Njihuni me Shote Thaçin, mbesën e Shote Galices.-

Historia e nënës 84-vjeçare, që jeton në fshatin Hasan të Fushë-Krujës.

Për të takuar një mbesë të heroinës së madhe të Kosovës, Shote Galica, mjafton të shkosh në Fushë-Krujë. Pas një trokitje në derën e shtëpisë, na pret një zonjë e moshuar, me një cigare në dorë, e cila na uron mirëseardhjen. Ajo quhet Shote Thaçi dhe banon në fshatin Hasan. Nënë Shota, siç e thërrasin, sot është 84 vjeçe. Ajo ka lindur më 5 tetor 1930 në fshatin Hasan të Fushë- Krujës, bashkë me motrat dhe vëllezërit e saj. Që në fillim, ndiejmë ngrohtësi dhe mirësi, që na shtyn instinktivisht të futemi brenda oborrit. “Mirë se erdhët! Kush jeni dhe nga vini”, thotë ajo. Dashamirësia e nënës Shotë, na e bën më të thjeshtë bisedën me të. Pas prezantimit, Shota na fton brenda. Pavarësisht viteve që ka mbi kurriz, ajo mbahet goxha mirë. Ka një shkathtësi dhe forcë për t’u pasur zili. Mes rrudhave të saj fshihet një jetë e vështirë, mes vuajtjesh dhe fatkeqësish. Mbesa e heroinës nga Kosova jeton me djalin, Hakiun dhe familjen e tij. Aty ka nipërit dhe mbesën, të cilët janë lumturia më e madhe për të. Një ditë e saj kalon nëpër shtëpi apo edhe në oborr duke u kujdesur për lulet. Tregon se për shumë vite ka punuar në bujqësi, ndërsa vitet e fundit shijon rehatinë në familjen e saj. Ajo na shpjegon historinë e emrit. Ndikim të madh ka pasur lidhja e ngushtë familjare e babait të saj Sali Gashit me motrën e tij, Shote Galicën. Në çdo dokument zyrtar, ajo mban emrin Shote, siç e thërrasin të gjithë.

Familja

“Kur unë linda ma vunë emrin Shote, për nder të hallës sime, që vdiq tre vite para se unë të lindja”, sqaron mbesa e Shote Galicës. Përveç kësaj, ajo ka pasur edhe një tjetër histori në lidhje me emrin e saj. “Para shumë vitesh, në moshën 12-vjeçare vdiq vajza e xhaxhait. Ne kishim si zakon që për të mos humbur emri i saj dhe për të mbajtur gjallë kujtimin më thërrisnin me emrin e kushërirës së vdekur. Ajo quhej Qerime. Për disa vite më kanë thirrur me këtë emër, por shumë shpejt u harrua. Emri im i vërtetë është Shote, pasi ashtu më kishin quajtur prindërit”, tregon ajo, pa larguar asnjë moment buzëqeshjen nga fytyra. Një tregues ky i çiltërsisë dhe thjeshtësisë së zonjës, që reflekton mirësi. Nëna 84-vjeçare rrëfen se ka tetë motra dhe vëllezër, nga të cilët vetëm pesë jetojnë sot, dy vëllezërit dhe tre motrat e saj. Ndër të tjera tregon se ka edhe një motër binjake, Sala, e cila jeton po në Fushë-Krujë, saktësisht në fshatin Derven. Pjesa më e madhe e fshatit Hasan banohet nga të afërm të trimes së maleve, siç cilësohet Shote Galica. Mbesa që sot mban emrin e saj, na tregon se rreth e rrotull ka të gjithë njerëzit më të afërm. Djemtë, vëllai, nipër e mbesa, të gjithë së bashku jetojnë në harmoni pranë njëri-tjetrit, në vendin që si thotë nënë Shota, i priti krahëhapur. Nënë Shota ka sjellë në jetë nëntë fëmijë, shtatë vajza dhe dy djem, Bedrija, Enveri, Nexhmija, Fatmirja, Hakiu, Kimetja, Majlinda, Mimoza dhe Zana, këto të fundit binjake. Me lot në sy rrëfen për humbjen e dy fëmijëve të saj, një nga momentet më të dhimbshme dhe që nuk e largon dot për asnjë çast nga mendja e saj. “Djali Enveri më ka vdekur në moshën 44-vjeçare dhe ka lënë dy fëmijë, dy djem. Më i madhi është 10 vjeç ndërsa i vogli vetëm 3. Gjithashtu më ka vdekur edhe një vajzë, duke lënë jetimë edhe ajo dy fëmijë”. Jeta është plot të papritura dhe vështirësi, shton ajo, por, e rëndësishme është harmonia që ke në familje dhe me miqtë. Lufta e serbëve ndaj shqiptarëve të Kosovës, ashtu siç e dimë të gjithë ishte e ashpër, e tmerrshme, vuajtje pafund për shqiptarët e Kosovës. Më mijëra janë djegur të gjallë, të gjitha këto i detyruan shqiptarët e Kosovës të largohen nga tokat e tyre. Një pjesë të mirë i përzunë dhe u drejtuan drejt Shqipërisë.

