6 Nntor 2026

Deklarata e bërë dje nga kryeministri Edi Rama në krah të ambasadores së Bashkimit Evropian në Tiranë, Sofia Moreira de Sousa ka tronditur themelet e Policisë së Shtetit. Duke pranuar publikisht se nuk duhet të anashkalohet asnjë problematikë e evidentuar nga Brukseli dhe se çdo tejkalim i forcës nga efektivët duhet të hetohet e ndëshkohet ligjërisht, kreu i qeverisë u ka hapur rrugën zyrtarisht arrestimeve në radhët e drejtuesve më të lartë të uniformave blu. Kjo kthesë dramatike politike po shihet si lëshim i drejtpërdrejtë i “kupolës” përballë presionit ndërkombëtar dhe revoltës qytetare që ka pushtuar rrugët e vendit prej më shumë se 20 ditësh.

Skenari i frikshëm që po përflitet në ambientet politike dhe ligjore i ngjan menjëherë zhvillimeve të bujshme në Serbi, ku rënia nga pushteti e regjimit të Aleksandër Vuçiçit u pasua me vënien e prangave për zyrtarët e lartë policorë të akuzuar për dhunë ndaj protestuesve paqësorë. Të njëjtin fat me dhjetëra vite burg pritet ta pësojnë edhe drejtuesit e Policisë së Shtetit në Shqipëri, të cilët tashmë gjenden nën lupën e kallëzimeve penale në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) dhe Prokurorinë e Tiranës, teksa kjo e fundit madje ka nisur hetime, për vepra të rënda si torturë, rrëmbim personi, tentativë vrasjeje dhe plagosje të rëndë.

Kush rrezikon prangat?

Faturën e dhunës barbare, pamjet e së cilës bënë xhiron e mediave botërore, po përgatiten ta paguajnë drejtpërdrejt urdhëruesit e terrorit me uniformë. Kallëzimet e dorëzuara nga shoqëria civile dhe avokatët e njohur godasin në zemër të strukturës drejtuese: nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Skënder Hita, zëvendësi i tij Sokol Bizhga, e deri te krerët e departamenteve kryesore si Arjan Muça, Dhimitraq Ziu, Saimir Muçaj, Aida Hajnaj, Thodhori Gavani dhe Artan Bajraktari. Rrethi i hekurit i drejtësisë po mbyllet po ashtu rreth komandantëve të forcave elitë FNSH e RENEA (Artur Prifti, Altin Dardha, Albert Nushi) dhe 12 drejtorëve vendorë, ku veçohen Oliger Torba në Tiranë dhe Ervin Hodaj në Durrës. Përdorimi i plumbave të gomës, thyerja e gjymtyrëve me shkopinj gume, gazit lotësjellës masiv dhe rrëmbimi i studentëve e të rinjve pa vendim gjykate nuk mund të fshihen më pas uniformës.

Disa nga akuzat

Më poshtë po pasqyrojmë disa nga veprat penale më të rënda që janë konsumuar nga kupola e Policisë së Shtetit dhe dënimet e ashpra me burg që i kanosen secilit prej tyre:

1.      Tortura dhe trajtimi çnjerëzor (Neni 86 e 87 i Kodi Penal) – Dënohet nga 3 deri në 10 vite burg, dhe deri në 15 vite burg kur ka sjellë pasojë të rënda shëndetësore.

2.      Tentativa e vrasjes (Nenet 22 e 76 të Kodit Penal) – Dënohet nga 10 deri në 20 vite burgim.

3.      Kryerja e veprimeve arbitrare dhe heqja e paligjshme e lirisë / Rrëmbimi (Nenet 250 e 109) – Dënohen nga 3 deri në 10 vite burgim, ndërsa rrëmbimi i kryer nga personat e veshur me pushtet rrezikon deri në 15 vite qeli.

4.      Plagosja e rëndë me dashje (Neni 88 i Kodit Penal) – Dënohet me burgim nga 3 deri në 10 vite.

5.      Shpërdorimi i detyrës në rrethana rënduese (Neni 248 i Kodit Penal) – Dënohet me burgim deri në 7 vite.

Ndërkohë hetimet e detajuara analizojnë penalisht përgjegjësinë individuale dhe kolektive të kupolës drejtuese, e cila tashmë ndodhet pa mbrojtje politike pas tërheqjes së Ramës. Me hetimin e këtyre veprave penale që arrijnë në dhjetëra vite burgim për secilin zyrtar që ka urdhëruar veprimet e jashtëligjshme, ditët e ardhshme pritet të sjellin fletë-arrestet e para bujshme që do të dridhin shtetin nga themelet. Perandoria e paprekshmërisë policore po shembet përpara syve të opinionit publik dhe partnerëve ndërkombëtarë. Asnjë gradë apo post nuk do të shërbejë më si mburojë për ata që dhanë urdhra çnjerëzorë kundër qytetarëve të tyre. Prokurorët e SPAK-ut kanë në duar provat materiale të dhunës, të cilat do të përkthehen në fletë-arresti të menjëhershme.

Zyrtarët e lartë që deri dje mbillnin terror në rrugë, pritet të përballen me perspektivën e izolimit afatgjatë në qelitë e burgut. Çdo hap i ndërmarrë nga trupa policore do të kalojë në skaner ligjore pa asnjë tolerancë politike. Drejtësia e re nuk mund të lejojë që liria e protestës të nëpërkëmbet nga pushteti i armëve e shkopinjve të gomës. Presioni ndërkombëtar dhe denoncimet e shoqërisë civile e kanë bërë të pamundur çdo përpjekje për fshehjen e së vërtetës. Vendosja e përgjegjësisë ligjore për këtë kupolë do të shërbejë si një mësim historik për të gjithë uniformat e ardhshme të shtetit. Epoka e dhunës shtetërore mbi popullin paqësor ka marrë goditjen përfundimtare e të pakthyeshme. Drejtësia mund të vonojë, por askush nuk mund t’i shpëtojë llogaridhënies para ligjit dhe historisë.