Çfarë përmban kallëzimi ndaj Ramës që po e heton SPAK

SPAK thotë se ka regjistruar procedim penal ndaj kryeministrit Edi Rama, funksionarëve të tjerë publikë dhe subjekteve private të përfshira në projektet turistike në Zvërnec, Rrjoll dhe Divjakë-Karavasta.
Në një shkresë me datë 6 nëntor, nënshkruar nga drejtuesi i SPAK, Klodjan Braho, prokuroria u konfirmon kallëzuesve se procedimi penal nr. 97 është regjistruar më 10 shtator 2026 dhe ndodhet “në hetim”.
Kallëzuesit janë një grup ekspertësh dhe protestuesish. Ata e depozituan këtë kallëzim në SPAK më 12 gusht
Kallëzimi mbështetet kryesisht në hetimet e “The Albanian Files”, harta e resorteve mbi zonat e mbrojtura, dhe “Dosjet e KKT-së” (rreth 250 vendime të Këshillit Kombëtar të Territorit).
Kallëzimi kërkon hetim për shpërdorim detyre, ndikim të paligjshëm ndaj funksionarëve publikë, korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë dhe grup të strukturuar kriminal. Thelbi i tij është një model i përsëritur: ndryshohet ligji, miratohet një instrument i posaçëm planifikimi, jepet leja, gjithmonë përmes Këshillit Kombëtar të Territorit, që e kryeson kryeministri.
Tre rastet në fokus:
Baks-Rrjoll. Vendimi nr. 39 i KKT-së, datë 17.12.2024, me firmën e Ramës dhe të Belinda Ballukut, miratoi rregulloren e veçantë për resortin “Blue Borgo”. Projekti mori statusin e investitorit strategjik, ndonëse AIDA ka konfirmuar dy herë se nuk ekziston vendim i Komitetit të Investimeve Strategjike.
Divjakë-Karavasta. Masterplani “Kingscoast”, për një qytet të ri brenda parkut kombëtar, u depozitua që në tetor 2023, ndërsa regjistri zyrtar e tregon ende zonën si të mbrojtur.
Zvërnec. Masterplani i parë u hartua në 2022 për Kastrati Group. Sot projekti zhvillohet nga një kompani e regjistruar përmes një trust-i në Holandë, me pronarë realë të panjohur publikisht.
Kallëzuesit i kërkojnë SPAK të hetojë çdo projekt ku janë përdorur të njëjtat mekanizma. Deri tani kallëzime të tilla kanë përfunduar me mosfillim.
