Pigmenti i kuq i çmuar i majave ndoti liqenet për shekuj me radhë

Tempull i Majave
9 Nëntor 2026
Mërkuri është një element me të cilin duhet treguar kujdes, pasi ekspozimi ndaj disa prej formave të tij mund të dëmtojë disa organe dhe sistemin nervor. Megjithatë, qytetërimet e lashta e përdornin gjerësisht këtë element. Një prej tyre ishte qytetërimi i majave, të cilët e vlerësonin veçanërisht në formën e cinabaritit, një mineral i zakonshëm i merkurit, i njohur për ngjyrën e tij të kuqe të ndezur.
Majat e përdornin cinabaritin për qëllime të ndryshme. Ata e përfshinin këtë pigment në ritualet e varrimit dhe e përdornin për të pikturuar ndërtesat dhe enët prej qeramike. Por ajo që nuk e dinin ishte se përdorimi i cinabaritit dhe i merkurit në gjendje të lëngshme do të sillte pasoja të rënda për mjedisin dhe shëndetin.
Një studim i ri, i botuar në revistën Science Advances, ka zbuluar përmasat e dëmeve të shkaktuara nga përdorimi i merkurit prej majave. Studiuesit kanë zbuluar se ky element ndoti dikur liqenet në territorin e Meksikës së sotme. Përqendrimet e merkurit mbetën të larta për shekuj me radhë, duke kërcënuar ekosisteme të tëra.
“Të dhënat për merkurin ishin të pabesueshme”, tha autori i studimit, Matt Waters, profesor i shkencave mjedisore në Universitetin Auburn, në një njoftim për shtyp. “Ishin jashtë çdo kufiri të zakonshëm. Këto nivele të merkurit nuk janë normale.”
Magjepsja e majave pas merkurit
Majat e lashtë me gjasë e siguronin cinabaritin dhe merkurin e lëngshëm nga minierat në zonat vullkanike të Hondurasit dhe Meksikës Qendrore. Megjithatë, sipas një studimi të vitit 2022, të botuar në revistën Frontiers in Environmental Science, këto burime të merkurit ndodheshin larg shumë prej vendbanimeve kryesore të majave.
Autorët e studimit sugjerojnë se majat e transportonin merkurin përmes rrugëve tregtare. Edhe pse ky proces duhet të ketë qenë i vështirë dhe kërkonte shumë përpjekje, ai mund të tregojë se sa shumë vlerë kishte ky element në kulturën e tyre.
Arkeologët kanë zbuluar cinabarit në formë pluhuri dhe objekte të lyera me këtë pigment në disa vendbanime të majave. Një studim i vitit 2024, i botuar në revistën Journal of Archaeological Science: Reports, shpjegon se ngjyra e fortë e cinabaritit mund të jetë lidhur me gjakun dhe, për rrjedhojë, me vdekjen dhe rilindjen. Kjo e lidhte pigmentin me disa prej elementeve më të rëndësishme të botëkuptimit fetar dhe kozmologjik të majave.
Majat përdornin edhe merkurin e lëngshëm, ose merkurin elementar, në enë dhe objekte të tjera rituale, megjithëse kjo formë përdorej më pak se cinabariti.
Dëmtimi i ekosistemeve liqenore
Përdorimi i cinabaritit dhe merkurit të lëngshëm nga majat pati një kosto të lartë për mjedisin. Këtë e zbuluan studiuesit pasi morën mostra sedimentesh nga dy liqene në gadishullin Jukatan të Meksikës: Lago Coba dhe Cenote Xcach.
Duke zhytur në liqene cilindra të gjatë për të nxjerrë shtresa balte që përmbanin të dhëna mijëra vjeçare, studiuesit arritën të përcaktonin periudhën kur kishte ndodhur ndotja me merkur në të dyja zonat.
Pas analizimit të mostrave, ata zbuluan se përqendrimi i merkurit ishte rritur ndjeshëm në të dyja vendet gjatë periudhës klasike të qytetërimit maja (rreth viteve 250-900 pas Krishtit), përpara se të binte papritur.
Në liqenin Lago Coba, përqendrimi i merkurit ishte aq i lartë sa ka të ngjarë të ketë dëmtuar organizmat e gjallë për më shumë se 200 vjet, ndërsa pasojat më të rënda zgjatën për gati një shekull. Në Cenote Xcach, nivelet e larta të ndotjes shkaktuan dëme të rënda për jetën ujore për rreth 300 vjet.
Mostrat e sedimenteve treguan gjithashtu një rënie të gjurmëve biologjike të lidhura me algat, ciano bakteret dhe bakteret e purpurta të squfurit, të cilat janë pjesë thelbësore e zinxhirit ushqimor në këto ekosisteme.
Në të njëjtën periudhë, në mostrat e marra mungonin kryesisht edhe organizma të tillë si ostrakodët, krustace të vegjël ujorë, dhe larvat e mushkonjave të vogla. Kjo tregon se ndotja me merkur pati pasoja të gjera në jetën e këtyre liqeneve.
“Bashkësia biologjike ndryshoi plotësisht”, tha Waters.
A ndikoi merkuri në rënien e qytetërimit Maya?
Megjithëse ekosistemet e dy liqeneve arritën të rimëkëmbeshin pasi përqendrimi i merkurit ra, qytetërimi maja mund të ketë pësuar pasoja të pakthyeshme nga përdorimi i cinabaritit dhe merkurit të lëngshëm.
Ekspozimi ndaj merkurit, veçanërisht përmes ujit të ndotur, mund të ketë shkaktuar probleme serioze shëndetësore te popullsia, përfshirë dëmtime të veshkave dhe sistemit nervor, probleme të lëkurës, si dhe çrregullime neurologjike dhe të sjelljes.
Ndotja me merkur, më vete, mund të mos ketë qenë e mjaftueshme për të shkaktuar rënien e qytetërimit maja, por mund të ketë qenë një faktor i rëndësishëm që deri më tani është anashkaluar në shpjegimin e këtij procesi.
“Është vërtetuar se thatësira ishte një problem, shpyllëzimi ishte një problem, erozioni ishte një problem, mbipopullimi ishte një problem dhe furnizimi i popullsisë me ushqim ka të ngjarë të ishte gjithashtu një problem”, tha Waters. “Ky studim shton edhe ndikimin e cilësisë së ujit në listën e faktorëve.” / Discover Magazine – Syri.net
