Edi Rama nuk ofron dialogun, por “Noc Rrokun”

Edi Rama nuk ofron dialogun, por “Noc Rrokun”
8 Nëntor 2026
Nga: Ilir Dako
Kryeministri i Shqipërisë ka shpikur një aplikacion për të hapur urat e komunikimit me protestuesit, pasi as tavolinat plastike, të drunjta apo të gurit nuk funksionuan. Ai ka ndarë link-un e platformës së re, folmekm.al, të cilën e prezantoi të premten. Ndërkohë, kjo ide e kërkesës për dialog nga Edi Rama duket më shumë një provokim sesa një ftesë e sinqertë. Duke e ditur se kërkesat e tij shkojnë në “vesh të shurdhër”, pasi ai e ka të qartë se kërkesa unike e qytetarëve shqiptarë është dorëheqja e tij, Edi Rama kërkon ta banalizojë komunikimin e një kryeministri me qytetarët e vet.
Qeveria Rama ka rënë.
Ky është një fakt i pamohueshëm. Tirana, gjysmën e ditës, është në lëvizje normale dhe në gjysmën tjetër ndodhet nën goditjen e gazit lotsjellës, ujit me presion, plumbave plastikë dhe dhunës policore. Kemi mbi pesë muaj që kryeqyteti ndodhet në një anomali të frikshme, ndërkohë që shteti i Edi Ramës është totalisht i asfiksuar, i trembur, joefiçent, i lodhur dhe me një administratë të tmerruar nga frika e hetimeve që SPAK ka hapur për korrupsionin. Shumica e funksionarëve politikë të mazhorancës janë nën hetim, të pandehur apo nëpër qeli, ndërsa drejtojnë shtetin dhe financat publike me rekorde vjedhjesh monstruoze.
Edi Rama qeveris si një kriminel i kërkuar nga drejtësia, së bashku me lubinë, bashkëortaken e tij në të gjitha zullumet kriminale që kanë kryer gjatë viteve të gjata në krye të qeverisë. Belinda Balluku drejton shtetin me dhjetëra dosje penale në kurriz, nga të cilat nuk mund të shpëtojë pa 35 vite dënim me burg. Edhe pse është nën hetim, Balluku ka në dispozicion gjysmën e ministrave dhe një pjesë të mirë të drejtorëve dhe vazhdon të mbushë pikat kyçe në strukturat shtetërore me ushtarët e bandës së saj. Tenderët vazhdojnë të zhvillohen në paligjshmëri dhe përfitimet nga gjobat ndaj bizneseve vazhdojnë të shkojnë në buxhetin e Ballukut, e cila vazhdon në mënyrë stoike të komandojë shtetin.
Shteti ka rënë.
Bashkia e Tiranës është pa kokë, pasi kryetari i saj është nën hetim dhe aktualisht ndodhet i izoluar. Prej 21 muajsh, kryebashkiaku nuk e drejton fizikisht qytetin dhe Tirana është kthyer në kryeqytetin e parë ku kryeministria ndodhet nën rrethim total dhe sulme politike nga bandat e Edi Ramës dhe Belinda Ballukut, të cilët eksperimentuan duke emëruar një pjesë të administratës së saj për ta marrë edhe këtë institucion nën kontroll.
Erion Veliaj ka lëshuar akuza në drejtim të kreut të mazhorancës se arrestimi i tij erdhi si rezultat i luftës së brendshme në PS, ku klani Balluku arriti të mposhtte kundërshtarët e vet politikë, duke filluar nga Ahmetaj, Erion Veliaj dhe së fundmi Elisa Spiropali, e cila u shkarkua nga posti i kryetares së Parlamentit. Degradim total i shtetit, ku kreu i sektit, si përfaqësues i sektit, nuk mund të jetojë pa gjakun dhe mishin e bashkëpunëtorëve dhe miqve të tij politikë.
Edi Rama ka rënë.
Kemi një lëvizje skakierash në rajon dhe më gjerë, ku të ngjashmit e Edi Ramës kanë rënë ose po bien një nga një. Ra autokrati Orban. Ra autokrati Vuçiç. Po bie Fico në Sllovaki. Meloni ka paralajmëruar dorëheqjen, ndërkohë që i vetmi aleat dhe ortak në biznese, Bibi, këto ditë e ka mbyllur qëndrimin e tij në krye të Izraelit dhe mund të themi se shpresa e fundit për të blerë influencë në SHBA do të ketë probleme me drejtësinë dhe do të kërkojë vrimën e miut për të shpëtuar nga drejtësia ndërkombëtare, e cila ka shpallur mandatin e arrestit për krimet monstruoze që ka kryer.
I ndodhur në një situatë të pashpresë, me njerëzit në rrugë, shtetin e falimentuar dhe qindra akuza në kurriz për korrupsion, mbështetje të karteleve të drogës, lidhje me mafien dhe qindra akuza monstruoze në menaxhimin e shtetit, Edi Rama po numëron ditët dhe orët me një tik-tak që ka filluar të shuhet.
Nisur nga situata ku ndodhet, Edi Rama ka një shpresë të vagullt se mund të dalë nga kjo situatë dhe ftesa për dialog është më shumë një shashkë për të treguar të fortin, ndërkohë që është duke “fishkëllyer në mes të pyllit”, nga frika e fundit të tmerrshëm.
Edi Rama ka huazuar një shprehje të vjetër popullore, duke përmendur “Noc Rrokun”, kur do të tregojë se nuk ka ndërmend të zgjidhë gjë. Dhe në rastin konkret, kryeministri nuk ofron dialogun, por “Noc Rrokun”, për shkakun e vetëm se atij në dorë i ka mbetur “Noci”, pasi fati i tij është shkruar dhe nuk ka mrekulli që e shpëton nga katastrofa.
Edi, mbaje “Nocin” fort dhe zgjidh arratinë, burgun ose mund t’i bësh edhe shoqëri ndonjë miku tënd, gjë për të cilën ke menduar shpesh në këto ditë qameti.
