Monument – Kompleksi i Banimit i Familjes Dervisholli ne Gradice te Drenasit. –

Kompleksi i Banimit i Familjes Dervisholli gjendet në fshatin Gradicë të komunës së Drenasit, i ndërtuar në shek. XVIII-XIX. Është një ndër shembujt e rrallë të mbetur të një kompleksi banimi. Njihet si vend ku janë tubuar burrat e fshatit dhe luftëtarët që kanë pleqëruar për mbrojtjen e vendit. Kompleksi në përbërje të tij ka kullën e burrave, kullën e grave, shtëpinë e banimit, dy hambarë dhe dy kosha.

Kulla e burrave ka planimetri drejtkëndëshe: 9.0 m x 7.77 m, me etazhe P+1. Në përdhese ka ahurin dhe kuzhinën, ndërsa në kat hapësirën për takime (odën e burrave), abdes-hanen (vendin për pastrimin e duarve), hamamxhikun (vendin për larjen e trupit) dhe dyshekllëkun. Fasada e kullës së burrave është e ndërtuar në tërësi prej gurëve. Nga oborri i brendshëm shtëpia kishte edhe shkallët e drurit që çonin në kat nëpërmjet çardakut të hapur. Kulla e grave, njësoj si kulla e burrave, është e ndërtuar prej gurëve deri te ndarja e katit, ndërsa pjesa tjetër e sipërme është e ndërtuar me tulla të pjekura prej argjilës. Shtëpia e banimit është e ndërtuar po ashtu me gurë dhe tulla të pjekura prej argjilës. Të gjitha objektet e banimit karakterizohen me tavane të drurit të tipit ‘shishe tavan’, vatra dhe oxhaqe.