7 Nëntor 2026

Një student, pjesëmarrës në protestën para Kryeministrisë, ka bërë thirrje që qytetarët t’i bashkohen protestës, duke theksuar se të rinjtë kërkojnë të ndërtojnë të ardhmen e tyre në Shqipëri dhe jo të detyrohen të emigrojnë.

Në një prononcim për gazetarin Osman Stafa të News24, ai u shpreh se studentët duan që diplomat e tyre të mos mbeten pa vlerë, por të kenë mundësi të punojnë dhe të krijojnë një jetë në vendin e tyre. Ai solli edhe shembullin e të atit, i cili u largua drejt Greqisë për të kërkuar një jetë më të mirë.

“Ne si studentë, në fund të ditës, duam të luftojmë që ajo diplomë të mos zërë merimanga. Dua që të punoj, të krijoj të ardhmen këtu. Im atë mori malet dhe iku në Greqi. Ndaj u bëj thirrje shqiptarëve: dilni në shesh! Po dalin të huajt dhe nuk po dalin shqiptarët. Nuk po vijnë shqiptarët, çfarë duan në kafe?

Ne jemi këtu për ta bërë Shqipërinë nga e para. Ne nuk kemi zjarrfikëse. Në Elbasan, si shurrë gomari është ajo zorra e zjarrfikëses. Ne jemi bosh. Rama në burg, Berisha në burg”, u shpreh studenti.