Eva Pëllumbi: Nuk u vlerësova kurrë për çfarë dhashë në art, as emrin nuk ma shënonin në filmat ku luaja…-

Aktorja Eva Pëllumbi pas largimit në vitin 1990 nga Shqipëria, filloi jetën e saj në Gjermani. Vështirësitë në fillim me jetën e re nuk munguan për aktoren, por falë punës së saj arriti të merrte atje vlerësimin. Aktorja u rikthye në Shqipëri pas 28 vitesh. Ajo tregon se rikthimi ishte për arsye personale dhe të gjithë e mirëpritën me shumë dashuri. Në intervistën për “SOT” aktorja tregon se si e gjeti Tiranën, takimet me miqtë dhe kolegët e munguar. Në rrëfimin e saj aktorja shpreh keqardhjen që u harrua para ‘90 nga institucionet shqiptare, por tregon se populli gjithmonë e ka vlerësuar. Aktorja pohon se artistët e brezit të vjetër nuk duhen harruar, por duhen vlerësuar. Për aktoren në vitet para ’90 punohej shumë me teatrin dhe filmin. Ajo tregon dhe për punën me personazhin e Pinokut, aq i dashur në vitet 80-90. Në intervistën e saj aktorja tregon se duhet të jetë vëmendje për artistët dhe artin, por shprehet se dhe puna e të rinjve duhet të jetë me konsultime me brezin e vjetër.

-Këto ditë ju gjejmë në Tiranë, një rikthim i juaj pas 28 vitesh që jeni larguar. Si u ndiheni nga mikpritja që morët?

Jam pak e çuditur, sepse se kisha menduar që rikthimi im do të kishte kaq vëmendje dhe më kanë pritur shumë mirë të gjithë. I falenderoj të gjithë. Rikthimi im këto ditë ishte dhe si detyrim për disa gjëra private, që unë të vija. Largimi im në Gjermani ka qenë në vitet ‘90. Ato vite dhe pse më kanë propozuar shumë herë për artiste të merituar kjo nuk ndodhte. Mua nuk ma dhanë asnjëherë këtë titull për shkak të problemeve të asaj kohe. Unë punoja shumë dhe isha dhe aktore në Teatrin e Kukullave.

Bujar Kapexhiu ishte ai që më zbuloi si talent dhe unë edhe pse isha shumë e re i imitoja të gjithë këngëtarët dhe filloi suksesi sepse njerëzit nuk kishin parë imitatore. Kur mbaronte shfaqja në ato kohë para viteve ‘90 njerëzit donin të më takonin, dhe ato vite unë isha vetëm 17 vjeç në Estradë. Anita Take fillonte të këndonte dhe unë dilja me atë në skenë, ajo këndonte fillonte një strofë dhe unë e vazhdoja këngën e saj, që ishte zëri njësoj dhe njerëzit na duartrokitnin. Po kështu dhe me këngëtarë të tjerë. Kjo jetë artistike vijoi dy vite sepse Bujar Kapexhiu bënte premiera të reja. Duke parë këtë, ai më pas vijoi të bënte filma dhe unë bëja zërin. Vlash Dobroniku është i pari regjisor, që më ka vënë emrin në filmat e tij. Mua në ato vite nuk më kanë vlerësuar, nuk më shënonin emrin në filmat multiplikativë, ku unë bëja zërin e personazheve. Ato vite dhe ai që priste kartonin e kishte emrin në filmat multiplikativ ndërsa unë jo. Kjo më rëndonte shumë. Nuk donin. Ishte një mentalitet i kohës. Bëheshin festivale dhe njëherë Dritëro Agolli ngrihet dhe thotë: Më bën përshtypje një gjë, që kjo vajzë i jep zërin kartonit, pse nuk e ka emrin. Atëherë pas kësaj Vlash Dobroniku më vuri emrin te filmi “Çufo-Çufo”, pasi në të tjerë nuk jam. Unë punoja , e merrja rrogën, por më lodhte ideja pse nuk ma vinin emrin në filma? Filmat fitonin çmime, por unë nuk kisha emër. Figura në film ishte në jetë me zërin tim. Ato vite ishte një mospërfillje ndaj meje, që ishte e lidhur me jetën time.

