Këngëtarja Iraniane Parastu Ahmadi

23 Nëntor 2026

Autoritetet iraniane kanë ekzekutuar dënimin me 74 rrahje me kamzhik ndaj këngëtares Parastu Ahmadi, pasi ajo u shfaq pa shami në një koncert të publikuar në platformën YouTube.

Lajmi është bërë i ditur nga agjencia iraniane e lajmeve ISNA, e cila citon avokatin e këngëtares. Sipas tij, dënimi ndaj 29-vjeçares dhe katër anëtarëve të grupit të saj është ekzekutuar.

Çështja lidhet me një koncert të organizuar në dhjetor 2024, përpara një salle të zbrazët, por të transmetuar më pas në internet. Në video, Ahmadi shfaqet e veshur me një fustan të gjatë pa rripa, pa shami dhe me buzëkuq të kuq, e shoqëruar nga pianist, baterist, kitarist dhe basist.

Performanca tërhoqi vëmendjen e mijëra përdoruesve dhe regjistroi më shumë se 3 milionë shikime në kanalin e saj në YouTube.

Në Iran, gratë përballen me kufizime të rrepta për paraqitjen në publik, ndërsa këndimi i tyre para publikut është gjithashtu i ndaluar në rrethana të caktuara.

Ahmadi ishte mbajtur në paraburgim për dy javë përpara se të lirohej me kusht. Ajo dhe anëtarët e grupit u përballën me akuza për shkelje të normave të moralit publik dhe për prodhimin e shpërndarjen e përmbajtjeve të konsideruara të pahijshme nga autoritetet.

Rasti ka shkaktuar reagime edhe në organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Në fillim të tetorit, Amnesty International dënoi vendimin gjyqësor dhe i bëri thirrje Iranit të hiqte dorë nga ekzekutimi i dënimit me kamzhik, duke e cilësuar atë si një ndëshkim mizor, çnjerëzor dhe degradues.

Dënimi ndaj këngëtares ka rikthyer në vëmendje kufizimet me të cilat përballen gratë në Iran për shprehjen artistike, veshjen dhe lirinë e tyre personale.