9 Tetor 2026

‘Në vijim të veprimeve hetimore ka rezultuar se më datë 20 Korrik 2026, në ambientet e ‘Equos Resort’ Tiranë, u sekuestrua mjeti me targë GG 444 AA, në pronësi të shtetasit Ergys Agasi. Brenda tij, me procesverbalin e datës 22 Korrik 2026, u sekuestruan, ndër të tjera, 9 (nëntë) printime me letër formati të madh, në të cilat paraqiten diagrama me të dhëna të ngjashme me ato të prodhuara nga Shërbimi Informativ i Shtetit. Gjatë seancës gjyqësore për verifikimin e kushteve të zbatimit të masës së sigurimit, vetë Ergys Agasi ka pranuar se mjeti ishte i tij dhe se i kishte lënë këto sende me qëllim që t’i gjenin organet Prokurorisë së Posaçme.’

Kështu thuhet në dosjen hetimore të SPAK, në lidhje me ccështjen që prek ish kreune SHISH Vlora Hyseni dhe Ergys Agasin.

Kjo situatë është e çuditshme, në një kohë kur Vlora Hyseni, vazhdonte përpjekjet e saj për të shpëtuar Ergys Agasin. Ky i fundit i cili mesa duket nga ana e tij kishte humbur çdo besim dhe vendos t’i tradhtojë të gjithë, ose me siguri duke u hakmarrë për lëshimin që i bënë.

Vlora Hyseni në cilësinë e personit në hetim, pranoi se ajo kishte komunikime të vazhdueshme me Ergys Agasin, gjatë kohës që ky i fundit ishte në arrati. Por ajo u mbrojt duke thënë se ajo fliste me të, pasi ai i kishte ofruar bashkëpunim, pa përcaktuar se çfarë bashkëpunimi i kishte ofruar Ergys Agasi dhe kë kishte informuar lidhur mbi këtë kontakt.

Por po kështu Vlora Hyseni, mohoi që të kishte patur kontakte fizike me Ergys Agasin.
Apo që ky i fundit të kishte siguruar informacione nga Shërbimi Informativ i Shtetit.

“Vlora Hyseni mohoi takimet fizike, apo faktin që Agasi të ketë siguruar informacione nga Shërbimi Informativ i Shtetit. Si edhe u zotua që do kthejë përgjigje zyrtare, me shkresë të klasifikuar, mbi origjinën e diagrameve të sekuestruara…”.

Po për SPAK, Vlora Hyseni dhe Ergys Agasi nuk ishin ashtu siç shefja e SHISH, u përpoq ta shesë këtë histori. Sikur ajo po kërkonte të përdorte Agasin si bashkëpunëtor dhe të vilte nga ai informacione të vlefshme për punën e saj, apo për institucionin që drejtonte.

SPAK ka krijuar bindjen se në fakt është Ergys Agasi ai që ka përdorur Vlora Hysenin dhe është ai që merr informacion nga kjo e fundit dhe i dikton se çfarë duhet të bëjë në vazhdim.
Sipas SPAK, Vlora Hyseni dhe Ergys Agasi kanë pasur një komunikim të shpeshtë dhe të vazhdueshëm me njëri-tjetrin. Një komunikim aq i shpeshtë sa brenda një ditë të vetme ata kanë shkëmbyer telefonata të vazhdueshme. Midis tyre foto dhe video, të cilat deri më tani nuk dihet lidhur mbi përmbajtjen e tyre.

Por që nuk përjashtohet që Ergys Agasi të ketë përdorur edhe përgjime të paautorizuara që kanë lidhje me znj. Vlora Hyseni, apo me të tjerë persona.

“Në këtë pikë duhet të theksohet se komunikimi i kreut të SHISH, shtetases Vlora Hyseni, me personin nën hetim Ergys Agasi, deri në atë kohë dhe në kërkim nga drejtësia, është periodik (i përditshëm) dhe i tejzgjatur në kohë bisede duke përfshirë jo vetëm telefonata të thjeshta (voice call) por dhe telefonata me video (video call) dhe dërgim e marrje fotosh e videosh, gjë që rrëzon alibinë e bashkëpunëtorit të pretenduar nga deklarimi i shtetases Hyseni.