-Kur arritët në Gjermani me çfarë vështirësish jeni përballur?

Si fillim si të gjithë unë kam bërë punë të rëndomta, duhej të punoja sepse kisha dhe një fëmijë. Për fat gjeta një tjetër punë. Punova për shumë vite në një shkollë dhe jam marrë me fëmijët duke i mësuar atyre dans- teatrin, etj.

-Ju për shumë vite keni qenë pranë Teatrit të Kukullave. Personazhe të ndryshme në shfaqjet për fëmijë janë realizuar nga ju. Si i kujtoni ato vite?

Unë kam punuar për 17 vite në Teatrin e Kukullave, deri në vitin 1990 kur jam larguar për në Gjermani. Kam bërë role, që kanë mbetur në kujtesën e fëmijëve ndër vite.

-Pinoku në Teatrin e Kukullave është personazhin aq i dashur për fëmijët e brezit të viteve ’80. Ju i keni dhënë jetë këtij personazhi, si e kujtoni punën me shfaqjen?

Pinoku ka qenë maja për mua. Vetë figura e Pinokut i jep diçka fëmijëve. Më bënte përshtypje ato vite kur nënat vinin në teatër dhe më thonin: Eva takoje pak fëmijën tim, sepse me ty ha dhe fle. Ishin momente shumë të bukura dhe emocionuese për mua si aktore që bëra Pinokun. Mua më zgjodhën menjëherë atë kohë për rolin, sepse dhe me shtat isha e shkurtër dhe përshtatesha. Atë kohë në shfaqje unë punova si me çdo punë tjetër në role, por me Pinokun kam shtuar dhe vetë shumë gjëra për personazhin. Kur më pyesin pas kaq vitesh, di të them që Pinoku u bë. Prindërit ato vite kishin lexuar dhe Pinoku ishte një figurë ndërkombëtare e njohur, mirëpo mua më ngjiti si rol, isha shtatshkurtër, e shkathët, etj, kërceja dhe bëja lëvizjet sipas rolit.

-Ju keni qenë dhe me filmat artistikë për të rritur në kinematografinë shqiptare. Si ka qenë puna juaj në kinema?

Foto: Ne filmin Kapedani”,

Unë u futa në Kinostudio dhe kam punuar, ishte paralel me teatrin puna. Fehmi Hoshafi më tha për filmin “Kapedani” rolin që do ta bëja unë, apo filmi “Vajzat me kordele të kuqe” Gëzim Erebara më tha për rolin, si dhe filma të tjerë. Por ishte e vështirë sepse unë isha dhe në teatër. Gjatë këtyre ditëve në Tiranë kam takuar aktorë të vjetër, kam takuar regjisorin Esat Musliu, etj. Unë kur bëja filmat multiplikativ edhe regjisori Saimir Kumbaro më thoshte për punë në filmat e tij. Ka qenë vazhdimisht njeriu që ndihmonte dhe përkrahte. Por për mua ka qenë idol që punoja dhe me Spiro Kondurin, që ishte një perfeksion, një njeri korrekt, dhe ishte dita e lumtur kur do dubloje, sepse ai të ndihmonte, të korrigjonte, ishte perfeksionist. Në ato vite punohej shumë dhe pse me kushte të vështira, por punohej. Spiro ishte inxhinieri i zërit dhe më vjen keq që nuk përmendet sot kontributi i tij me kinemanë. Ne kemi aktorë të mrekullueshëm Robert Ndrenika, Margarita Xhepa që e takova dhe të tjerë.

-Çfarë na thoni për artin, punën me filmin dhe teatrin?

