21 Nëntor 2026

Rama ka postuar ditën e sotme pamjet nga një takim me një grup të rinjsh, sipas kryeministrit “studentë që besojnë te protesta jo te gurët’.

“Mirëmëngjes dhe me një videokartolinë nga dialogu me studentë që besojnë te protesta jo te gurët, me të cilët ramë dakord të mos e publikojmë hëpërhë debatin po vetëm pamjet, si edhe me falenderimin për Sara Bodon që e ka kthyer Agjencinë Kombëtare të Rinisë në një magnet për vajza e djem pa dallim bindjesh, ju uroj fundjavë të qetë”, shkruan KM.

Përgjigjet nga rrjeti janë të shumta dhe shkojnë nga talljet deri te gjuha e ashpër. “Do ta shikojmë në 28 nëntor” – shkruhet në shumë reagime të faqeve që mbështesin ptotestën. “Ka mbledhur fëmijët e hajdutëve” – thuhet në postime të tjerë duke identifikuar pjesëmarrësit me afërsi strukturore ose familjare me politikanë të PS dhe PD.

Ndërsa Rama dilte nga Akademia e Arteve ku u mbajt Asambleja e PS, disa metra më tutje qëndronin studentët, të cilët po ashtu sapo kishin përfunduar mbledhjen e tyre.

“Poshtë diktatura”, ishte thirrja me të cilat e pritën ata Ramën. Ky i fundit u tha “hajdeni” duke vazhduar atë që e quan “ftesë për dialog”.

Po sot, një grup i madh studentësh kanë zhvilluar te Politekniku një mbledhje me dyer të mbyllura dhe kanë dalë me deklaratë për krijimin e një lëvizjeje.

Ky organizim është quajtur Lëvizja Studentore Kombëtare (LSK), në të cilin janë zgjedhur përfaqësues në çdo fakultet. Sipas një njoftimi të mëparshëm, janë anëtarësuar mbi 2000 studentë nga 34 universitete të Shqipërisë

Një nga postimet e faqeve të protestuesve

Gazeta Dita