“PS është kthyer në SHPK me një pronar të vetëm”/ Ish-ministri socialist zbulon tri arsyet e mbledhjes së Asamblesë

Arben Malaj
12 Nëntor 2026
Ish-ministri socialist Arben Malaj ka bërë një analizë kritike për situatën brenda Partisë Socialiste dhe mënyrën se si drejtohet ajo nga kryeministri Edi Rama. I ftuar në një emision televiziv, Malaj deklaroi se PS nuk funksionon më si një forcë politike që frymëzon dhe ndan pushtetin, por e krahasoi atë me një kompani private, ku pronari i vetëm është kryetari i partisë.
“Për sa kohë do të jetë edhe Asambleja e Partisë Socialiste? Për kryeministrin do të vijojë gjatë diskutimi, duke respektuar edhe analizën që duan kolegët aty. Nuk është më një parti politike që inspiron, nuk është një parti politike që ndan pushtetin për të mbështetur. Është një SHPK me 100 lekë kapital. Pastaj janë ato kullat me 100 lekë dhe investojnë miliona, dhe ka vetëm një pronar të vetëm: kryetarin e partisë. Kjo është për të ardhur keq. Nuk ka demokraci të brendshme”, u shpreh Malaj.
Ish-ministri ngriti gjithashtu shqetësimin për lidhjet mes politikës dhe krimit të organizuar, duke iu referuar të dhënave të procesit të dekriminalizimit dhe hetimeve të SPAK. Sipas tij, Prokuroria e Posaçme nuk është një strukturë kundër qeverisë, por një institucion që lufton krimin e organizuar dhe lidhjet e tij me politikën, pavarësisht krahut politik.
Malaj tha se një nga problemet kryesore të Partisë Socialiste është lidhja e fatit të saj me atë të Edi Ramës.
“Fati i PS-së është i lidhur tashmë 100% me fatin e Ramës. Në atë kulturën politike, pushteti absolut korrupton në mënyrë absolute. Lejimi i kriminalizimit të ekonomisë, keqpërdorimi i kriminalizimit të politikës, oligarkia kryeministrore dhe partneritetet publike-private preferenciale janë disa elementë të mjaftueshëm për të kuptuar se në çfarë situate ndodhet Partia Socialiste”, deklaroi ai.
Duke komentuar mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të PS-së, Malaj tha se nuk pret që ajo të sjellë ndryshime konkrete. Sipas tij, këto mbledhje janë pjesë e kalendarit të zakonshëm të partive politike, ndërsa Rama i ka përdorur shpesh si një instrument për të tërhequr vëmendjen përmes prezantimit të risive.
“Marketingu që ka përdorur Rama është që mbledhjet e Asamblesë Kombëtare t’i përdorë gjithmonë për të bërë diçka të re, për të tërhequr vëmendjen, por diçka që është bërë më keq se ç’ka qenë. Kështu që, në këtë aspekt, unë nuk pres”, u shpreh ai.
Malaj renditi tri arsye kryesore që, sipas tij, kanë ndikuar në vendimin për mbledhjen e Asamblesë në këtë moment. E para lidhet me raportin e Bashkimit Europian për Shqipërinë. Sipas ish-ministrit, Rama do të përqendrohet te vlerësimet pozitive të raportit, duke lënë në plan të dytë problematikat që lidhen me funksionimin e institucioneve, respektimin e Kushtetutës, proceset zgjedhore dhe përdorimin e burimeve shtetërore.
Arsyeja e dytë, sipas Malajt, lidhet me buxhetin, përmes të cilit qeveria synon të vërë në vëmendje komponentin social dhe të adresojë shqetësimet e ngritura nga protestuesit. Ndërsa arsyeja e tretë lidhet me zgjedhjet e ardhshme vendore, për të cilat, sipas tij, Rama ka nisur të përgatisë terrenin politik dhe elektoral.
Malaj u ndal edhe te përgjegjësia e opozitës, duke theksuar se ajo duhet të distancohet nga figurat që, sipas tij, janë të përfshira në korrupsion, në mënyrë që të ketë besueshmëri përballë qytetarëve.
“Partia politike demokratike ka kuptim si opozitë këtu, në qoftë se nuk pastrohet vetë nga figurat që janë për korrupsion. Nuk ka garanci që fiton zgjedhje të tjera”, përfundoi Malaj.
