Vlora Hyseni

9 Nëntor 2026

Transferta e parave mes shoqërisë “Foris Beton” dhe një kompanie në Gjermani, ka ngjallur dyshimet e Prokurorisë së Posaçme se ish-shefja e Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni mund të jetë e përfshirë në korrupsion dhe pastrim parash.

Por jo vetëm kaq, këto akuza rëndojnë mbi ish-shefen e SHISH-it se me datën 15 tetor pasi SPAK ka regjistruar dhe një tjetër procedim ndaj saj që ka të bëjë me veprën penale “Tregimi i sekretit shtetëror nga personi që i është besuar”.

Indicie u bë një episod që ka ndodhur me gazetaren e “News 24”, Klodiana Lala.

Sipas të dhënave Hyseni në kohën kur po futej në ambientet e Gjykatës së Posaçme për t’u njohur me masën e sigurisë iu përgjigj gazetares me fjalë: “Klodi si kalon ti në takime me agjentët serbë në dhomat e hotelit Rogner”. 

Sipas Prokurorisë së Posaçme ky fakt ka rëndësi për vlerësimin e personalitetit të Vlora Hysenit, pasi tregon se ajo mund të abuzojë me të dhënat e marra për shkak të detyrës për të frikësuar të tretët që ushtrojnë funksionet e veta në zbardhjen e çështjes penale që zhvillohet ndaj saj.

SPAK thotë se procedimi i ri penal erdhi edhe nga kallëzimi i gazetares Klodiana Lala, e ndërsa tashmë lidhur me këtë fakt të ri është vendosur bashkimi i procedimeve penale për Vlora Hysenin, ku zyrtarisht ajo po hetohet për 5 vepra penale: “Përkrahja e autorit të krimit”, “Zbulimi i akteve ose i të dhënave sekrete”, “Korrupsion”, “Pastrim parash” dhe “Tregimi i sekretit shtetëror nga personi që i është besuar”.