Shpërngulja

“Baba im më ka treguar se u vendosëm në Fushë-Krujë dhe jo rastësisht. Kjo ka qenë një zonë e populluar nga shqiptarët e Kosovës dhe prej tyre erdhëm edhe ne këtu”, na thotë Shota. Mbesa e Shote Galicës ka lindur, është rritur dhe jeton në fshatin Hasan të Fushë-Krujës, por ajo thellë brenda vetes ndihet nga Kosova, ndonëse vizita e saj e fundit në vendin e origjinës ka qenë para katër vitesh. “Kur më pyesin se çfarë ndihesh më shumë kosovare apo shqiptare, unë plot krenari them nga Kosova. E ndiej pafund mungesën e vendlindjes së prindërve të mi. Në Fushë-Krujë jam ndier gjithmonë mirë dhe e mirëpritur nga të gjithë, por nuk e shpjegoj dot mallin e madh që unë ndiej për atë vend, edhe pse nuk jam e lindur dhe e rritur atje”. Nënë Shota nuk është një vizitore e shpeshtë dhe e rregullt e Kosovës dhe kjo, jo për mungesën e dashurisë që ndien për atë vend. Problemet shëndetësore e kanë detyruar të shkojë rrallë atje, por gjithmonë e mban në zemër. Sipas saj, vetëm disa herë ka vizituar Drenicën, por me zemër dhe mendje është gjithmonë në atë vend. “Më shpesh kam shkuar në Drenicë, atje kam edhe njerëzit e mi, për të cilët më merr malli shumë. Disa herë kam shkuar në Skënderbej, ku jetojnë njerëzit e burrit tim të ndjerë. Fëmijët e mi, nipërit, mbesat, motrat, vëllai, të gjithë më të afërmit janë këtu rreth e rrotull, por malli për Denicën më ndjek në çdo moment”, tregon nënë Shota.

Shote Galica

Shote Thaçi na rrëfen diçka edhe për hallën e saj, Shote Galicën. Ajo tregon se si Shota ose siç quhej Qerime Halil Radisheva u vendos në Fushë-Krujë, si i vdiq djali i saj dhe disa detaje në lidhje me heroinën nga Kosova.

“Në 1926, Shota plagoset rëndë. Ajo bashkë me dy vëllezërit e saj dhe disa fëmijë jetimë nisen për në Shqipëri. U vendosën në lagjen Dushku të Dervenit në Fushë-Krujë. Jeta e saj ishte mjaft e vështirë. Jetonte në një shtëpi përdhese dhe me shumë probleme ekonomike, mezi nxirrte kafshatën e bukës. Përveç kësaj Ahmet Zogu asnjëherë nuk e ka mbështetur dhe nuk e ka dashur. Në fillim qeveria e Zogut u kishte thënë që të jetonin në Burrel, por nuk pranuan. U kishte ofruar të jetonin në Fier, Lushnjë pasi edhe atje kishte kosovarë, por ata refuzuan për shkak të problemeve të tyre. Kosovarët kërkonin të banonin në vende ku të kishin mundësi për të punuar tokën, për të përballuar jetesën”. Më tej vazhdon nënë Shota se herë pas here heroinën e ndihmonin edhe shqiptarë të tjerë nga Kosova që jetonin pranë saj, të cilët ishin larguar nga Kosova për shkak të dhunës së serbëve. Nga martesa e Shote Galicës lindi edhe një djalë, por sipas mbesës së saj ai fëmijë nuk arriti të jetojë. “Baba im më ka treguar që Shote Galica ka pasur edhe një fëmijë nga martesa me Azem Galicën, një djalë, por ai i ka vdekur në mal, ndërsa nuk i di arsyet e kësaj humbje”, tregon Shote. Heroina kosovare vdiq më 10 korrik të vitit 1927, në moshën 32-vjeçare në gjendje të mjerueshme. Në qytetin e Fushë-Krujës është ngritur një lapidar për nder të saj. Përveç kësaj, shkolla e mesme e përgjithshme në këtë qytet ka marrë emrin e heroinës Shote Galica. Francezët e pagëzuan me titullin: “Zhan d’Arka shqiptare” më 1920, pasi panë foton e saj në fonotekën e Kel Marubit në Shkodër.