Përplasja Rama-Veliaj, Alibeaj zbulon bisedat: – Të kalb në burg, më dorëzo bashkinë!

Rama Veliaj
6 Nëntor 2026
Një përplasje e paprecedentë po ndodh brenda radhëve të mazhorancës, duke shpërfaqur një luftë të hapur midis dy poleve më të fuqishme të pushtetit në Shqipëri: Kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Kjo nuk është një betejë e zakonshme politike apo një sherr i rëndomtë, por një konflikt i thellë që ka agravuar në shantazhe dhe “syrgjinosje” politike.
I ftuar në nje interviste televizive, ish-ministri i Drejtësisë dhe ish-deputeti Enkelejd Alibeaj u shpreh se krisja e madhe mes dyshes raportohet të ketë nisur pas mesit të shtatorit, duke kulmuar me vendimet e Gjykatës së Lartë.
Pritshmëritë e Veliajt dhe rrethit të tij për një lehtësim të masave të sigurisë ose lirimin e tij nuk u përmbushën, çka solli një ndryshim drastik në strategjinë e tij mbrojtëse.
Enkelejd Alibeaj:
“Do të thotë situata nuk është e mirë lidhur me Erion Veliajn. Jo se, siç unë e kam parë, kjo nuk është një histori e një sherri të vogël banal midis dy ish-miqsh, ju e quajtët babë e bir dikur. Nuk është kaq. Partinë Socialiste, pushteti përgjithësisht prodhon fërkime të tilla. Është më shumë sesa kaq. Është më shumë se aq për disa arsye. Së pari, Edi Rama është kryeministri i këtij vendi.
Njeriu më i pushtetshëm me ato që i takojnë dhe ato që nuk i takojnë. Erion Veliaj ka qenë formalisht, është ende në krye të Bashkisë Tiranë, që për nga potenciali financiar, mediatik, interesave klienteliste, mbështetjes së madhe elektorale, është numri dy mbajtës i pushtetit mbas kryeministrit.
Pra duhet parë në këtë mënyrë. Kjo është një përplasje midis dy poleve të pushtetit që ndodhet sot në Shqipëri, në Tiranë. Shikoni çfarë metamorfoze ka ndodhur, do të dua të jap një datë, se ju ndoqa me vëmendje atë që thatë në fillim, mbas çdo fakti do duhet edhe një provë.
E kam parë metamorfozën e marrëdhënies mes tyre që të ngrejë krye mbas mesit të shtatorit të këtij viti. Saktësisht nuk e mbaj mend datën kur ka qenë gjyqi i Erion Veliajt në Gjykatën e Lartë.
Kishte një shpresë të madhe në atë kohë, që mbas vendimit të mëparshëm të Gjykatës Kushtetuese, po përsëri për Erion Veliajn, dhe mbasi një vendimi të Gjykatës së Lartë që do zbuste ose do krijonte një tjetër rregull për vendosjen e masave të sigurimit kishte një pritshmëri të madhe të Erion Veliajt apo edhe të njerëzve që rrethojnë, që prisnin që ai të dilte.
Nuk ndodhi. Pas këtij momenti dhe në atë se çfarë ka ndodhur tani, kam përshtypjen që Erion Veliaj ka kaluar në një regjistër tjetër të qëndrimeve të tij, jo më juridike, por politike.
Duke targetuar jo më prokurorin e SPAK-ut, e keni vënë re nuk ka më sulme ndaj Ols Dados, prokurorit se ai i ka thurur të gjithë këtë rrjet ku ka rënë, por se ka targetuar qartësisht Edi Ramën. Aq sa ai i tha ‘Ik’, në një nga letrat që ai ka shkruar.
Pra e shoh në këtë optikë, Erion Veliaj ka ndryshuar targetin e vet. Tashmë atë që po vuan po kërkon ta shndërrojë në një syrgjinosje politike, jo thjesht dhe vetëm në një veprimtari normale rutinore të organeve të drejtësisë.
Sepse me sa duket ka disa elemente, disa fakte. Një: ka humbur solidaritetin e pushtetit të Ramës. Shumë nga eksponentët e tjerë të Partisë Socialiste e kanë pasur gjithmonë solidaritetin, mbështetjen, bllokadë. Rasti i zonjës Balluku është emblematik.
Doli Rama, u bë barrierë para SPAK-ut, nuk i hoqën imunitetin. Erion Veliaj është në Fier, ishte në Durrës, u bë kaq kohë. Pra ai e ka parë që nuk është më njeriu që të mund të përfitojë nga solidariteti i pushtetit. E dyta, që është akoma dhe më e rëndë: transferimi që iu bë.
Nga Durrësi në Fier. Për asnjë arsye. Nuk i dhanë as vendimin e transferimit, madje drejtoresha e sapoemëruar ditën e tretë ulur në kolltuk, e transferon dhe thotë madje që është sekret.
Dhe tjetra që është edhe më e rëndë, e treta, është fakti i vizitës së papritur të ish-mikut, me sa duket dhe ministrit të drejtësisë aktual Toni Gogu, i cili shkoi atje jo për të parë kushtet e burgut. Jo për të parë kushtet e Erion Veliajt, nuk e di këtë, di të them që ministri i drejtësisë mund të shkojë për të parë situatën në burgje, pa leje, por ka një pengesë ligjore…
Ka një pengesë ligjore, mund të shkojë në çdo orë. Por ka një pengesë ligjore teksa shkon për të takuar një të paraburgosur.
Duhet të marrë domosdoshmërisht një leje paraprake nga prokuroria, SPAK-u. Nuk e dimë, s’mund të spekulojmë.
Tani zakonisht, kjo historia që është dhënë apo jo leje, nuk në opinionin tim, pastaj ata janë të zotët e punës, nuk është se mbulohet nga sekreti hetimor. Ok. Veçse, veçse nëse ka filluar një procedim penal për këtë episod.
Pra, i treti element që po thosha ishte fakti që, me sa duket është i vërtetë, Erion Veliaj e ka thënë, e ka shkruar, nga palët e tjera Gogu apo Rama s’ka përgënjeshtrim, ka shkuar e ka shantazhuar.
Të kalb në burg, më dorëzo bashkinë. Kjo është luftë e hapur. Thikat kanë dalë nga mylli, janë gati për t’ia ngulur njëri-tjetrit. Kështu që kjo është situata dhe nuk më çudit fakti që syrgjinosja, po përdor këtë fjalë me thënë të drejtën sepse s’dua ta quaj persekutim politik…
Syrgjinosja politike që i kanë bërë, me transferimin pa asnjë arsye, madje dhe me aludimin që paska qenë ai një nga orkestruesit apo financuesit të protestave, gjë që nuk më rezulton me thënë të drejtën me aq sa informacion kam, dhe shantazhi që më dorëzo tani bashkinë. Sepse kjo është luftë pushteti me thënë të drejtën.