Në total, për periudhën 28 Qershor 2026 deri më 26 Gusht 2026 (data e arrestimit të shtetasit Ergys Agasi) nëpërmjet aplikacionit ‘Signal’, janë regjistruar në total thirrje (voice and video call): Thirrje hyrëse Vlora-Ergys 70 thirrje, thirrje dalëse Ergys- Vlora 17, të humbura 28, thirrje pa përgjigje (Ergys nuk i përgjigjet Vlorës) 25, thirrje dhe thirrje të refuzuara (declined calls). Në lidhje me komunikimet ndërmjet Ergys Agasit dhe Vlora Hysenit, të ruajtura në funksionin BIOME të aparatit telefonik të shtetasit Ergys Agasi janë të ruajtura gjithsej 508 forma komunikimi (calls, voice, video calls, messages, chat messages) ndërmjet këtyre dy shtetasve për periudhën e sipër- cituar”, thuhet në dosje.

Për më tepër, për të ashtuquajturin bashkëpunëtor, Kreu i SHISH nuk ka vënë në dijeni asnjë nga instancat qoftë dhe paralele apo brenda institucionit.

Por ajo që është e çuditshme në këtë histori të denjë për filma me agjentë dhe kontigjentë kriminalë, është fakti se pothuaj të gjithë ishin në dijeni të shoqërimit midis tyre, madje në formë të hapur, të Vlora Hysenit dhe Ergys Agasit. Si para se ai të shpallej në kërkim nga policia ashtu edhe gjatë kohës kur ai ishte në arrati. Ku thuhet se për të dy ka edhe pamje filmike.
Ndërkohë që i ndaluar në këtë histori është edhe bizmesmeni nga Durrësi Embro Sulejmani, si dhe shefi i laboratorit shkencor të policisë, Fatjon Kalluçi.

Sulejmani thuhet se fshiu kamerat e sigurisë në rezidencën qeveritare në Durrës, e cila frekuentohej edhe nga Ergys Agasi. Veprim ky që mendohet se është kryer nga Sulejmani për të fshirë gjurmët e takimeve të Agasit gjatë kohës qe kishte frekuentuar këto ambiente.
Ndërsa Fatjon Kalluçi, shefi i laboratorit shkencor në policinë e shtetit u vu në pranga në kuadër të hetimit të dosjes së AKSHI-t. Ku i hetuari kryesor është Ergys Agasi.
Kalluçi në Policinë Shkencore merrej me administrimin e provave dhe dokumenteve që lidheshin me krime të ndryshme.

Por pikëpyetja më e madhe është se si Vlora Hyseni erdhi në krye të Shërbimit Informativ Shtetëror. Kush ia sugjeroi kryeministrit Rama emrin e saj për t’u bërë kryespiune e Shqipërisë?

Një histori e pazakontë e cila mund të ngjasë vetëm në një vend si Shqipëria, ku zv/ drejtoresha e inteligjencës së një shteti tjetër, e larguar nga shërbimi sekret i këtij vendi, për arsye që nuk dihet, një ditë të bëhet shefja e inteligjencës së një shteti tjetër, apo fqinj, në këtë rast Shqipërisë.
Pavarësisht se dikush do të pyeste se çfarë problemi ka. Në fakt problemi është vetë pikëpyetja mbi figurën e Vlora Hysenit.
Vlora Hyseni e cila në fundin e saj u lëshua edhe nga ai vetë që e solli dhe e ngjiti në drejtimin e SHISH. Nga vetë kryeministri Rama, që tha edhe lidhur mbi rastin e Vlora Hysenit se përgjegjësia është individuale dhe se ajo i ka një borxh moral Shqipërisë.

“Ish-drejtuesja e Shërbimit Informativ ka hapur një llogari shumë të vështirë me drejtësinë përveçse ka hyrë në një borxh të madh moral me Shqipërinë, ku mori besim të pakursyer”, u shpreh Rama.

Por çfarë borxhi moral i ka Vlora Hyseni Shqipërisë dhe pse Edi Rama nuk i ka një borxh të tillë Shqipërisë, që emëroi Vlora Hysenin si drejtuese të SHISH.

Vlora Hyseni e cila në vitin 2021, erdhi në Shqipëri si një figurë e panjohur për opinionin publik.
Por për të kuptuar përse, mjafton të shikosh mënyrën se si ajo u largua nga Shërbimi Inteligjent i Kosovës dhe se si u mor pranë vetes dhe përqafua menjëherë nga Rama.

