12 Maji 2026

Mbledhja në Këshillin e Lartë të Prokurorisë është shoqëruar me tensione dhe përplasje të forta mes anëtarit Sokol Stojani dhe kryetares Mirela Bogdani. Përplasja ka qenë rreth një vendimi që do i dërgohej Kuvendit për vendet vakante. Bogdani vendosi kthimin për rishqyrtim të këtij vendimi, gjë që u kundërshtua nga Stojani.

Në seancën në Këshillin e Lartë të Prokurorisë ka pasur debate të forta mes anëtarëve, lidhur me vendimin për hapjen e vendeve vakante. Në një audio të regjistruar, dëgjohet anëtari i KLP-së, Sokol Stojani, teksa debaton me kryetaren e KLP-së, Mirela Bogdani.

Debati u përqendrua te një vendim për dërgimin në Kuvend të vendeve vakante në KLP, ndërsa kryetarja Bogdani kërkoi që çështja të rikthehej për rishqyrtim.

Kjo kërkesë u kundërshtua nga Stojani, me pretendimin se vendimet e marra nuk mund të zhbëhen.

Nga ana tjetër, Stojani e paralajmëroi Bogdanin se do të mbajë përgjegjësi, ndërkohë që kryetarja e KLP-së këmbënguli se ditën e sotme nuk do të merrej një vendim, por do të mbahej një tjetër mbledhje. Mbledhja në KLP zgjati më shumë se 7 orë dhe debatet ishin permanente.

Bogdani: Ore nuk do marrim vendim sot.

Stojani: O kryetare, je në kundërshtim me ligjin. Ti të paktën duhet ta njoftosh anëtarin. Është përdhunim moj kryetare.

Bogdani: Po pse vetëm ju ndiheni i përdhunuar zoti Stojani? Ne të tjerët e kuptoni sesi ndihemi nga lloj lloj ofendimesh dhe fyerjesh? Mbledhjen e deklaroj të mbyllur, të qetësohen palët, të rehabilitohen dhe të vijnë në mbledhjen tjetër.

Stojani: Kryetare po sabotoni mbledhjen e Këshillit, duke futur gjëra dhe duke penguar përgjegjësinë e këtij këshilli. Do mbani përgjegjësi. Do mbani përgjegjësi po ju them.

Bogdani: E di, në litar do më varni. Do më varni në litar.

Stojani: Po ç’litar aman, s’je ti për litar. Ashtu të ngre në qiell unë. Turp të të vijë. Po i mban njerëzit peng për gjëra ordinere. Nuk diskutohet një vendim i marrë.

Bogdani: Kush je ti që më tregon mua? Rrëzoje pra.

Stojani: Po si ta rrëzoj moj? Nuk rrëzohet.

Bogdani: Dakord, mbase jam çmendur unë.

Stojani: Po je çmendur moj, nuk e zhbën dot ti një vendim.

Bogdani: Ore ashtu e gjykova.

Prokurori Sokol Stojani dhe kryetarja e Këshillit, Mirela Bogdani kanë pasur edhe debate të mëparshme me njëri-tjetrin. Në tetor të vitit të kaluar, ata u përfshinë në një debat të ashpër, në lidhje me procedurën e ndjekur për plotësimin e një vendi vakant në Prokurorinë e Sarandës.

Nga: Gazeta Dita