Edi Rama

9 Nëntor 2026

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama lidhur me ndërtimin e një hoteli në Kanionin e Gjipesë, duke pretenduar se një sipërfaqe prej 221 mijë metrash katrorë, e cila sipas tij ka qenë pronë publike, është përfituar pas ardhjes së Ramës në pushtet.

Në një konferencë për mediat, Berisha drejtoi akuzat edhe ndaj vëllait të kryeministrit, Olsi Rama, duke pretenduar se familjarë të kreut të qeverisë kanë përfituar nga kjo pronë përmes ndikimit politik.

Sipas kreut të PD-së, trualli nuk ka pasur dokumentacion kadastral historik që të vërtetonte pronësinë private, ndërsa pretendoi se procesi i përfitimit të tokës ka nisur pas marrjes së detyrës së kryeministrit nga Edi Rama.

“Aty nxin me të gjithë shëmtinë e tij ndërtimi i hotelit ‘Edi Rama’ në Kanionin e Gjipesë, kanion që në shekuj ka qenë pronë publike. Nuk ka pasur kurrë asnjë pronar, por peshkaqeni Olsi Rama, duke përdorur Edi Ramën, ka përfituar këtë pronë pa dokumente kadastrale arkivore”, deklaroi Berisha.

Ai pretendoi se sipërfaqja prej 221 mijë metrash katrorë është marrë në një prej kanioneve më të bukura të bregdetit shqiptar, duke akuzuar familjarët e kryeministrit për përfitim të paligjshëm të pronës publike.

Berisha iu referua edhe njoftimit të SPAK-ut për hapjen e një hetimi lidhur me dosjen e njohur si “Albanian File”, duke shprehur skepticizëm për mundësinë që hetimet të çojnë në penalizimin e kryeministrit Rama.

BalkanWeb