Vlora Hyseni e cila u shkarkua nga detyra e saj, nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti, fill pasi ky i fundit mori detyrën e kreut të qeverisë për herë të dytë më datë 22 Mars 2021.

Gruaja që kishte vetëm katër muaj në krye të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, ku ishte emëruar në krye të këtij institucioni në dhjetor të vitit 2020 nga kryeministri Avdullah Hoti dhe presidentja Vjosa Osmani. Hyseni më parë kishte qenë nëndrejtore e Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, e emëruar aty nga kryeministri Rramush Haradinaj dhe presidenti Hashim Thaçi dhe vijoi ta mbante këtë detyrë edhe pas largimit si drejtore.

Ndërkohë më herët Vlora Hyseni kishte mbajtur detyrën e Drejtores së Marrëdhënieve me Jashtë po në AKI, një detyrë kjo nga më të rëndësishmet aty.

Shkarkimi nga AKI:

30 Qershor 2021
“1. Znj. Vlora Hyseni shkarkohet nga pozita e zëvendësdrejtores së Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë AKI.
2. Znj, Vlora Hyseni obligohet të bëjë dorëzimin e të gjitha mjeteve dhe materialeve me të cilat ka qenë e ngarkuar.
3. Znj. Vlora Hyseni, sipas vendimit, obligohet që të ruaj të gjitha informacionet që ka marrë gjatë ushtrimit të detyrës, pavarësisht sesi i është dhënë qasja në to apo si i ka pranuar ato, apo në çfarëdo forme tjetër ka arritur të posedoj informacione të klasifikuara.
Zbulimi ose mosruajtje e informacioneve të klasifikuara paraqet vepër penale të dënueshme sipas Kodit nr.06/074 Penal të Republikës së Kosovës, Ligjit Nr.03/L-178 për Klasifikimin e Informacioneve dhe Verifikimin e Sigurisë dhe legjislacionin tjetër përkatës në fuqi që ka të bëjë me informacionin e klasifikuar’.

Por me ta larguar Kurti, Vlora Hyseni nuk është se mbeti për shumë kohë pa punë, pasi siç thamë ajo shfaqet në Tiranë. Këtë herë pranë kryeministrit Rama, vetëm katër muaj pasi e kishin larguar nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë.

Rama e emëron Vlora Hysenin, këshilltare të vetën për sigurinë. Dhe në vitin 2023, në kulmin e skandalit Mc Gonigal, Rama e katapultoi Vlora Hysenin në krye të SHISH, qoftë edhe si një gomone shpëtimi për vete. Por duke përdorur edhe kredencialet që Vlora Hyseni kishte si agjente e certifikuar dhe që kishte dhënë prova besimi te partnerët ndërkombëtarë.

Emërimi i Vlora Hysenit:
‘Sot i paraqita Presidentit të Republikës propozimin për emërimin e Znj. VLORA HYSENI drejtore e Shërbimit Informativ të Shtetit, me besimin e plotë se përgatitja e spikatur, eksperienca e krijuar në vite dhe respekti që zonja Hyseni gëzon në komunitetin ndërkombëtar të inteligjencës, përbëjnë një garanci të plotë për reformimin e mëtejshëm të shërbimit inteligjent shqiptar’.

Por sigurisht që në atë kohë kur Rama e propozoi edhe e emëroi në krye të SHISH, opozita nuk e pranoi figurën e saj. Madje duke e cilësuar si të papërshtatshme dhe të kompromentuar gjatë punës që ajo kishte bërë në Agjencinë Kosovare të Inteligjencës.

‘Hyseni është shkarkuar nga shërbimet e inteligjencës në Republikën e Kosovës, me dyshimet për ‘zbulim ose mosruajtje të informacioneve të klasifikuara’. Këto raportime janë shqetësuese dhe ngrenë dyshime mbi integritetin e znj. Hyseni’, shprehej në atë kohë Gazment Bardhi.

Por as sot nuk dihet kush e solli Vlora Hysenin në Shqipëri.
Pavarësisht se dihet se kush e priti. Ndërkohë që zërat thonë se ajo u njoh me Ergys Agasin, pikërisht në korridoret e Kryeministrisë. Kur ai shërbente si eminencë e vetë kryeministrit.
Një lidhje e cila ka vazhduar edhe më tej deri në kompromentimin e tyre.

Nga: Gazeta Sot