Terrakote e rralle e Aferdites te zbuluar ne Margllic. –

Nga; Frederik Stamati

Një terrakotë e Afërditës, qe do ta kishte zili çdo muze i botës. Ajo u zbulua në vitin 1981 ne Marglliç. Prof. Neritan Ceka e pati këtë rast fatlum. Ai e cilëson si të shek III para Krishtit.
Është Afërditë anadiomena e dalë nga shkuma e detit. Detaje mund të gjenden në librat e mitologjisë.

Ajo erdhi ne laborator e thyer ne katërmbëdhjetë copa, te gjitha të mbuluara nga depozitimet karbonatore. Veç formës nuk shihej asgjë. Pastrimi u krye me shumë kujdes në rrugë kimike. Rezultoi që të ishte e polikromuar, pra e ngjyrosur, mbi te cilën ishte vendosur një shtresë ari.

Ngjyra baze ishte e bardha. Mbi të ishte përdorur ngjyre e verdhë dhe e kuqe për veshjen e sipërme dhe te poshtme. Gjurma ari u gjeten në të gjithë veshjen, por pa e përcaktuar nëse ishte shirit ngjyre, ose ne total. Kane mbetur të bardha vetëm pjesët e trupit. Sytë janë të lyer me të kuq, ndërsa gërshetat me ar. Ngjyra të tjera janë e kaltërta për thellësinë e rrudhave te veshjeve, pak e zezë në diademe dhe diku-diku pak kafe e errët. Analizat e përbërjes kimike të marra nëpërmjet Spektroskopisë së fluoreshencës së rrezeve X treguan se nuk është e prodhuar ne Margllic dhe as ne Apolloni. Kam bërë edhe përpjekje në laboratorët jashtë Shqipërisë për të gjetur origjinën e saj.

Forcimi u realizua në vakum me polimer polivinil acetat, të tretur ne aceton. Ky veprim kishte si qëllim te mbronte edhe gjurmët e pikturimit, tashmë tepër të dobësuara.
Restaurim i formës u krye në Muzeun arkeologjik të Durrësit nga i ndjeri Gavril Priftuli. Fragmentet u lidhen me një ngjitës te bazuar ne nitrocelulozë, të rekomanduar nga literatura e British Museum. Ai bëri edhe integrimin e ngjyrës. Lartësia e terakotës është 44,5 cm.

Terrakota iu nënshtrua analizave të mëtejshme në Institutin e Fizikës Bërthamore nga Prof Niko Civici. U përdor metoda e Fluoreshencës së rrezeve X me reflektim total. Me këtë metodë u analizuan ngjyrat.

Ja, kaq informacion, fare shkurt, nga gjithë ajo punë që u bë. Edhe diçka: kam vizituar shumë, e shumë muzeume në shtete të ndryshme të Europës, por një të tillë, kaq të bukur, nuk e kam parë!