetit të Lushnjës, sepse hani ishte i zënë me tregtarë shkodranë.

Xhon K. Hobhaus, baron anglez i shek. XVIII, shok i Lord Bajronit, në letrat  nga Shqipëria,  duke folur për krahinat e Shqipërisë, në letrën e 14-të për krahinën e Myzeqesë, shkruan:

“ … Pas Durrësit vijnë grykëderdhjet e lumenjve Mat, Seman dhe Karavasta, pastaj lumi i Tepelenës, i cili në hartat e sotme quhet Vjosë…në lindje (veri) të lumit të Karavastasë, ndodhet qyteti i Beratit, Belgradi Shqiptar ose Elima sipas zotit Danvij. Ky konsiderohet si një nga qytetet më të forta, me fortesë, dhe ndodhet në pashallëkun e Vlorës. Kalaja mbrohet sipër nga 40 topa. Në anën veriore  të brigjeve të lumit Karavasta, i mbyllur nga deti, ndodhet qyteti i quajtur Kavaja, nga e cila eksportohet qeresteja më e mirë e Shqipërisë dhe pak më larg nga brigjet veriore të Karavastasë (fjala është për sharrat e pishës së Divjakës), rreth nja shtatë milje larg bregut, ndodhet qyteti i vogël Polina (Pojani), ku pak rrënoja tregojnë në sipërfaqe se aty ka qenë qyteti i Apolonisë.

Holland, udhëtar anglez, një vendbanim si Karbunara e quan “qytet me shtëpi piktoreske e me gardhe”. “Kasollet e fshatarëve shqiptarë, – thekson Hobhausi, – janë prej balte, por ato pastrohen rregullisht dhe meqë ndërtohen me kujdes, janë krejtësisht të thata”.

Në prill të vitit 1903, mis Durham, duke kaluar nëpër Myzeqe shkruan me shumë respekt e konsideratë për bukurinë magjepsëse të vendit ku ndërthuren kulturat e lashta e mesjetare, shkruan për veshjet dhe elegancën e njerëzve, që e pritën dhe e shoqëruan. Por mbi të gjitha asaj i bëri përshtypje edukata, dashuria dhe respekti që tregonin ndaj kësaj zonje, gjë që nuk e kish hasur në asnjë vend tjetër të botës. “Ata janë shumë mikpritës, më shtruan në sofër një mal me mishra”- shkruan ajo.

Të njëjtën konsideratë jep dhe arkeologu dhe historiani austriak, XH, With duke u shprehur për myzeqarët se janë “…shumë miqësor, të respektueshëm dhe të gjendur…”.

  1. Prashniker, arkeolog austro-hungarez thekson se “jeta dhe përvoja i ka mësuar t’i shohin të huajt si dhe fqinjët me shumë mosbesim”.