Ilirjan Celibashi

9 Nëntor 2026

Kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, i është drejtuar me një shkresë Fatmir Xhafajt, duke kërkuar mbulimin e fondeve të lëna jashtë projektbuxhetit të vitit 2027. Në dokument paralajmërohet se mungesa e financimit mund të sjellë vonesa në testimin e sistemeve informatike, ndërprerje të shërbimeve dhe vështirësi në ruajtjen e materialeve zgjedhore.

180 milionë lekë për projektin e magazinës së materialeve zgjedhore dhe supervizimin, 51,7 milionë për mirëmbajtjen e sistemeve informatike dhe 33,7 milionë për qiranë e magazinave në Vaqarr. Këto janë tre shpenzimet për të cilat Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka siguruar financim në projektbuxhetin e vitit 2027, kur vendi do të zhvillojë zgjedhjet vendore.

Kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, i është drejtuar me një shkresë të datës 9 nëntor kryetarit të Komisionit parlamentar për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, Fatmir Xhafaj, duke kërkuar që nevojat financiare të institucionit të merren në konsideratë gjatë shqyrtimit të buxhetit.Sipas dokumentit, KQZ kishte kërkuar 364.767.232 lekë shtesë mbi tavanin e Programit Buxhetor Afatmesëm, por në projektbuxhet janë përfshirë vetëm 99.300.000 lekë. Kjo lë një diferencë prej 265.467.232 lekësh të pambuluara.

Në shkresë, Celibashi paralajmëron se mungesa e fondeve mund të ndikojë në dy drejtime: në ruajtjen e materialeve zgjedhore dhe në funksionimin e sistemeve informatike.

“Këto nevoja mbështesin ruajtjen dhe administrimin e materialeve dhe pajisjeve zgjedhore, por nuk janë identifikuar në dokumentet burimore si fond i dedikuar për një rekomandim të vetëm. Shuma e përgjithshme e nevojave të pambuluara në projektbuxhetin e zakonshëm është 265.467.232 lekë. Mosmbulimi i tyre mund të kufizojë kapacitetet magazinuese dhe gatishmërinë logjistike për procesin zgjedhor të vitit 2027”, thuhet në dokument.
Sa u përket sistemeve informatike, KQZ ngre shqetësimin se mungesa e financimit mund të vonojë punën për mirëmbajtjen dhe testimin e tyre, duke shtuar mundësinë e problemeve teknike gjatë procesit zgjedhor.

“Mungesa e financimit mund të shtyjë mirëmbajtjen dhe testimin e sistemeve, duke rritur rrezikun e ndërprerjeve të shërbimeve dhe të cenimit të sigurisë”, paralajmëron institucioni.
Një tjetër problem që Celibashi ngre në letrën drejtuar Kuvendit është Platforma Elektronike e Raportimit Financiar (PERF), e cila ende nuk është funksionale për paraqitjen e raporteve financiare të partive politike.

Për përmirësimin e saj, KQZ ka kërkuar rreth 20 milionë lekë nga Zyra e Këshillit të Evropës në Tiranë, por ende nuk ka marrë konfirmim për financimin. Kjo shumë është e veçantë nga 265,4 milionë lekët e pambuluara në projektbuxhet.

“Nevojitet mbështetje për përshtatjen me regjimin juridik dhe funksional të platformës PERF, standardizimin e kategorive të raportimit, validimin e të dhënave, testimin dhe publikimin e raporteve në format të hapur. Për këtë masë, fondet i janë kërkuar Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë dhe KQZ mbetet në pritje të konfirmimit nëse fondi prej rreth 20.000.000 lekësh do të alokohet nga donatori”, thuhet në shkresë.
Nëse Këshilli i Evropës nuk e financon projektin, Celibashi kërkon që të shqyrtohet mundësia e mbulimit të shpenzimit nga buxheti i shtetit.

“Do të vlerësonim që në rast pamundësie financimi nga donatori, kjo kërkesë shtesë e pambuluar të konsiderohej për mbulim me fonde buxhetore. Rezultati i synuar është një sistem funksional dhe një raportim financiar më i verifikueshëm. Pa mbulimin e nevojës teknike, vënia në përdorim e përmirësimeve mund të vonohet.”
Në shkresë, KQZ rendit edhe masat që synon të marrë për zgjedhjet vendore të vitit 2027, duke nisur nga trajnimi i administratës zgjedhore, informimi i votuesve dhe përmirësimi i kushteve në qendrat e votimit.

“Për vitin 2027, përparësia kryesore e KQZ-së është përgatitja dhe administrimi i zgjedhjeve vendore. Në këtë kuadër, KQZ do të përqendrohet në trajnimin e administratës zgjedhore, garantimin e gatishmërisë dhe sigurisë së sistemeve e pajisjeve zgjedhore, informimin e zgjedhësve dhe përmirësimin e aksesueshmërisë së qendrave të votimit”, thuhet në dokument.
Megjithatë, programi i standardizuar për informimin dhe edukimin e zgjedhësve është ende në hartim, ndërsa fushatat informuese dhe matja e nivelit të njohurive të votuesve nuk kanë nisur.

Për personat me aftësi të kufizuara, institucioni synon verifikimin e kushteve të qendrave të votimit, përgatitjen e materialeve në të paktën tri formate të aksesueshme dhe trajnimin për votimin e asistuar. Financimi i këtyre masave u takon njësive të qeverisjes vendore.

Edhe në këtë pikë, KQZ paralajmëron se mungesa e mbështetjes financiare mund të sjellë vonesa.

“Pa mbështetjen e nevojshme financiare, pengesat e identifikuara mund të mos adresohen në kohë”, thuhet në shkresë.
Institucioni do të vijojë gjithashtu ndjekjen e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias, si dhe përgatitjen e analizave dhe propozimeve teknike për reformën zgjedhore.

Zgjedhjet vendore 2027, alarm në KQZ/ Mungojnë 265 milionë