Gjermania teston dronët kamikazë dhe sistemin e inteligjencës artificiale për identifikimin e objektivave në Lituani

drone gjerman Kamikaz
23 Nëntor 2026
Ushtria gjermane ka zhvilluar të dielën testimet e para taktike me dronë kamikazë, gjatë stërvitjeve ushtarake në Lituani, ku Gjermania po përgatitet të vendosë një brigadë të përhershme të blinduar me rreth 5 mijë ushtarë deri në fund të vitit 2027.
Testimet shënojnë një hap të rëndësishëm për Gjermaninë, e cila vendosi vetëm në vitin 2025 të pajiset me këto sisteme armatimi, pas vitesh debatesh lidhur me blerjen e tyre.
Dronët kamikazë, të përdorur gjerësisht edhe nga Rusia dhe Ukraina, mund të qëndrojnë në ajër mbi një zonë të caktuar, përpara se të drejtohen drejt objektivit dhe të shpërthejnë në momentin e goditjes.
Testimet pranë kufirit me Bjellorusinë
Testimet u zhvilluan në poligonin ushtarak të Rudninkait, pranë kufirit me Bjellorusinë, ku kreu i Ushtrisë Tokësore gjermane, Christian Freuding, ndoqi demonstrimin e dronëve luftarakë të prodhuar nga kompanitë gjermane Helsing dhe Stark.
Dronët, të pajisur me koka luftarake joaktive, simuluan sulme ajrore dhe goditjen e tankeve.
Aktivitetet u zhvilluan në kuadër të stërvitjes ushtarake “Freedom Shield”, e cilësuar si më e madhja që Gjermania ka organizuar deri më tani në Lituani.
Disa ditë më herët, ushtarët gjermanë testuan për herë të parë edhe sistemin Clarity, të kompanisë Helsing. Ky program përdor inteligjencën artificiale për të përpunuar të dhëna nga satelitët, dronët dhe sensorë të tjerë, duke identifikuar objektiva dhe duke propozuar veprime të mundshme ushtarake.
Gjenerallejtënant Freuding i cilësoi të dyja teknologjitë si të domosdoshme për luftën moderne.
Gjermania forcon praninë ushtarake në Lituani
Vendosja e përhershme e trupave gjermane në Lituani është pjesë e planit të Berlinit për forcimin e mbrojtjes së krahut lindor të NATO-s, pas pushtimit rus të Ukrainës.
Brigada e 45-të e blinduar gjermane, me baza në Rudninkai dhe Rukla, pritet të ketë rreth 5 mijë ushtarë dhe 2 mijë mjete ushtarake, përfshirë dhjetëra tanke, kur të jetë plotësisht funksionale në fund të vitit 2027. Rreth 1.800 ushtarë gjermanë ndodhen tashmë në Lituani.
Pas nisjes së luftës në Ukrainë, Gjermania ka rritur ndjeshëm shpenzimet për mbrojtjen, duke investuar qindra miliarda euro në modernizimin e forcave të saj të armatosura.
Ndërkohë, zyrtarët e NATO-s kanë paralajmëruar prej vitesh për rritjen e kërcënimit rus, duke vlerësuar se Moska mund të jetë në gjendje të ndërmarrë një sulm të gjerë ndaj një vendi anëtar të Aleancës deri në vitin 2029.
Nga ana tjetër, Rusia mohon të ketë synime agresive dhe akuzon NATO-n se po shton tensionet përmes zgjerimit drejt vendeve fqinje.