8 Nëntor 2026
Siguria ushqimore në rrezik.

Alarmi se vendi ynë përgatit bulmet të pasigurt vjen edhe nga BE-ja, e cila refuzon të ushqejë konsumatorin europian me nënproduktet e qumështit Made in Albania.

Prania e aflatoksinës në qumësht nuk është një problem që i takon të shkuarës.

Në shumë ferma dhe baxho, prodhimi blegtoral vazhdon të furnizohet me qumësht të kontaminuar. Mediat kanë arritur të sigurojë 4 fletëanaliza të datave 27-29 tetor, të cilat tregojnë nivel të lartë të aflatoksinës M1.

Nëse i referohemi kufirit maksimal të BE-së për këtë mikotoksinë, ai nuk duhet të kalojë shifrën 0,050 ppb për litër. Në analizën e parë, kjo normë është tejkaluar me 208%, pasi rezultati i analizës është 0,154 ppb. Shifra alarmante shihet edhe te kjo fletëanalizë që ju shihni në ekran, ku qumështi i fermave shqiptare e ka tejkaluar normën e aflatoksinës M1 me 128%. I njëjti realitet paraqitet edhe në rastet e tjera, ku kufiri i aflatoksinës është tejkaluar me 106-104% nga niveli maksimal që lejon BE-ja.

“Kjo do të thotë që një nivel i shtuar disa fish është një rrezik i shtuar për konsumatorin. Aflatoksina M1 është klasifikuar kancerogjene, kryesisht e ka target mëlçinë”, shprehet Kapllan Sulja, ekspert i sigurisë ushqimore.

Për sa kohë AKU nuk ndalon prodhimin e qumështit me aflatoksinë që në fermë, atëherë produkti i kontaminuar dhe mikotoksina shkon te konsumatori nëpërmjet shitësit ambulant që shet qumështin në rrugë, e gjejmë te baxhot e vogla, e deri te fabrikat, të cilat me këtë qumësht përpunojnë të gjitha produktet e bulmetit.

“Patjetër që duhet të ketë dhe kjo lidhet edhe me auditin e KLSH-së, sepse 64% e importuesve, përpunuesve dhe tregtuesve të drithërave dhe miellit nuk janë kontrolluar në këto 5 vjet. Dhe kjo lidhet edhe me ushqimin e kafshëve, ku ushqimi i kafshëve është i kontaminuar me aflatoksinë. Detyrimisht që ai rrjedh në produktin e qumështit, që është gjalpi, qumështi, kosi, djathi”, shprehet Ana Vuksani, eksperte e sigurisë ushqimore.

Alarmi se vendi ynë përgatit bulmet të pasigurt vjen edhe nga BE-ja, e cila refuzon të ushqejë konsumatorin europian me nënproduktet e qumështit Made in Albania.

“Ne nuk mund të eksportojmë produkte me origjinë shtazore pikërisht për faktin se na mungon zinxhiri i gjurmueshmërisë nga ferma në tavolinë”, thotë Vuskani.

Kapllan Sulaj, eksperti i sigurisë ushqimore, thotë se ky skandal mund të ndalet vetëm atëherë kur AKU të ekzaminojë në laborator çdo ngarkesë misri për kafshë që importohet, e më pas inspektimi të shtrihet në ferma e tregje.

“Mënyra e të ushqyerit të kafshëve, rregullat dhe zbatimi i masave të parandalimit të aflatoksinës në fermë janë hapi i parë. Dhe hapi i dytë është që autoritetet duhet të kontrollojnë tregjet dhe fabrikat e qumështit, në mënyrë që të shohin se si është niveli në terren”, shprehet Sulja.

Destinacioni i qumështit me aflatoksinë në asnjë rast nuk duhet të jetë tryeza e konsumatorit.

“Patjetër që ky qumësht nuk duhet të dalë në treg, ai duhet të bllokohet dhe të asgjësohet”, pohon ai.