Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ) ngre shqetësimin për dhunën ndaj gazetarëve gjatë protestave: – Autoritetet shqiptare të marrin masa për mbrojtjen e tyre, të garantohet liria e medias

9 Nëntor 2026
Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ) ka ngritur shqetësimin për dhunën ndaj gazetarëve në Shqipëri gjatë protestave, duke kërkuar nga autoritetet shqiptare masa konkrete për garantimin e sigurisë së tyre dhe vënien para përgjegjësisë të personave që kryejnë sulme.
“Mes një niveli shqetësues dhune të regjistruar në protesta, shumica e të cilave u atribuohen oficerëve të policisë shtetërore, ne përsërisim thirrjet tona drejtuar autoriteteve që të ndërmarrin veprime për të mbrojtur gazetarët dhe për t’i mbajtur autorët përgjegjës.”, thekson EFJ.
Sipas të dhënave të publikuara nga Rrjeti SafeJournalists, në bashkëpunim me Asociacionin e Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH), gjatë periudhës 13–31 tetor janë regjistruar të paktën 55 raste sulmesh ndaj gazetarëve.
Raportohet se shumica e incidenteve lidhen me veprimet e punonjësve të Policisë së Shtetit. Gazetarët kanë denoncuar raste dhune, fyerjesh dhe kërcënimesh verbale, shoqërimesh apo ndalimesh, pengimi në ushtrimin e detyrës, si dhe sekuestrimi të pajisjeve mediatike.
EFJ thekson se, pavarësisht se autoritetet janë informuar më herët për situatën dhe janë nxitur të ndërhyjnë përmes një letre të hapur të datës 14 tetor, të nënshkruar nga organizata të shumta, sulmet kanë vijuar me frekuencë të lartë.
“Pavarësisht se autoritetet u informuan dhe u nxitën të ndërmarrin veprime më 14 tetor me anë të një letre të hapur që e bashkë-nënshkruam me më shumë se 30 organizata, sulmet kanë vazhduar me frekuencë të lartë, duke i lënë gazetarët të pambrojtur në terren.”, shton EJF.
Në reagimin e saj, EFJ thekson se, në një kohë kur Shqipëria po vijon procesin e integrimit në BE, autoritetet duhet të garantojnë lirinë e medias dhe të drejtën e qytetarëve për t’u informuar përmes burimeve të pavarura dhe të besueshme.
“Ndërsa Shqipëria përparon drejt anëtarësimit në BE, autoritetet e saj duhet të mbështesin lirinë e medias dhe të drejtën e qytetarëve të tyre për të pasur akses në informacion transparent dhe të pavarur.”, thekson EFJ.
