Ndalimi i gazetarit holandez në Tiranë, reagon SafeJournalists: – Shqetësim për dhunën policore ndaj gazetarëve

9 Nëntor 2026
Rrjeti SafeJournalists ka shprehur shqetësim për ndalimin e gazetarit dhe autorit holandez Vincent W.J. van Gerven Oei nga Policia e Shtetit, gjatë protestës së zhvilluar më 7 nëntor 2026 në Tiranë. Sipas reagimit të rrjetit, gazetari është prangosur gjatë ndërhyrjes së policisë, është ekspozuar ndaj sprejit djegës dhe i është sekuestruar telefoni celular.
Shqetësim ka ngritur edhe rasti i gazetares së pavarur Alisa Braho, ndaj së cilës sipas SafeJournalists, është përdorur sprej djegës teksa po filmonte ndërhyrjen e forcave të policisë gjatë protestës. Në reagimin e saj, organizata thekson se këto incidente ngrenë pikëpyetje serioze mbi respektimin e lirisë së medias dhe sigurinë e gazetarëve gjatë raportimit të protestave.
SafeJournalists vlerëson se ngjarja e fundit i shtohet rasteve të tjera të ndërhyrjeve policore ndaj gazetarëve në Shqipëri, pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme për hetim, llogaridhënie dhe garantimin e mbrojtjes së tyre gjatë ushtrimit të detyrës. Rrjeti kërkon që incidentet të trajtohen me seriozitet dhe që të sigurohet një mjedis ku gazetarët të mund të raportojnë lirshëm dhe pa u penguar apo ekspozuar ndaj dhunës gjatë protestave.
Reagimi:
Rrjeti SafeJournalists shpreh shqetësim serioz për ndalimin e gazetarit dhe autorit holandez Vincent W.J. van Gerven Oei nga Policia e Shtetit gjatë protestës së 7 nëntorit 2026 në Tiranë, përfshirë prangosjen e tij, ekspozimin ndaj spërkatjes me sprej djegës dhe sekuestrimin e telefonit celular.
Përdorimi i raportuar i sprejit djegës ndaj gazetares së pavarur Alisa Braho, e cila po filmonte ndërhyrjen e policisë, ngre shqetësime të mëtejshme për veprimet e forcave policore. Ky incident i fundit përforcon një model shqetësues të ndërhyrjeve të policisë në punën e gazetarëve gjatë protestave në Shqipëri, pavarësisht kërkesave të përsëritura për hetime, llogaridhënie dhe mbrojtje efektive.