Ne në ato vite punonin pa hile dhe me zemër, nuk shikonim orën. Tani duket sikur ka hyrë modernizimi dhe marrin dhe diçka nga Europa, që ata janë abstraktë, kurse rolet tona kishin shpirt. Unë kur shikoj filmat tanë dhe dallohet puna jonë. Nuk harroj dot kontributin e madh të artistëve me filmat. Arti nuk duhet të rendi pas modernizmit dhe të harrohen të vjetrit, që punuan. Regjisori Pirro Milkani me një kontribut në kinemanë tonë. Unë vazhdimisht shikoj dhe filmin “Ballë për ballë”, ku dallohet puna dhe detajet në film, që janë fantastike për të huajt që i kanë dhe abstrakt filmat. Dikur punohej shumë me skenarin e filmit, rregulloheshin aty ku kishte gabime, por sot jo. Kjo është një mungesë në art sot. Duhet të afrohet brezi i aktorëve dhe i regjisorëve të vjetër nga të rinjtë, sepse kanë se çfarë të marrin prej tyre.

-Ka artistë të vjetër që pohojnë se brezi i tyre është pak i harruar. Ju si mendoni?

Jo pak, por është komplet i harruar. Kjo sepse duan të bëjnë modernen në art. Por kjo punë që është që nëse nuk ke të kaluar, nuk ke edhe të ardhme. Duhet vëmendje ndaj brezit të artistëve të vjetër që kanë dhënë kontributin e tyre të madh në artin shqiptar. Artistët e vjetër janë rrënja, por janë harruar, më vjen keq nga kjo.

-Ju jeni kthyer në Tiranë pas 28 vitesh. Çfarë mund të na thoni si i gjetët institucionet e artit?

Unë s’i kam parë të gjithë, por duhet të ketë vëmendje për institucionet e artit. Unë kam bërë një rol të Prefektit në Teatrin Kombëtar dhe që në ato vite kaloi miu aty në teatër. Duhet bërë një teatër i ri kombëtar. Duhet të ketë investime në institucionet e artit. Unë di shumë pak se çfarë është bërë në këto vite, por nëse flasim për teatrin duhet bërë një i ri. Por unë tani, që kam ardhur në Tiranë shikoj ndryshimin e madh që ka pësuar kryeqyteti dhe më vjen mirë kur shikoj gjëra që janë bërë bukur. Por unë dua patjetër të shikoj dhe të lumtur regjisorët dhe aktorët tanë, që kanë punuar pa parë orën. Për artin sigurisht që duhen investime, nëse pohohet se kanë pak buxhete shteti duhet ti japë rëndësi artit. Por unë kam përshtypjen se gjatë këtyre viteve të fundit është bërë për artin, ka pasur investime.

-Nëse do të keni propozime për një rol, do ta pranoni?

Atë e dinë regjisorët, sigurisht që nëse do të më afrojnë rol do të them nëse më përshtatet. Por është dhe pak e vështirë, sepse unë jetoj në Gjermani. Por unë në ‘90 kam ikur se më kishte munguar dhe vlerësimi nga institucionet shqiptare për punën time ato vite. Unë isha e harruar nga institucionet e asaj kohe, por jo nga populli. Unë që kur kam filluar të punoj nuk kam marrë asgjë, qoftë dhe një fletë lavdërimi nga institucionet në kohën e komunizmit, por kam marrë vlerësimin nga populli.

-Ka pengje Eva Pëllumbi?

Kam pengje, më kanë munguar fëmijët në teatër. Më ka munguar arti ynë në Gjermani. Por unë vazhdimisht kam parë filma, kam lexuar veprat e Kadaresë. Kam shumë njerëz për të falenderuar dhe i falenderoj të gjithë ata që më kanë ftuar dhe janë angazhuar për të më ndihmuar. Kam qenë e ftuar në emisione dhe i falenderoj për këtë. Në 28 vite unë kam qenë larg dhe nuk kam dashur të vij. Kam ikur shumë e lodhur me atë çfarë kisha dëgjuar më parë, nuk mora gjë nga aktiviteti im, sepse arritën sa të më hiqnin dhe emrin.

Intervistoi: Julia Vrapi